Reflektime nga Abdylhamiti II në të sotmen

Prof. dr. Kudret BÜLBÜL*

Sulltan Abdylhamiti II vdiq në 10 shkurt 1918. Kjo është java e 101-vjetorit të vdekjes së tij. Historia në thelb nuk është e kaluar. Ajo është referuesja më thelbësore që hedh dritë (ndriçon) tek e ardhmja. Për këtë arsye historia nuk duhet të shihet si një çështje lëvdate ose satire, por duhet parë nga aspekti i mësimit që mund të japë për të ardhmen. Ashtu siç shprehet edhe Mehmet Akifi; “Historia përsëritet”…

A do të ishte përsëritur historia po të ishte nxjerrë mësim? E parë nga ky aspekt, Sulltan Abdylhamiti dhe periudha e tij mbase është periudha më e rëndësishme e historisë së afërt, që do të kontribuojë në mënyrë që ne të kuptojmë të sotmen.

Padyshim që përpjekjet për zhvillim, shkollat dhe rrugët e ndërtuara, marrëdhëniet e krijuara me hapësirën e largët gjeografike, politika e ekuilibruar globale e asaj periudhe janë disa prej temave mbi të cilat mund të qëndrojmë. Pasi nënvizova disa tema, duke u nisur nga problemet, me të cilat u ballafaquam në atë periudhë, faktikisht kërkoj të ndalem mbi temat që pasqyrohen në ditët tona.

Qëllimi kryesor i Sulltan Abdylhamitit mund të shihet si përpjekja për të mbajtur në këmbë një perandori të tërë që ishte duke rënë, me një politikë të ekuilibruar ndërmjet fuqive imperialiste të asaj periudhe. Të gjithë jetën ai e kaloi duke luftuar me aktorët e huaj dhe aktorët e brendshëm që ishin bashkëpunëtorë me ata aktorë, në mënyrë që të mbante në këmbë Perandorinë Osmane, që shihej si “njeriu i sëmurë”. Për këtë arsye ai është përballur me shumë akuza që nuk i meritonte. Dihet se Komiteti (i parë xhonturk) Bashkim e Përparim, i cili e akuzonte Sulltan Abdylhamitin për tirani, kur erdhi në pushtet, ndoqi praktika shtypëse shumë më të rënda. Gjithashtu duhet specifikuar se në këtë periudhë hebrenjtë sionistë, me mbështetjen e Anglisë punonin për të krijuar një shtet izraelit në tokat osmane.

Qatip Çelebija, ashtu si Ibn-i Haldun (Ebu Zeyd Abdurrahman bin Muhammed bin Haldun el Hadrami), i krahasonte shtetet me strukturën e njeriut. Ashtu si fëmijët edhe shtetet do të kalonin periudhën e fëmijërisë, rinisë dhe plakjes. Sipas Çelebisë Perandoria Osmane kishte lënë pas prej kohësh fëmijërinë, rininë, pjekurinë dhe kishte ardhur në periudhën e plakjes. Por ashtu si zgjatja e jetës së pacientit me përpjekjen e mjekëve, edhe shtetet mund të shtyjnë fundin e tyre të paevitueshëm me anë të udhëheqësve të ditur dhe me eksperiencë. Për këtë arsye, sipas Çelebisë, udhëheqja e Perandorisë Osmane duhej t’i dorëzohej një personi mendjemprehtë. Sulltan Abdylhamitin mund ta shohim si një person mendjemprehtë ashtu siç nënvizonte Çelebija. Por tashmë shpirti i kohës ndryshon. Epoka e perandorive po merr fund. Nga skena e historisë në fillim të shekullit të 20-të nuk u tërhoq vetëm Perandoria Osmane. Edhe Perandoria Ruse dhe ajo Austro-Hungareze, u tërhoqën nga skena e historisë së bashku me Luftën I Botërore. Kurse Perandoria Angleze, që shihej si aktorja më e fuqishme e saj periudhe, mund të themi se e mbushi epokën me fundin e Luftës së II Botërore.

Pasqyrimet në ditët tona    

Nga aspekti i ditëve të sotme, mbase ajo që duhet thënë në fillim, janë marrëdhëniet që Sulltan Abdylhamiti krijoi në nivel global në atë periudhë dhe interesi që tregoi ai për botën myslimane.

Për këtë arsye në shumë vende të botës, që nga Japonia në Kinë, nga Afrika në Lindjen e Mesme dhe në Evropë, mund të gjeni marrëdhënie dhe vepra të lëna nga Abdylhamiti. Ndër padishahët osmanë, Abdylhamiti, pavarësisht të gjitha pamundësive të shtetit, është ai që ka lënë më shumë vepra në hapësirën më të gjerë gjeografike.

Duke qenë se Abdylhamiti nuk është sulltani i periudhës në rritje të Perandorisë (Osmane) dhe duke qenë se përpiqej për mbrojtjen dhe shpëtimin e shtetit, në ditët tona nga ai dhe periudha e atij pasqyrohen më shumë këto përpjekje dhe rezultatet e tyre.

Zbritja e Abdylhamitit nga froni me një grushtshteti, nga aspekti i pasojave, mund të shihet si maja e traditës së grushtshteteve ndër ato që ishin bërë deri më atë periudhë dhe atyre që e arritën me sukses.  Me traditën puçiste të unionistëve (Komiteti Bashkim e Përparim), të cilët ishin arkitektët e brendshëm, përpjekja për ngulitjen e traditës së demokracisë që vazhdoi me Menderesin, Ozallin dhe Erdoganin, ka vijuar përgjatë gjithë historisë së Republikës.

Hapat e hedhura për demokratizim dhe civilizim në periudhën e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim kanë dobësuar dukshëm traditën e pasuesshmërisë dhe puçizmit në Turqi. Me kalimin në sistemin presidencial, ndoshta tradita e puçeve në Turqi ka rënë në pikën e saj më të dobët gjatë të gjithë historisë.

Ato që u bënë për të zbritur Abdylhamitin nga froni, veçanërisht veprimtaritë përsëri të unionistëve, lanë pas trashëgiminë e një praktike, ku populli nuk kupton se çfarë ndodh, ku elementë të brendshëm si mendimtarë, media, burokracia e ushtria mund të bashkëpunojnë ngushtë me elementët e jashtëm dhe si pasojë e këtij bashkëpunimi mund të ndodhin procese të rënda kundër popullit dhe shtetit. Proceset me të cilat u përballën Menderesi, Ozalli, Erbakani dhe Erdoani, janë vazhdimi i proceseve që në të shkuarën kishin pasur sukses.

Sulltan Abdylhamiti, në opinionin publik të brendshëm dhe të jashtëm, u tregua si burimi i të gjitha të këqijave, si një figurë në një farë mënyre e shejtanizuar dhe ishte krijuar perceptimi se nëse rrëzohej kjo figurë të gjitha problemet do të merrnin fund. Dihet se me shprehjet e urrejtjes, perceptimet për të treguar një njeri si burimi i të gjitha problemeve, u munduan të krijohen edhe në periudhat e Menderesit, Ozallit dhe Erdoanit.

Pendimet, paturpësia… 

Disa intelektualë që dëshmuan zhvillimet pas zbritjes së Abdylhamitit nga froni ishin penduar. Një prej tyre është poezia e poetit Riza Tevfik, “Kërkesë për ndihmë nga shpirti i Sulltan Abdylhamitit”.

Këtu do të përmend vetëm një strofë të poezisë, ku poeti Riza Tevfik e shpreh hapur pendimin e tij:

“Kur historitë të përmendin emrin tënd

Do të japin të drejtë o i madhi Sulltan

Ne ishim ata që shpifëm pa pasur turp

Ndaj padishahut më politik të shekullit”.

Por është e vështirë të themi se ky pendim ishte një tendencë e përhapur ndaj intelektualëve dhe burokratëve osmanë opozitarë të Abdylhamitit. Ashtu siç shprehet edhe Kemal Tahiri, këta intelektualë dhe burokratë përpiqeshin të shpëtonin Shtetin Osman në procesin e perëndimizimit. Pavarësisht se ata e shihnin rrezikun që i kanosej shtetit, nuk u kthyen nga kjo rrugë dhe i akuzuan kundërshtarët me obskurantizëm. Kemal Tahiri ka thënë: “Në një kuptim ata u rrokullisën në këtë mënyrë deri në tradhti. E parë nga ky aspekt, intelektualët osmanë properëndimorë, burokratët përparimtarë e pritën rënien e vitit 1918 si rezultat i një lloj fati. Madje mund të thuhet se menduan se kishin të drejtë”.

Por ato që ka thënë Kemal Tahiri për intelektualët dhe burokratët osmanë a nuk janë të vlefshme edhe për intelektualët dhe burokratët e Republikës (Turqisë së sotme)? A kanë ndjerë ata pendim nga procesi që rezultoi me ekzekutimin e dëshmorit të ndjerë, ish-kryeministrit Adnan Menderes, nga vrasja, sipas mendimit tim, të ish-presidentit Turgut Ozall, nga problemet me të cilat është përballur Turqia pas këtyre? Edhe intelektualët e tillë të të sotmes, që nuk kanë asnjë agjendë tjetër veçse të përsërisin si papagaj propagandat e qarqeve të caktuara perëndimore ndaj Erdoanit, nëse nesër, mos e thëntë Zoti, ndal përparimi i Turqisë, a do të turpërohen për ato që kanë bërë? Apo në mënyrë që të mos përballen me ato që kanë bërë, do të mundohen ta tregojnë veten sikur kanë pasur të drejtë?

*Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne