Rasti ‘Medicus’: Ogur i keq për sundimin e ligjit në Kosovë

Gjashtë vjet përpjekje për të vendosur drejtësi shkuan dëm kur ata që u dënuan në rastin “Medicus”, të parën për trafikim organesh, u dërguan në mënyrë të pashpjegueshme për rigjykim, thotë një gjyqtar që ka qenë pjesë e panelit të parë gjyqësor.

 

Më 17 prill, Komisioni Europian publikoi raportin e tij të gjatë dhe të detajuar mbi Kosovën për vitin 2018. Si ish-gjykatës ndërkombëtar me EULEX-in, nga viti 2011-2013, unë kam qenë i interesuar sidomos për analizën e sistemit gjyqësor të Kosovës të raportit.

Ndërkohë që raporti analizon tërësisht shumë aspekte të sistemit gjyqësor, siç janë korrupsioni dhe ndërhyrja politike, unë do t’i kufizoj komentet e mia asaj që raporti i referohet si “efikasitet gjyqësor”, sidomos për sa i përket çështjes “Medicus”.

Raporti citon se “sistemi gjyqësor duhet të sigurojë ndjekjen e duhur të të gjitha çështjeve të profilit të lartë, duke përfshirë edhe rastet e dorëzuara nga EULEX-i”.

Çështja “Medicus” ishte një çështje e profilit të lartë që me sa duket iu dorëzua autoriteteve gjyqësore vendase nga EULEX-i. Ky vendim ishte një gabim serioz që solli pasoja katastrofike.

Raporti gjithashtu i referohet mangësive në Kodin e Procedurës Penale që vështirësojnë seriozisht efikasitetin duke qenë tepër “formaliste” dhe tendencën e gjykatave të apelit që t’i kthejnë çështjet në Gjykatat Themelore për rigjykime gjë e cila harxhon kohë dhe burime të çmuara.

Rasti “Medicus” pasqyron gjithashtu një shembull të zymtë dhe të pafavorshëm të këtyre problemeve.

Çështja filloi në nëntor të vitit 2008, kur një i ri turk u rrëzua në aeroportin e Prishtinës dhe pretendoi se i kishin hequr veshkën në një klinikë aty pranë të quajtur “Medicus”. U lajmërua policia dhe ajo shkoi menjëherë në klinikë për të hetuar mundësinë e trafikut të paligjshëm të veshkave.

Në klinikë, ata zbuluan një izraelit të moshuar ende duke u marrë veten nga një transplant veshke i cili dukej i paligjshëm. Policia më pas kreu një kërkim të plotë të klinikës dhe sekuestroi medikamente, dokumente mjekësore voluminoze dhe prova të tjera që të shqyrtoheshin nga ekspertë të mjekësisë ligjore.

Pas një hetimi dyvjeçar ku u përfshin shumë vende të huaja, Jonathan Ratel, prokurori me eksperiencë i EULEX-it nga Kanadaja, i cili punoi pa u lodhur në këtë rast, ngriti një padi në fund të vitit 2010 kundër shtatë individëve, për trafikim organesh njerëzore, krim të organizuar dhe krime të tjera të rënda. Paditë pretenduan se dhjetëra transplante të paligjshme veshkash kishin ndodhur në klinikë gjatë vitit 2008 duke përfshirë donatorë veshkash nga vendet e varfra të cilët ishin shfrytëzuar pa mëshirë.

Ndër të pandehurit ishin një urolog i njohur që kishte në pronësi klinikën “Medicus” dhe djali i tij, që menaxhonin klinikën. Të paditur ishin edhe tre anestezistë që punonin në klinikë dhe dy zyrtarë të lartë qeveritarë.

Gjyqi filloi në Gjykatën Themelore të Prishtinës në tetor 2011 dhe u deshën 19 muaj që të përfundonte. Paneli gjyqësor prej tre gjyqtarësh përbëhej nga dy gjyqtarë të EULEX-it, nga të cilët unë isha njëri prej tyre, dhe një gjykatës i Kosovës. Kjo ishte përbërja standarde në çështje të ndjeshme.

Më shumë se 70 dëshmitarë u thirrën për të dëshmuar, ose personalisht ose me lidhje me video, disa duke vënë në rrezik të madh sigurinë e tyre personale. Shumë prej tyre ishin nga vende të tilla si Rusia, Bjellorusia, Polonia, Izraeli, Kanadaja, Turqia, SHBA dhe vende të tjera. Si për prokurorinë ashtu edhe për gjykatën, ishte tepër e vështirë realizimi i gjithë këtyre lidhjeve ndërkombëtare dhe kërkonte shumë kohë. U deshën gjithashtu negociata të gjata nëpërmjet kanaleve diplomatike që sollën me vonesa të shumta.

Kishte gjithashtu me mijëra faqe dokumentesh për të shqyrtuar, si edhe prova mjeko-ligjore që kërkonin sasi të mëdha pune analitike nga ekspertë të mjekësisë ligjore.

Trupi gjykues e dha vendimin e tij me gojë më 29 prill 2013 me marrëveshje unanime. Ishte e gjatë dhe e komplikuar për shkak të numrit të akuzave dhe numrit të të pandehurve, por për qëllime aktuale unë do të përqendrohem vetëm tek dy të pandehurit kryesorë (pronari i klinikës dhe djali i tij) dhe anestezistët kryesorë. Secili prej tyre u gjet fajtor dhe u dënua me burg.

Kjo ishte çështja e parë në të gjithë botën në të cilën mjekë dënoheshin për trafikim organesh dhe vendimi fitoi vëmendje dhe lëvdata ndërkombëtare.

Më pas, trupi gjykues nxori një gjykim prej 125 faqesh i cili shqyrtonte në mënyrë eksplicite të gjitha provat dhe shpjegoi arsyetimin e panelit gjyqësor.

Këta tre të pandehur më pas e apeluan vendimin në Gjykatën e Apelit. Më 6 nëntor 2015, trupi gjykues i tre gjyqtarëve, i cili gjithashtu përbëhej nga dy gjyqtarë të EULEX-it dhe një gjykatës i Kosovës, nxori një vendim të gjatë, të hulumtuar mirë dhe të menduar mirë ku binin dakord unanimisht për të ripohuar vendimin fajtor. Dy të pandehurit kryesor më pas u zhdukën.

Anestezisti më pas apeloi në Gjykatën e Lartë të Kosovës dhe një kolegj prej tre gjyqtarësh, i përbërë përsëri nga dy gjyqtarë të EULEX-it dhe një gjykatës i Kosovës, nxori një vendim gjithëpërfshirës, duke konfirmuar fajësinë e tij më 20 shtator 2016, gjithashtu duke rënë dakord unanimisht.

Por çështja nuk mori fund. Në Gjykatën e Lartë janë paraqitur mocione për një tjetër apel, ky për “mbrojtje të ligjshmërisë”, një mjet i jashtëzakonshëm juridik që pason përfundimin e të gjithë apeleve të tjera.

Në këtë pikë, duket se Zyra e Prokurorit Special ia dorëzoi çështjen sistemit gjyqësor vendas, pavarësisht ndjeshmërisë së saj. Paneli i Gjykatës se Lartë këtë herë përbëhej nga dy gjyqtarë të Kosovës dhe një gjyqtar i EULEX-it, ndryshe nga panelet e mëparshme.

Më 15 dhjetor 2016, ky panel nxori vendimin e tij me vota dy me një, me dy gjyqtarët e Kosovës në shumicë dhe me mospajtimin e gjyqtares së EULEX-it. Duke i tronditur të gjithë, vendimi i tyre i anuloi krejtësisht dënimet e tre të pandehurve dhe e ktheu të gjithë çështjen përsëri në Gjykatën Themelore për rigjykim.

Ky vendim u bazua në baza proceduriale hiper-teknike që nuk kishin të bënin aspak me provat voluminoze në këtë çështje, me fajësinë e të pandehurve, arsyetimin e tre panele të mëparshme apo drejtësinë themelore. Vendimi do të ishte një rast shkollor i një vendimi ultra-formalist, pa lidhje me ndonjë analizim të drejtësisë në jetën reale.

Gjyqtarja e EULEX-it “nuk ishte aspak dakord” me vendimin e shumicës. Analiza e saj e kujdesshme binte në kontrast të madh me këtë vendim tepër të parregullt.

Zyra e Prokurorit Special atëherë u përpoq ta rrëzonte vendimin, por pa sukses.

Çështja “Medicus” ishte një nga më të rëndësishmet e ndërmarra nga EULEX-i gjatë mandatit të tij dhe ky vendim i turpshëm mohoi në mënyrë të përmbledhur gjashtë vjet përpjekje prokuroriale dhe gjyqësore për të gjykuar këtë çështje shumë të komplikuar dhe të çrregullt dhe për vënë drejtësi për viktimat e shfrytëzuara.

Çështja tani po rigjykohet në Gjykatën Themelore të Prishtinës – një humbje e madhe kohe dhe burimesh në një sistem gjyqësor të mbi tatueshëm.

Por ajo që është më e rëndësishme, vendimi dëmtoi sundimin e ligjit.

Sistemi gjyqësor i Kosovës ka luftuar me këtë koncept dhe ka pasur vështirësi të konsiderueshme për të treguar se mund të ofrojë drejtësi pa paaftësi, korrupsion dhe ndikim politik.

Fatkeqësisht, vendimi i “Medicus” ngre shqetësime serioze për të ardhmen e sundimit të ligjit në Kosovë pasi EULEX-i largohet këtë verë.

 

Gjyqtari Dean B. Pineles është diplomuar në Broën University, Boston University Laë School dhe Kennedy School of Government në Universitetin e Harvardit. Përveç se në Kosovë, ai ka eksperiencë në sundimin e ligjit në Rusi, Kazakistan dhe Gjeorgji.

Opinionet e shprehura në sektorin e Komenteve janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne