Rebelët janë njerëzit e vetëm që kanë përfituar nga sulmi me armë kimike në Idlib

Qeveria siriane është fajësuar shpejt nga Perëndimi, pasi rajoni i Idlibit u përball me një sulm kimik që thuhet se vrau dhjetëra civilë. Megjithatë, një analist britanik i sigurisë tha për RT se rebelët ishin forca e vetme që ka përfituar nga incidenti.

“Njerëzit të cilët kanë përfituar nga ky lloj sulmi janë vetë rebelët, sepse ata kanë fituar një avantazh të madh politik në një kohë që ata janë duke luftuar në mënyrë strategjike dhe gjeopolitike”, tha Charles Shoebridge, një analist britanik i sigurisë dhe një ekspert kundër terrorizmit.

Eksperti vazhdoi duke thënë se forcat siriane qeveritare në fakt nuk kishin asnjë motivim për të kryer një sulm të tillë, pasi ato ishin tashmë duke arritur fitore të mëdha mbi grupet e armatosura opozitare dhe mbi terroristët në të gjithë Sirinë.

Ai theksoi se ky sulm do të provokojë vetëm “dënimin e komunitetit botëror,” dhe do të jetë absolutisht i paefektshëm nga pikëpamja ushtarake. Ai gjithashtu tërhoqi vëmendjen për kohën e dyshimtë të sulmit, që ndodhi vetëm disa ditë përpara një konference të madhe për Sirinë në Bruksel.

Shoebridge tha se ka një historik të incidenteve të ngjashme që ndodhin në Siri, në prag të disa ngjarjeve të mëdha ndërkombëtare.

“Ka një model të këtyre incidenteve që ndodh në momente kritike nga një perspektivë gjeopolitike,” tha ai, duke shtuar se një sulm masiv kimik në qytetin sirian të Gutës në vitin 2013 ndodhi kur “inspektorët e OKB-së arritën në Damask,” ndërsa një tjetër sulm kimik në shtator 2016 u zhvillua në prag të një “konference të madhe në Londër, ku opozita siriane u takua me donatorët e saj të jashtëm.”

Ammar Waqqaf, një ekspert i Lindjes së Mesme, beson gjithashtu se “sa herë që ekziston një lloj konference ndërkombëtare mbi Sirinë ne papritmas kemi këto sulme kimike.” Waqqaf tha se nuk ka prova të forta që vërtetojnë se ushtria siriane ishte pas sulmit më të fundit në Khan Sheikhoun.

“Kjo nuk është hera e parë kur në terren përdoren kimikate në mënyrë që të thuhet se ushtria siriane e bëri atë, por nuk kishte asnjë provë që ushtria siriane me të vërtetë ta kishte bërë atë,” tha ai, duke shtuar se “pretendimi se Ushtria siriane e ka bërë atë patjetër që ka nevojë për prova.”

Waqqaf gjithashtu dyshon që ushtria siriane të ketë pasur një motiv për kryerjen e një sulmi të tillë: “Pse duhet të shënjestrojë ushtria siriane vetëm civilë me këto armë kimike, pse nuk shënjestron gjithashtu edhe gjithë atë mori me xhihadistë … në pikat e kontrollit militant? Nëse ushtria siriane nuk është duke përdorur armë kimike edhe kundër avancimit të forcave militante apo terroriste si ISIS, pse do t’i përdorë ato kundër civilëve në një pikë të caktuar kohore?”

Ai shtoi se vetë militantët kanë kryer në mënyrë të përsëritur sulme kimike dhe janë mjaft të aftë për të prodhuar apo blerë agjentë kimikë.

“Ne kemi parë videot në YouTube nga xhihadistë që bënin eksperimente mbi lepujt duke përdorur kimikate turke. Ne gjithashtu kemi parë videot e reve të gazit të klorit në zonën Sheikh Masud në Alepo pasi u bombardua nga Jaish al-Islam. Jaish al-Islam tha atëherë se ai ishte një gabim dhe u zotua se personat brenda rradhëve të tij që e bënë atë do të dënohen, duke shtuar se të tilla armë janë projektuar për t’u përdorur në luftime serioze. Më vonë, ata e mohuan krejtësisht përfshirjen e tyre.”

Waqqaf gjithashtu tërhoqi vëmendjen për faktin se “nga të gjitha sulmet [kimike] që po zhvillohen, vetëm ato që u atribuohen lehtësisht ushtrisë siriane janë hetuar, ndërsa të tjerat jo.”

Ministria ruse e Mbrojtjes tha të martën në mbrëmje se avionët sirianë kanë shkatërruar një depo municionesh rebele pranë Khan Sheikhounit. Zëdhënësi i ministrisë, Gjenerali Igor Konashenkov tha se ata kishin verifikuar informacionet që municionet e prodhuara dhe të ruajtura në magazinë përmbanin mbushje kimike dhe ishin duke u dërguar në Irak, ku përdoren në mënyrë të përsëritur nga militantët. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne