Rënia e ISIS në Mosul, fitore e madhe e irakianëve

Kryeministri irakian Heidar Ebadi ka njoftuar fundin e ISIS pas rimarrjes së xhamisë historike Al Nuri në zemër të qytetit të Mosulit.

“Kthimi i xhamisë Al Nuri dhe i minares së Al Hadbas shënon fundin e grupit famëkeq ISIS”, tha Ebadi në një deklaratë të enjten. Ushtria e Irakut rimori kontrollonin e xhamisë Al Nuri të enjten, njoftoi televizioni shtetëror irakian, që nënkupton çlirimin e qytetit, i cili ka qenë nën kontrollin e grupit terrorist që nga viti 2014. “Shteti i tyre fiktiv ka rënë”, tha zëdhënësi i ushtrisë irakiane gjeneral brigade Jahja Resul, për televizionin shtetëror irakian. Komandanti i policisë federale të Irakut më herët kishte njoftuar se shumë shpejt do të përfundojnë luftimet mes ushtrisë dhe grupit terrorist ISIS. Për momentin ushtria irakiane ndodhet 200 metra larg zonës Sarxhakhe në pjesën e jugut të Mosulit të vjetër. Raed Shaker Xhudat, komandant i policisë së Irakut ka thënë se pas disa ditësh zona Sarxhakhe do të çlirohet nga prania e terroristëve të ISIS. Në operacionin për çlirimin e kësaj zone janë zbuluar një autobombë, 34 bomba dhe 5 pajisje ushtarake. Brigada e pestë e ushtrisë irakiane ka sulmuar zonën Bab i Ri në Mosul duke vrarë 12 terroristë dhe shkatërruar një bazë të raketave dhe sistemeve anti-ajrore të ISIS. Operacioni për çlirimin e qytetit Mosul ka nisur në tetor të vitit 2016 dhe tani në qershor të vitit 2017 pritet çlirimi i plotë i këtij qyteti. Televizioni shtetëror irakian tha se rimarrja e xhamisë Al Nuri nënkupton që Mosuli, si qendra e komandës së grupit terrorist, është çliruar, ndërsa forcat irakiane janë në mes të një operacioni të pastrimit për të çliruar qytetin nga elementët e mbetur të ISIS. Forcat e ushtrisë irakiane kanë rrethuar pozicionet e fundit të ISIS në zonat jugore të Mosulit të Vjetër dhe ata presin të spastrojnë zonën në ditët e ardhshme.

Qyteti Mosul është pushtuar nga grupi terrorist ISIS në qershor të vitit 2014 dhe tani në qershor të vitit 2017 është çliruar pas ndërhyrjes së forcave të ushtrisë së Irakut në bashkëpunim me forcat vullnetare. Abdul’amir Rashid Jarallah, komandant i forcave për çlirimin e qytetit Mosul ka thënë se vetëm dy zona kontrollohen nga grupi terrorist ISIS. Me vazhdimin e luftimeve dhe me çlirimin e urës së pestë të Mosulit, ky qytet aktualisht ndodhet në prag të çlirimit të plotë. Ushtria dhe forcat e luftës kundër terrorizmit të Irakut të premten kanë marrë nën kontroll urën e pestë mbi lumin Tigër e cila lidh pjesën lindore me pjesën perëndimore të këtij qytetit. Forcat irakiane për reagim të shpejtë gjithashtu kanë rrethuar spitalin “Republika” në pjesën e vjetër të Mosulit dhe kanë arrestuar të paktën tre krerë të lartë të grupit terrorist ISIS. Oficer Sa’d Moin, zëdhënësi i operacioneve të Bagdadit, deklaroi se forcat e sigurisë së Irakut kanë arrestuar me dhjetëra pjesëtarë të grupit terrorist ISIS dhe sulmues kamikazë të këtij grupi të cilët duke kaluar 450 km, kishin arritur të hyjnë në Bagdad./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne