Shqiperia

Raporti i KQZ, PS fshehu shpenzimet ​e fushatës së kandidatëve

Drejtoria Juridike e KQZ, në një relacion të përgatitur për anëtarët e KQZ, konstaton se edhe Partia Socialiste nuk ka deklaruar shpenzimet për zhvillimin e fushatës të kandidatëve të saj apo për materiale propagandistike. “Gjithashtu referuar opinionit të ekspertëve të licencuar, në lidhje me shpenzimet e fushatës rezulton se Partia Socialiste nuk ka deklamuar shpenzimet për zhvillimin e fushatës të kandidatëve të saj apo për materiale propagandistike në zyrat elektorale në kundërshtim me nenin 24/3, pika 1 të ligjit nr. 8580, datë 17.02.2000, “Për partitë Politike” i ndryshuar me ligjin nr. 90/2017.

Mosdeklarimi i shpenzimeve të fushatës për kandidatët konsiderohet mosdeklarim i shpenzimeve të partisë politike”, thuhet në relacionin e KQZ. Në relacion konstatohet se mitingjet e PS në disa bashkia kanë kushtuar më shumë se sa ka deklaruar ky subjekt politik. “Nga shqyrtimi i rezultatit të monitorimit për aktivitete e zhvilluara nga Partia Socialiste në: Bashkinë Sarandë, datë 17.06.2017, Bashkinë Fier datë 19.06.2017, Bashkinë Kashar, datë 19.06.2017, Bashkinë Paskuqan, datë 20.06.2017, Bashkinë Gramsh datë 20.06.2017, Bashkinë Durrës datë 21.06.2017, Bashkinë Kavajë, datë 22.06.2017, Bashkinë Tiranë, datë 22.06.2017, rezulton se të dhënat e deklaruara për shpenzimet e aktiviteteve nga monitori mi me të dhënat e deklaruara nga partia politike, kanë mospërputhje”, vijon relacioni.

Nga ana tjetër, në relacion thuhet se nga shqyrtimi i raportit të monitorimit rezulton se në Bashkinë Elbasan dhe Bashkinë Librazhd është evidentuar afishim i materialeve propagandistike ne kundërshtim me Nenin 24/2, pika 5 të ligjit nr. 8580, datë 17.02.2000, “Për partitë Politike” i ndryshuar me ligjin nr. 90/2017. Në Bashkinë Tepelenë (4 zyra), Bashkinë Memaliaj (1 zyrë), Bashkinë Përmet (1 zyrë), Baskinë Dropull (1 zyrë), nga monitorimi i ekspertit kontabël rezulton se numri i zyrave elektorale, është më i madh (në total 7 zyra) se numri i zyrave elektorale të cilat Partia Socialiste ka deklaruar ne Raportin Financiar dhe ka të justifikuar me dokumentacionin financiar.