Reagimi i Myftinisë Shkodër rreth vakëfit të zaptuar në Zdralej

Myftinia Shkodër, 28 gusht 2019

Reagimi i Myftinisë Shkodër rreth vakëfit të zaptuar në Zdralej

Në adresë të Myftinisë Shkodër, ditën e mërkurë, më 28 gusht 2019, ka mbërritur një kërkesë nga kryeredaktori i gazetës “Koha e Jonë”, z. Qamil Xhani, për të dhënë një reagim në lidhje me akuzat e paqena, me të cilat zaptuesit e një pjese të vakëfit në Zdralej, përbaltin Myftininë e Shkodrës.

Për këto akuza dhe trillime, po përgatitet një padi në drejtim të personave në fjalë, ndërsa më poshtë, reagimi i Myftinisë Shkodër:

Përshëndetje z. Qamil. Ju uroj mbarësi e shëndet.

Natyrshëm, nuk hyn në misionin e Myftinisë Shkodër dhe të asnjë myftinie kërcënimi me jetë i askujt, as grabitja e pronës private. Të dyja këto, jeta dhe prona (por jo vetëm), janë të shenjta për ne në Islam dhe, drejt kësaj thërrasim vazhdimisht në predikimet tona tradicionale.

Nga ana tjetër, janë mbi 100 dosje me pronat e grabitura, të tjetërsuara e të zhvatura qysh pas vitit 1967 dhe të patrajtuara me seriozitetin e duhur në AKKP.

Për këtë, si Myftinia Shkodër, ashtu edhe Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, është i angazhuar me krejt rrugët legjitime për të arritur më të mirën në drejtim të kthimit të pronave të zaptuara.

Ne nuk zaptojmë pronën e huaj, as abuzojmë me shenjtëritë e tjetrit. Ky është kufi i kuq, fetarisht dhe ligjërisht!

Por, njëkohësisht, aty ku kemi vendime gjykate për të drejtën tonë, a urdhëra ekzekutimi të parealizuara nga institucionet vendore, a të ngjashme, natyrshëm që do të ndjekim rrugët ligjore të vendit tonë për të arritur tek e drejta e jonë e shenjtë, pa toleruar asnjë përpjekje për rigrabitjen dhe rizhvatjen e pronës tonë legjitime!

Vakëfet janë të shenjta dhe kthimi i tyre në origjinë është borxh moral e shpirtëror, qytetar e kombëtar, në hak të atyre që nuk janë më dhe të atyre që do të vijnë!

Bekime e mirësi paçi!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

Shkodër, më 28 gusht 2019

P.S.

Ju sjellim në vëmendje se çështja e zaptimit të këtij vakëfi është bërë publike prej shumë vitesh nga Myftinia Shkodër, sikurse nuk do të heshtet as tolerohet asnjë rast zaptimi, sado i vogël qoftë, përtej vullneteve politike dhe përkrahjes së zullumit në vendin tonë!

http://msh.myftinia-shkoder.org/old-myftinia-shkod…/195.html

https://youtu.be/32arUreIjmQ

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne