Replika në OKB/ Daçiç: Mos thuaj je kosovare!

Është shoqëruar me debate të forta raporti tremujor në Këshillin e Sigurisë të OKB-së mes ministrit të jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiç dhe ambasadores së Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku.

Ministri i Jashtëm serb kritikoi fjalorin e Çitakut duke i kërkuar të mos shprehet se është kosovare, pasi ai nacionalitet nuk ekziston, por Çitaku i është kundërpërgjigjur menjëherë.

“Sipas jush, nëse jam shqiptare, a po më kërkoni të shkoj në Shqipëri? Askush nuk mund të më thotë se pasi qenkam shqiptare nuk mund të jetoj në Kosovë. Kosova është shtet që u përket të gjithë shqiptarëve”, – i ka thënë Çitaku.

Replikat kanë vijuar edhe më tej dhe Çitaku i është drejtuar Daçiçit që kur të shkojë me pushime në plazhin shqiptar të marrë me vete edhe ndonjë libër historie.

Ajo tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është lëvizja më e suksesshme çlirimtare në historinë e vonshme.

“Jemi shumë krenarë që në politikën tonë kemi njerëz që kanë luftuar kundër Millosheviçit dhe Sheshelit, të cilët ishin kriminelët më të këqij në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Jemi krenarë për historinë e liderëve tanë”, – është shprehur ajo.

“Sami Lushtaku dhe Ramush Haradinaj nuk kanë shkuar në Beograd për të luftuar, kanë luftuar mu para shtëpive të tyre, i mbrojtën shtëpitë e tyre, kanë luftuar në oborrin e tyre më qëllim që të mbrojnë civilët dhe çlirimin e Kosovës”, ka thënë Çitaku.

“Serbia duhet të përballet me të kaluarën e vet, jo vetëm për Kosovën, sepse Kosova e ka rrugën e vet, jemi të lirë, jemi të pavarur dhe kjo nuk mund të ndryshojë. Serbia duhet të përballet me të kaluarën e tyre, mu për shkak të fëmijëve të tyre”, – ka thënë nder tjerash Çitaku.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne