“Refuzojmë planet dhe politikat cioniste të Izraelit”

Kryetari i Byrosë Politike të Hamasit, Ismail Hanije, u ka bërë thirrje grupeve palestineze dhe islame të mblidhen në Egjipt ose Liban për ndërtimin e një strategjie kundër praktikave të Izraelit kundër Xhamisë Al Aksa.

Në hutben që lexoi në Xhaminë e Omerit në qytetin e Gazës, Hanije tha se takimi në fjalë synon “të ndërtojë një politikë dhe strategji kundër planeve cioniste që kanë për qëllim të okupojnë Xhaminë Al Aksa”.

Duke u bërë thirrje shteteve arabe dhe muslimane të zbatojnë detyrimet dhe përgjegjësitë e tyre ndaj Xhamisë Aksa dhe qytetit të Jerusalemit, Hanije tha: “Përpjekja e mbrojtësve të Xhamisë Aksa para objektit synon të thyejë synimet e Izraelit për ndarjen e Al Aksa-së”.

Hanije shtoi se Hamasi nuk do të lejojë që Izraeli të zbatojë planet rreth Xhamisë Al Aksa.

“Refuzojmë planet dhe politikat cioniste dhe të gjitha praktikat e Izraelit në Xhaminë Al Aksa. Popullata ka vërshuar rrugët për të thënë se të gjitha këto plane do të dështojnë. Nuk do të mund t’i zbatoni planet tuaja”, theksoi Hanije.

Ndryshe, më 14 korrik, ditën e premte, policia izraelite vrau tre palestinezë në kompleksin Al Aksa duke pretenduar se kanë sulmuar me armë, ndërsa deklaroi se gjatë incidentit janë plagosur dy policë izraelitë, të cilët kanë vdekur në spital.

Pas incidentit, forcat izraelite mbyllën portat e kompleksit Al Aksa. Të dielën, ata hapën dy porta të saj, duke vendosur detektorë elektronikë të sigurisë.

Palestinezët e kanë kundërshtuar këtë praktikë, duke protestuar dhe falur namazin para hyrjes së kompleksit Al Aksa.

Të martën që kaloi, forcat izraelite ndërhynë ndaj besimtarëve që falën namazin e jacisë afër hyrjes së Al Aksa-së, duke plagosur imamin e xhamisë Ekrima Sabri.

Në ndërkohë, hebrenj fanatikë të shoqëruar nga forcat policore kohë pas kohe kryejnë bastisje në Al Aksa.

Përmes detektorëve të metalit, Izraeli synon të sigurojë dominim në kompleksin Aksa, i cili është nën administrimin e Vakëfit të Al Aksasë.

Edhe popullata palestineze është e mendimit se përmes detektorëve elektronikë nuk synohen masa të sigurisë, por të sigurohet kontrolli i Al Aksasë.

Ata thonë se nëse kjo praktikë e Izraelit pranohet njëanshëm pa këshillim me Vakëfin e Al Aksasë, e cila ka të drejtën zyrtare për menaxhimin e Al Aksasë, atëherë do të pasojnë edhe hapa të tjerë nga Izraeli. Ata shqetësohen se në këtë mënyrë Al Aksa do të ndahet dhe do t’u delegohet hebrenjve apo do t’u merret në tërësi./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne