“Realiteti i hidhur, dhe i dhimbshëm i Muslimanëve në Shqipëri!

Historia e besimit islam në Shqipëri, edhe në Ballkan, na ka dhënë mësim të madh ndërshekuj, se feja, kultura dhe qytetërimi Islam, asnjëherë skanë qënë penges në zhvillimin ekonomik, social, moral e shoqëror të vendit tonë.

Islami në Shqipëri gjithmonë ka shërbyer si rregullator i jetës së individit, familjes dhe shoqërisë.

Ndërsa kultura dhe qytetërimi islam në Shqipëri, ka luajtur një rolë të rëndësishëm, jo vetëm në bashkëpunimin midis muslimanëve, por edhe në rregullimin e përmirësimin e marrëdhënieve me fetë e tjera, fqinjët e banorët e tjerë të rajonit.

Mirëpo realiteti në të cilin jetojnë sot muslimanët në Shqipëri, është shumë i dhimbshëm, dhe krejtësisht ndryshe nga çka u tha më sipër!?

Ky aktualitet kërkon që të gjithë ne së bashku të rrisim ndjesinë dhe përpjekjet tona, për ndërtimin dhe formimin ideologjik e intelektual të muslimanëve shqiptarë, si në aspektin e besimit, akides, mendimit, ndërgjegjes, ashtu edhe në atë moral, kulturor dhe civilizues, më shumë se garimet dhe përpjekjet tona në ndërtimin e xhamive, apo mbledhjen dhe shpërndarjen e ndihmave!

Është për të ardhur keq, pasi muslimanët ende mendojnë se feja e tyre lidhet vetëm me kryerjen e ibadeteve dhe ritualeve fetare, si namazi, argjërimi, zekati, haxhi etj, dhe harrojnë përsosmërinë e madhështinë e fesë së tyre, e cila është gjithëpërfshirëse në të gjitha sferat e aspektet e jetës së njerëzve, si politike, arsimore, sociale, morale, ashtu edhe atë familjare dhe ekonomike!

Ndihemi keq, kur shohim muslimanin të jetojë në një jetë imagjinare, jo fortë bindës dhe as ndikues në vendin e tij, si dhe absolutisht jashtë e larg realitetit që e rrethon, bile edhe shumë indiferent ndaj tij!

Mirëpo për të ndryshuar këtë realitet, kërkohet nga ne të japim maksimumin në formimin e muslimanit, që ai të njohë vetveten e tij, amanetin dhe rolin që ka ai në edukimin e brezave të ardhshëm në Shqipëri, si dhe kërkimin e dijes për të kuptuar fenë e tij, dhe detyrën që ka ai në përhapjen e Islamit midis njerëzve, me urtësi, mençuri dhe këshilla e fjalë të mira!

Thotë Zoti i Madhëruar:”Ti (Muhammed) thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë (fjalë) të mirë dhe polemizo me ata (kundërshtarët) me atë mënyrë që është më e mirë”. [Surja Nahl: 125].

Por që të arrihet ky synim i nderuar, duhet që përveç njohjes së Islamit si fe universale, të njihemi edhe me realitetin që na rrethonë, duke i dhënë rëndësi zbatimit të prioriteteve sheriatike në vendin tonë, dhe harruar e anashkaluar përplasjet dhe mospajtimet në mesin tonë!

Është me rëndësi të madhe që muslimanët në Shqipëri të arrijnë të kuptojnë se çdo të thotë të jesh si një trup i vetëm? Dhe se feja ngrihet vetëm duke qenë të tillë, ngase kombi Islam është një komb, pa dallime ngjyre apo rrace, krahine ose kulture, dhe pikërisht kjo është ajo që e dallon kombin në Islam nga kombet e tjera!

Në Islam muslimani është vëlla i muslimanit kudo qoftë ai, gjendet apo jeton!

Thotë Allahu në Kur’anin Famëlartë:”S’ka dyshim se besimtarët janë vëllezër, pra bëni pajtim ndërmjet vëllezërve tuaj dhe kini frikë All-llahun, që të jeni të mëshiruar (nga Zoti)”. [Surja Huxhurat:10].

Prandaj, ndryshimi fillon nga kjo ndjesi e veçori, dhe kur njeriu ndërgjegjësohet arrin të kuptojë rolin e detyrën e tij drejt Islamit, dhe të njohë obligimet e tija ndaj myslimanëve!

Duhet rritur ndjesia e të qënurit musliman real, objektiv, pozitiv, aktiv e praktikant në mesin e muslimanëve!

Duhet shtuar vigjilenca e zgjuarsia e muslimanëve në lidhje me kuptimin e fesë së tyre, dhe aktualitetin me të cilin jetojnë, si dhe rrethanat që i hasin e përballen me to në Shqipëri, mëmëdheune tyre!

Është shumë e domosdoshme, që muslimani të arrij të kuptojë se ai është një faktor krejtësisht i rëndësishëm në formimin dhe zhvillimin e vendit të tij, si në aspektin ligjor, social ashtu edhe ekonomik, dhe pikërisht ai duhet te ndihet optimist, dhe duhet të japi kontributin e tij të pafund në ruajtjen e fesë, të drejtave, njëkohësisht edhe përhapjen e davetit në mesin e njerëzve, si zhvillimin, civilizimin dhe kulturën në vendit e tij, dhe të njihet mirë edhe me ligjet e reformat që prekin jetën e tij, me qëllim të mbrojë veten e fenë, dhe të njohi të drejtat e tija!

Kemi nevojë për musliman vigjilent, intelektual, të zgjuar, aktiv në kërkimin e dijes, kuptimin dhe përhapjen e fesë Islame, të cilët ruajnë akiden e tyre, kulturën dhe zakonet e tyre të bukura, por njëkohsishtë njohin edhe ligjet, kodin penal, familjar, civil, dhe kushtetutën e vendit të tyre, dhe vërtetojnë se ata janë faktori kryesor në zhvillimin ekonomik, moral, shoqëror e kulturor në vendin e mëmëdheun e tyre Shqipërinë!

Mirëpo që të arrijmë këtë objektiv madhor, kërkohet unitet, bashkim dhe bashkëpunim i sinqertë midis Institucioneve përkatëse, Hoxhallarëve dhe Intelektualëve musliman- gjë e cila mungon – për ngritjen e nivelit fetar, arsimor dhe intelektual tek muslimanët, përsa i përket kuptimit e shpjegimit të fesë Islame, si fe aktuale universale, e cila prek dhe trajtonë të gjitha sferat e jetës njerëzore.

Thoti Allahu i Lartësuar:”Ndihmohuni mes vete me të mira dhe në të mbara, dhe jo në mëkate e armiqësi”. [Surja Maide: 2].

Jam i bindur se nëse e marrim përsipër praktikisht një përgjegjësi të tillë, dhe jo të mjaftohemi vetëm me fjalë e dëshirë, dhe të përpiqemi ti nxjerrim muslimanët nga guacka e kuptimit të fesë thjeshtë si:”Fe e ngritur vetëm në kryerjen e adhurimeve dhe riteve të ndryshme fetare – ashtu siç po shohim sot – gjërat do të ndryshojnë për mirë, pasi përgjësia e parë mbi këtë bie në shpinën e Hoxhallarëve dhe intelektualëve musliman!

Gjithashtu duhet me tërheq vëmendjen nga rreziku i madh që ka kuptimi i fesë thjeshtë në prizmin e kryerjes së ritualeve fetare, pa pasur kurrfarë ndikimi në jetën e përditshme – ashtu siç është gjendja tek muslimanët Shqipëtar sot – qoftë me dije apo pa dije, me dashje apo dashje, se ky kuptim është një formë përngjasimi me sekularizmin, dhe sekularistët të cilët e pranojnë fenë vetëm në kryerjen e riteve fetare, por larg dhe jashtë ndikimit të saj në ligjet e pushtetin drejtues!

Nga ana tjetër çfar zgjedhjesh i kemi ofruar muslimanëve shqiptarë në fushën e investimeve ekonomike, të cilat janë në dobi të Islamit në Shqipëri, dhe a jemi të aftë ta marrim në dorë fatin tonë në këtë drejtim?!

Kështu që, kërkohet nga ne të gjithë, hoxhallarë dhe intelektualë, ti rikthejmë pozitën e dinjitetin që i takon muslimanëve, duke qënë drejtues e përfaqësues të denjë për ta, në të gjitha fushat, sferat e prizmat e jetës së tyre.

Në çështjet kulturore ne duhet të promovojmë diversitetin kulturor, si një përgjigje ndaj nacionalizmit të tepruar dhe rrezikut të islamofobis.

Nuk duhet të ndalemi nga përpjekjet tona për ta paraqitur Islamin si urë lidhëse dhe integruese midis kulturave në ballkan, dhe si shkak kryesor për zhvillimin kulturor dhe shkencor në trevat shqiptare.

Gjithashtu kërkohet prej nesh të japim një pasqyrim të qartë muslimanëve rreth të ardhmes së muslimaneve shqiptarë, gjithmonë në kuadër të ngjarjeve rajonale e ndërkombëtare.

Po ashtu, rëndësi të madhe ka edhe bashkëpunimi ndërfetar, si një rrugë e rëndësishme për ruajtjen dhe kërkimin e të drejtave të komuniteteve fetare në Shqipëri.

Mos harrojmë çështjet integruese dhe rëndësinë e madhe që kanë ato në marrëdhëniet dhe midis muslimanëve në ballkan, gjë e cila duhet parë me vizion të gjerë dhe pozitivisht, për ndikimin që kanë në unitetin e muslimanëve në rang kombëtar.

Vlenë të përmëndim edhe rëndësinë e madhe që ka Identiteti islam i shqiptarëve, si të ruhet në mesin tonë!

Gjithashtu duhet të afirmojmë, promovojmë vlerat e muslimanëve edhe në çështjet sociale, morale e arsimore në Shqipëri.

Kërkohet nga ne të ofrojmë eksperiencën tonë edhe në edukim, mësim-besim qoftë edhe nëpër shkolla e universitete, si një e drejtë ligjore dhe morale e muslimanëve, dhe një domosdoshmëri e kohës.

Ndërsa në çështjet ekonomike, nuk duhet reshtur në kërkimin e të drejtave ekonomike të muslimanëve shqiptarë.

Duke filluar me Vakëfet në Shqipëri, dhe roli i tyre në përmisimin e gjendjes ekonomike të muslimanëve në Shqipëri.

Gjithashtu duhet të jemi të aftë në administrimin dhe menaxhimin e Vakëfeve, dhe të gjitha potencialeve njerëzore që çojnë në zhvillimin ekonomik të muslimanëve në Shqipëri.

Po ashtu duhet preokupuar edhe në marrëdhëniet ekonomike, dhe fushave të bashkëpunimit midis feve në Shqipëri, brenda kufijve që na i lejonë feja jonë.

Këto tematika e të tjera të ngjashme me to, meritojnë një vëmendje të madhe nga ana jonë.

Duhen shtuar patjetër kontributet e muslimanëve në këto fusha, si faktor kryesor në zhvillimin e kulturës shqiptare, edhe pse mund të hasim pengesa të shumta!

Po ashtu kërkohet nga Institucionet përkatëse që përfaqësojnë muslimanët në Shqipëri, dhe që kanë në dorë fatin e tyre, të vazhdojnë të japin kontribute të çmuara në një sërë fushash sociale, kulturore, edukative etj.

Së fundi lutja dhe dëshira ime e madhe, do të ishte që të arrihet një unitet serioz midis institucioneve, dhe në mesin hoxhallarëve e intelektualëve Shqiptarë, të jemi të pavarur në marrjen e vendimeve që kanë lidhje me të ardhmen dhe fenë tonë të shtrenjtë, me qëllim mos me i lënë akoma muslimanët si jetima, dhe të pambrojtur!!

Dr. Klodjan Zaimaj
Doktoratur në filozofi dhe shkencat Islame.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne