Reagon kabineti i Kryetarit të BFI: Dekoratën e Reisit nuk e luan as topi

Dekorimi i Reisul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepit është dhënë nga Presidenti Amerikan Donald Trump, e këtë nuk e luan as topi. Çdo shkrim tendencioz për t’ia ulur vlerat e këtij dekorimi, ka qëllime shumë të errëta, që vijnë nga kuzhinat të cilat kohë më parë sulmuan BFI-në dhe deshën ta shkatërronin atë. Këlyshët anonimë, apo shërbëtorët e shërbimeve qe kanë mbetur si mbeturina të regjimit të mëparshëm në Maqedoni, edhe një herë tentuan që nëpërmjet shkrimeve anonime të dëmtojnë imazhin e Institucionit fetar islam në vend dhe Kreut të saj, duke shpifur dhe gënjyer se Dekorata e marrë nga Presidenti Trump na qenka ndonjë mashtrim. Madje shkuan deri atje saqë gënjyen edhe për Ambasadën Amerikane, kur thanë se gjoja: “Nga ana tjetër, në Ambasadën e Amerikës në Shkup mohojnë kategorikisht se një “mirënjohje” e tillë mund të jetë akt i nënshkruar nga presidenti Tramp dhe,…”
Për të qenë hutia dhe mashtrimi edhe më i madh, në fund të lajmit të tyre, përmendin edhe Shërbimin Inteligjent Amerikan, se gjasme ky shërbim nuk do të lejonte një gabim të tillë siç thonë ata.
Por gabohen rëndë nëse mendojnë se Shërbimi Inteligjent Amerikan CIA, është në nivelin e asaj agjencie të cilës i shërbejnë këta “anonimë” të njohur ndryshe si “këlyshët e naçallnikut”.
Bashkësia Fetare Islame nuk ka ndërmend të merret me këta mbeturina andaj edhe i injoron terë kohën, edhe pse gati tre vite, këta nuk reshtin së shpifuri, ofenduari, nënçmuari dhe ngacmuari institucionin fetar dhe udhëheqësinë e saj. A thua do të guxonte ta bënte dikush këtë kaq gjatë ndaj Kreut të Kishës Maqedonase. Tre vite shpifje, ofendime dhe maltretime. Pse ndodhë kjo? Këtë përgjigje e dinë shumë mirë muslimanët e vendit, por e dinë edhe arsyen se pse këta “anonimë” lejohen akoma ta turpërojnë BFI-në. Muslimanët nuk lejuan në maj të 2015 që të shkatërohet e përçahet institucioni fetar, e as në të ardhmen nuk do të lejojnë të ndodh një gjë e tillë. Kjo sjellje duhet të ndalojë menjëherë, nëse ka drejtësi për të gjithë në vend.
Për sa i përket dekorimit “Lifetime Achievement Award” (Çmimi për Arritje Jetësore) të dhënë nga Presidenti Donald Trump, njoftojmë opinionin publik, por edhe mediumet që botuan shkrimin anonim të publikuar me datë 18 Dhjetor 2017 dhe mashtruan opinionin publik, se BFI gjatë tërë kohës ka qenë komunikacion me Shtëpinë e Bardhë, Stejt Departamentin dhe Ambasadën Amerikane në Shkup.
Në konfirmimin e fundit që e kemi marrë nga Ambasada Amerikane ndër tjera thotë se: “Zyra jonë në Stejt Departament ka konfirmuar me Shtëpinë e Bardhë se “Dekorimi për Arritje Jetësore” nga Presidenti Donald Trump për Reisul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepin është aprovuar më datë 24 Gusht, 2017. Ne me kënaqësi e nënvizojmë këtë Ceremoni në kalendarin tonë për me 28 Dhjetor në Bushi Resort”.
Çdo koment më tepër për këtë çështje do të ishte i tepërt.
Agron Vojnika


NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne