Regjistrimi i maturantëve, datat sipas rretheve

Të gjithë maturantët dhe ata kandidatë që duan të regjistrohen në Institucionet e Arsimit të Lartë do të mund të aplikojnë online nga datat 20 deri më 29 korrik 2017. Si nxënësit që kanë mbaruar këtë vit shkollën, edhe ata që kanë mbaruar në vitet e mëparshme, do të mund të kontrollojnë të gjitha notat dhe të dhënat e shkollimit të të gjitha viteve të arsimit të mesëm në Portalin e Maturantit para datës 30 qershor 2017. Deri më datë 18 korrik, QSHA do të ketë kryer edhe llogaritjen e notës mesatare, sipas vendimit të qeverisë. Kjo notë do t’u përcillet shkollave të mesme. Ata nxënës që përmbushin kriteret e notës mesatare, ato të IAL ku aplikojnë, si edhe janë të pajisur me dokumentacionin ligjor dhe nuk rezultojnë të regjistruar në një program tjetër studimi, do të duhet të bëjnë pagesën prej 2 mijë lekësh për tarifën e aplikimit pranë zyrave të Postës Shqiptare, apo në bankat e nivelit të dytë.

Për këtë nevojitet fatura për arkëtim, e cila gjendet në portalin e QSHA. Ndërsa ata që aplikojnë në programet profesionale të studimeve dyvjeçare nuk kanë si kriter notën mesatare. Pasi dorëzimit të mandatit të pagesës pranë sekretarive të shkollave, këto të fundit hedhin notën mesatare në Portalin e Maturës. Aplikimi në datat 20-29 korrik mund të bëhet në çdo mjedis me internet, ndërsa datat e caktuara për aplikimin janë si më poshtë: Identifikimi në portal bëhet me kartën e identitetit, një email dhe të dhënat personale. Kandidatët do të mund të zgjedhin deri në 10 programe studimi. Ata që zgjedhin programe studimi që kërkojnë konkurs, si degët e Akademisë së Arteve, do të zhvillojnë konkurset dhe testimet midis datave 11-22 Gusht, sipas njoftimit të bërë nga institucionet arsimore më 9 Gusht. Brenda datës 28 Gusht, institucionet e arsimit të lartë do të afishojnë listat e renditjes së aplikantëve.

Këto lista do të jenë të aksesueshme edhe në portalin u-albania. Nga data 29 gusht, fituesit kanë një afat prej 48-orësh për t’u regjistruar në sekretarinë e institucionit ku dëshiron të studiojë. Pas këtij afati ai humbet të drejtën e regjistrimit në ato programe studimi ku ishte shpallur fitues në atë fazë. Deri më 11 shtator do të jenë 7 faza të tilla 48-orëshe. Gjatë këtyre fazave, do të plotësohen kuotat që lirohen pas regjistrimit të çdo kandidati që rezulton fitues në më shumë se një program studimi. Vetëm nxënësit dhe studentët e shkëlqyer kanë të drejtën të regjistrohen në më shumë se një program studimi. Për t’u regjistruar duhet një dokument identifikimi i shoqëruar me fotokopje; si edhe fotokopja e noterizuar e diplomës së Maturës, ose dëftesës së pjekurisë, së bashku me certifikatën e notave. Brenda 13 Shtatorit IAL do të deklarojnë edhe regjistrimet përfundimtare. Ndërkohë, periudha e aplikimit për raundin e dytë është 15-22 shtator 2017.

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne