Bota

Refugjatët afganë protestë në Austri

Refugjatët afganë në Austri do të qëndrojnë deri në mëngjes përballë Kishës Votiv në Vjenë për të protestuar kundër rikthimit të tyre në Afganistan.

Përballë kishës historike Votiv në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë, afro 100 refugjatë afganë dje filluan protestë për ndalimin e ekstradimit të tyre në Afganistan.

Protestuesit të cilët mbanin pankarta me mbishkrime “Afganistani nuk është i sigurtë”, “Ndalo ekstradimin” deri në natën e së hënës do të qëndrojnë përballë kësaj kishe.

Zëdhënësi i refugjatëve afganë, Rahim Myxhahid, në një deklaratë për gazetarin e AA-së thotë se kjo protestë ka filluar për ta mundësuar që zëri i tyre të dëgjohet së pari duke filluar nga zyrtarët e vendit e pastaj edhe nga e gjithë Evropa.

“Asnjë qytet në Afganistan nuk është i sigurt”

Myxhahid thotë se kanë marrë leje nga zyrtarët për ta vazhduar protestën duke qëndruar ulur deri në mbrëmjen e së hënës, por shtoi se protesta mund të vazhdojë edhe më tej në bazë të zhvillimeve.

Duke vënë në dukje që ata synojnë që të parandalojnë ekstradimin e refugjatëve afganë, Myxhahid thekson se “Asnjë qytet në Afganistan për momentin nuk është i sigurt. Vetëm dje kishte një sulm me bombë në një xhami. Për momentin as Kabuli dhe as ndonjë vend tjetër nuk është i sigurt për të jetuar”.

“Po dërgohemi te vdekja”

Myxhahid thotë se Afganistani në shumë aspekte nuk ka dallime me Sirinë dhe Irakun dhe shton se “Rikthimi i personave të strehuar në Evropë nëpërmjet rrugëve të ndryshme duke e vënë në rrezik jetën e tyre, ka kuptim të njëjtë si dërgimin e tyre në vdekje. Sepse njerëzit e rikthyer nga këtu do të lëvizin së bashku ose me talebanët ose me ushtrinë afgane, dhe kjo nënkupton që në fund të të dy rrugëve ndodhet vdekja.”

Myxhahid thotë se atyre në çdo rast po u tregohet se Afganistani është një vend i sigurtë dhe i jetueshëm, por sipas tij “Po qe se Afganistani do të ishte një vend i sigurt pse familja e presidentit Eshref Gani Ahmedzai dhe të ndihmësit të tij po jetojnë në Amerikë. Nëse një vend nuk është i sigurt për presidentin si mund të jetë i sigurt për njerëz të thjeshtë si ne?”.

Duke folur për deklaratat e zyrtarëve austriakë se refugjatët afganë nuk duan t’iu përshtaten këtij vendi, ai thotë se “Edhe unë erdha në këtë vend si një refugjat, zyrtarët austriakë dëshirojnë që ne t’iu përshtatemi këtij vendi. Por për këtë nuk ka ndonjë përpjekje konkrete. Nuk ka kurse apo qendra edukimi të mjaftueshme. Së bashku me këtë, ajo çka është më e rëndësishme është se, e ardhmja e refugjatëve që ndodhen këtu është e pasigurt. Ata çdo ditë jetojnë me frikën se do të ridërgohen. Dy muaj do të shkojnë në kursin e gjuhës gjermane, të nesërmen bëhet fjalë për ridërgimin në shtetin ku janë dërguar ose dërgimi në një shtet tjetër. Për këtë arsye duhet të sigurohet qartësi për gjendjen e refugjatëve afganë. Si mund të ketë përshtatje pa jetë”.

Duke bërë të ditur se edhe në Gjermani, Suedi dhe Itali po organizohen protesta të ngjashme, Myxhahid thotë se “Ne si të gjithë të tjerët jemi njerëz normalë të cilët marrin frymë, nuk duam që të trajtohemi më ndryshe. Ne do t’i vazhdojmë përpjekjet tona për një zgjidhje të drejtë”./ AA

OPINIONE

INTERVISTA