Regjimi koreanoverior ndalon argëtimin dhe organizimet me muzikë e pije alkoolike

Lideri koreanoverior, Kim Jong-Un, lëshoi të martën në mëngjes një urdhër ekzekutiv për ndalimin e të gjitha organizimeve me muzikë dhe pije alkoolike në vend.

Burimet zyrtare të Phenianit theksojnë se kufizimi në fjalë synon të reduktojë efektin e sanksioneve të reja ekonomike ndaj Koresë së Veriut.

Sanksione ekonomike shtesë u miratuan pak ditë më parë kundër Phenianit, pasi ky i fundit këmbëngul të vazhdojë testimin e raketave balistike dhe zhvillimin e armëve bërthamore pavarësisht kundërshtimeve të fuqishme të bashkësisë ndërkombëtare.

“Administrata e Phenianit ndaloi aktivitetet me pije alkoolike, muzikë apo çfarëdolloj argëtimi dhe shtoi kontrollin mbi çdo gjë jashtë dijenisë së saj”, thuhet në një komunikatë me shkrim të Shërbimit Informativ Kombëtar të Koresë së Jugut (NIS).

Populli koreanoverior përpiqet të vazhdojë jetesën nën regjimin represiv aktual të Phenianit.

Në këtë vend, ku lëvizjet jashtë shtetit janë maksimalisht të kufizuara, përgjohen thuajse të gjitha bisedat dhe posedimi apo përdorimi i çfarëdolloj mjeti të komunikimit masiv pa dijeninë e shtetit përbën krim, që ndëshkohet rëndë.

Rreth 5 muaj më parë, regjimi anuloi gjithashtu Festivalin e Birës në Phenian me pretekstin e thatësirës, që ka prekur vendin.

Sipas inteligjencës koreanojugore, zyrtarë dhe ushtarakë të lartë të regjimit në Korenë e Veriut janë ndëshkuar gjatë një inspektimi, që vazhdon në Byronë Politike të Ushtrisë, për të tërhequr vëmendjen mbi domosdoshmërinë e besnikërisë kundrejt vijës së partisë.

I njëjti burim thekson se personat e ndëshkuar janë shefi i Byrosë Politike të Ushtrisë, Nënmareshali Hwang Pyong So, si dhe ndihmësi i tij, Gjenerali Kim Won Hong, por pa dhënë detaje rreth llojit të masës së dënimit.

Autoritete të NIS-it bëjnë me dije gjithashtu se në Korenë e Veriut, me pretekstin e “Zhvillimit të Programit Hapësinor”, ka sinjale për testime të reja të raketave.

“Shërbimi Informativ Kombëtar po monitoron nga afër zhvillimet, sepse jemi të shqetësuar nga mundësia e provave të reja të raketave balistike brenda këtij viti nga Koreja e Veriut nën ‘programin satelitor’, gjë kjo që mund të cenojë paqen hapësinore”, nënvizohet mes të tjerash në komunikatën e NIS-it./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne