Shqiperia

Rekomandimi, 5 komunitetet fetare katër ‘kërkesa’ qeverisë dhe thirrje BE-së

Pesë komunitetet fetare në vend kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët me rastin e rekomandimit për hapjen e negociatave me BE, duke përgëzuar popullin shqiptar, ndërsa i bëhet një apel qeverisë.

“Me këtë rast ne i bëjmë një thirrje me ngulm dhe vendosmëri ndërgjegjes së të gjithëve, politikës në përgjithësi e qeverisjes në veçanti, që të vazhdohet puna me përkushtim nga ana e të gjithëve për përmbushjen e standardeve që duhen për të qenë pjesë e Evropës. Në mënyrë të veçantë duam të theksojmë përpjekjet për reformën në drejtësi, për të cilën kemi pasur rast të flasim edhe në deklarata tona të mëparshme. Po ashtu lufta ndaj korrupsionit dhe ndaj varfërisë së shqiptarëve. Nuk duhen mbyllur sytë ndaj shtresave në nevojë, ndaj punësimit të të rinjve dhe subvencionit të familjeve në vështirësi, nëpërmjet skemave të drejta të asistencës sociale“, thuhet në deklaratë.

Komunitetet fetare shprehin shqetësim për largimin e të rinjve nga vendit, duke theksuar se quhet të jepet shpresë për të ardhmen në Shqipëri.

“Duhet të bëjmë detyrat mirë që më pas kryelartë të kërkojmë mbështetje nga të gjitha vendet e Evropës”, theksojnë ata.

Në fund, ata u bëjnë thirrje shteteve anëtare të BE-së të mbështesin fuqishëm Shqipërinë në këtë proces. “Ne ju bëjmë thirrje përzemërsisht, por me vendosmëri, që të mbështesni hapjen e negociatave dhe sa më shpejt edhe anëtarësimin në BE të vendit tonë”, thuhet gjithashtu.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

Kisha Katolike

Kryegjyshata botërore e bektashinjëve

Vëllazëria Ungjillore

OPINIONE