Ka nisur procesi i votimit të qytetarëve të Turqisë të cilët jetojnë në Shqipëri, në kuadër të referendumit për ndryshimet kushtetuese në vendin e tyre, i cili mbahet më 16 prill.
Votimi nisi në orën 09:00 sipas orës lokale, ndërsa i pari që ushtroi të drejtën për të votuar në ambientet e Ambasadës së Turqisë në Tiranë ishte Ambasadori Hidayet Bayraktar.
Ndërkohë në një prononcim për AA, Ambasadori Bayraktar tha se qytetarët e Turqisë që jetojnë në Shqipëri do të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar. Ai shtoi se krahas tyre për të votuar vijnë edhe qytetarë të cilët jetojnë në Malin e Zi për shkak se atje nuk janë hapur kuti votimi.
Duke vënë në dukje se pret një pjesëmarrje të lartë edhe në këto votime ashtu si në 3 votimet e shkuara, Bayraktar në vijim shtoi: “Pjesëmarrja në votime të qytetarëve tanë është një pikë e rëndësishme. Kjo është një e drejtë demokratike. Mendoj që kjo gjë është e rëndësishme për zhvillimin e demokracisë”./ AA