Reagimet pas shkarkimit të John Bolton

Shkarkimi i Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare John Bolton nga Presidenti i SHBA Donald Trump ka shkaktuar valë tronditëse në mediat sociale dhe është pasuar me një mori reagimesh të përziera në sferën politike të Shteteve të Bashkuara.

Trump njoftoi shkarkimin e Boltonit në një postim të martën, duke thënë se ai “nuk ishte dakord me shumë prej sugjerimeve të tij”, me sa duket duke nënkuptuar politikat e Boltonit për ndryshimin e regjimit në Siri, Venezuelë, Korenë e Veriut dhe Iran. Bolton këmbënguli se ai kishte tentuar të jepte dorëheqjen përpara njoftimit të Trump.

Lajmi shkaktoi me shpejtësi një sërë reagimesh nga zyrtarët amerikanë, me disa komentues që gëzoheshin për largimin e këtij luftënxitësi, ndërsa të tjerët shprehën keqardhje. Sekretari i Shtetit Mike Pompeo u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se, “Presidenti ka të drejtë të ketë stafin që ai dëshiron”. Një tjetër zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, Sekretari i Thesarit Steven Mnuchin, kundërshtoi pretendimin se ” personeli i sigurimit kombëtar” është “një rrëmujë” për shkak se Bolton papritmas u largua nga administrata. Senatori Bernie Sanders, i cili po kërkon kandidaturën demokrate për president në vitin 2020, shkroi në Twitter se, “një simptomë e problemit është zhdukur. Shkaku kryesor i autoritarizmit mbetet. ” Senatorja amerikane Elizabeth Warren në një postim theksoi: “Populli Amerikan është më mirë me John Boltonin jashtë Shtëpisë së Bardhë. Bota do të jetë më mirë kur njeriu që e punësoi atë në radhë të parë të jetë gjithashtu jashtë”. Përfaqësuesi Demokrat i SHBA Eliot Engel, kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, në një deklaratë, tha: “Ky shkarkim i këshilltarit të sigurisë kombëtare është vetëm kujtesa e fundit që politika e jashtme e administratës Trump është në gjendje shumë të keqe. Udhëheqja amerikane është shumë e nevojshme në të gjithë botën. Në vend të kësaj, procesi ynë i vendimmarrjes për sigurinë kombëtare është në kaos dhe Amerika është më pak e sigurt. ”

Trump ndonjëherë kishte bërë shaka në lidhje me imazhin e Bolton si një njeri luftëdashës, duke thënë në një takim të Zyrës Ovale se “John kurrë nuk ka parë një luftë që nuk i pëlqen”. Bolton ka adoptuar një qasje agresive ndaj Iranit që nga emërimi i tij në postin më të lartë të sigurisë nga Presidenti Trump.

Vëzhguesit e pavarur e kanë akuzuar atë për lidhje me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu në mënyrë që të provokonte një konflikt ushtarak midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara. Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se zëvendëskëshilltari i sigurisë kombëtare Charles Kupperman do të plotësojë rolin e Boltonit./lapsi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne