Reforma në drejtësi në prag të “katastrofës”, e kupton edhe Hahn

I ardhur në Tiranë për të ashtuquajturin procesin screening (përshtatja me legjislacionin e BE) që i paraprin hapjes së negociatave, komisioneri i Zgjerimit, Johanes Hahn u kthye në zëdhënësin e qeverisë, duke i kërkuar opozitës të japë konsensusin për amendimin e ligjit “Për statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve”.

Hahn u ndal veçantërisht tek reforma në drejtësi dhe situata e krijuar me Shkollën e Magjistraturës, ku për shkak të mosngritjes së Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Gjyqësorit nuk emërohen dot magjistratët e rinj që do të zëvendësojnë gjyqtarët e larguar nga vettingu.

Jo pak i habitur me faktin se për çdo ndryshim të ligjit duhet shumicë e cilësuar, Hahn kërkoi që opozita të japë konsensusin për dy amendimet që Partia Socialiste kërkon t’i bëjë ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Është detyrë e qeverisë dhe e opozitës që të zbatojnë shpejt reformën në drejtësi. Është ironike që si rezultat i vetingut të hasni një situatë që mos të kemi gjyqtarë. Kjo do ishte katastrofë”.

Ndryshimet në dy nenet që kërkohen nga dy deputetët e mazhorancës është fakti që në mungesë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe në mungesë të Këshillit të Lartë Gjyqësor emërimet e studentëve magjistratë, studentë këta që duhet të ishin emëruar që në vitin 2016, sipas parashikimit të ligjit të bëhen nga KLD-ja aktuale.

Ky amendim është kundërshtuar fort nga PD dhe LSI që argumentojnë se ,projektligji i jep mundësi Prokurores së Përgjithshme e Përkohshme  që është zgjedhur pa konsensus, të emërojë studentë magjistratë dhe do tu kërkojë votën nesër në mbledhjen e përgjithshme të prokurorëve, që ka të bëjë me zgjedhjen e anëtarëve të KLP-së.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne