Rajoni

Rekordmenja muslimane e ‘Guinness’ rrëfen si arriti te suksesi i përmasave botërore

Kosovarja që hyri në Librin e rekordeeve “Guinness”, Arbnora Fejza Idrizi ka rrëfyer në emisionin “Histori Suksesi” në RTV Dukagjini rrugëtimin e saj drejt suksesit botëror.

Arbnora Fejza Idrizi nga komuna e Skënderajt, ka shënuar një rekord të ri në Librin e rekordeve botërore “Guinness”, me lulen më të madhe në botë të punuar nga letra origami.

Lulja origami që e vendosi emrin e Arbnorës në librin e famshëm botëror ka një madhësi prej 8.7 metrash. E lajmi është bërë publik edhe në faqen zyrtare të Librit të Guinness-it.

Arbnora është e martuar dhe ka tre fëmijë. Ka mbaruar fakultetin e Edukimit dhe për dhjetë vite ka punuar në arsim.

Ajo thotë se që nga fëmijëria ka pasur ambicie dhe dëshira që tani ka rezultuar edhe me këtë rekord në Guiness.

Puna me origami ka filluar gjatë studimeve të fakultetit ku edhe e kanë pasur një lëndë që kanë bërë punë dore.

Rekordmenia tregon se aplikimi për Guinness ka pasur sfidat e veta. Ajo thotë se zyrtarët e Guinness kërkonin informata edhe për personalitetin e saj, pasi siç tregon ajo, kishte rëndësi edhe kush do të paraqiste këtë sukses.

Arbnora ka thënë se deri te ky sukses ka pasur shpenzime të shumta, por të gjitha këto shpenzime i ka mbuluar Komuna e Skenderajt.

Gruaja nga Drenica tregon se përpos certifikatës që pranon nga “Guinness” nuk ka ndonjë kompensim financiar, dhe shpenzimet në vendet demokratike i bartë shteti, madje sipas saj edhe i shpërblen rekordmenët.

“Unë ende nuk kam marrë ndonjë shpërblim nga shteti i Kosovës…Në të ardhmen nuk e përjashtoj mundësinë të shkoj në ndonjë shtet tjetër nëse nuk kam mbështetje nga Kosova”, ka treguar Fejza – Idrizi.

OPINIONE