Replikë prof. Nevila Nika mbi shtypjen e shqiptarëve dhe ndalimin e gjuhës shqipe në Perandorinë Osmane

Nga Samuel Laze

E ftuar në një nga studiot televizive me rastin e 112 vjetorit të Pavarësisë, prof. Nevila Nika deklaron që: “Ishim një nga popujt më të shtypur që na u ndalua edhe gjuha amëtare. Përpjekjet e atyre burrave dhe grave në fund të shekullit 19 dhe fillimin e shekullit të 20, shënojnë atë mundin e madh që i parapriu momentit të shpalljes së Pavarësisë”. Shkurtimisht dhe në mënyrë të përmbledhur në tri çështje do i japin një përgjigje shkencore dhe logjike znj. Profesoreshë.

Çështja e parë: “ishim një nga popujt më të shtypur”

Pika e parë e çështjes së parë: Një popull mund të shtypet mbi dy baza:

  1. a) mbi baza etnike
  2. b) mbi baza fetare

Elementi dallues i perandorive në përgjithësi dhe Perandorisë Osmane në veçanti është përbërja multietnike dhe mund të themi pa dyshim se elementi kryesor në rrënimin e tyre është nacionalizmi. Rrjedhimisht, perandoritë nuk kanë interes të stimulojnë ndjenjat nacionale duke privilegjuar një etni e duke shtypur një tjetër, por edhe nëse e kanë një mentalitet të tillë sigurisht që do e aplikonin në kulmin e fuqisë së tyre. Ndërsa në Perandorinë Osmane, le të shohim vetëm  një shembul nga koha e Javuz Selimit i cili njihet si Sulltani që sundoi 8 vite sa për 80, ku pas përfundimit të  ekspeditës së Misirit, Sulltani caktoi një vali çerkez që të drejtonte rajonin, ndërsa pashai i cili kishte marrë pjesë së bashku me Sulltanin në këtë ekspeditë i tha “I morëm këto toka nga memlukët (çerkezët) dhe tani ja dorëzuam përsëri atyre”” Përgjigja e Javuz Selimit ishte e ashpër dhe e qartë “Hiqjani kokën këtij! Ne nuk ia dhamë drejtimin se është çerkez, ia dhamë si pasha i shtetit tonë duke i besuar aftësive dhe potencialit të tij. Çështë kjo fjalë kaq e mbrapshtë?” Pra, vetëm për një fjalë goje që zgjon mentalitetin e epërsisë etnike, e ekzekutoi pashain i cili e kishte ndjekur gjithnjë nga pas. Meqë, shteti osman nuk e ka aplikuar diçka të tillë në kulmin e fuqisë, sigurisht që nuk do të ishte e logjikshme ta aplikonte në periudhat e stanjaconit.

Pika e dytë e çështjes së parë: Fakti që përveç postit të sulltanit, i cili drejtohej nga një familje turke jo për shkak të etnisë por sepse mënyra e qeverisjes ishte salltanati dhe i takonte derës së Osman Gazit, në çdo pozitë tjetër deri te sadrazami (që zotëronte vulën e sulltanit) e deri te shejhylislami (pa fetvanë  e të cilit nuk aprovohej asnjë ligj) shohim pjesëmarrjen aktive të etnive të ndryshme vetçanërisht shqiptare tregon se deri në periudhën e Tanzimatit kriteri i pozitës drejtuese nuk ioshte etnia por besimi (duhej të ishe mysliman) dhe meritorkracia. Ndërsa pas reformave të Tanzimatit u abrogua edhe ky kriter. (Shënim: Sigurisht që pati nga ata sikurse thuhet për  gjyshin e Enver Hoxhës, të cilët u shfaqën si mysliman për qëllimet e tyre personale apo ideologjike. Këta në histori njihen si “donme”.

Pika e tretë e çështjes së parë: Shtypja mbi baza fetare. A mud të quhet shtypës për shkak të besimit një shtet në të cilin sipas sistemit të miletit (Shënim: Fjala milet nuk është ekuivalentja e fjalës së sotshme komb apo popull. Sistemi i miletit ishte sistemi që rregullonte marrëdhëniet e feve dhe mez’hebeve apo nënbashkësive të tyre.) ku të gjithë kishin ligjet e tyre dhe gjykatat e tyre sipas asaj që besonin?! A nuk është ky një shembull tipik i demokracisë pluraliste? Që një shteti të quhet demokratik nuk është kriter të jetë Republikë, djepi i demokracisë Anglia është një mbretëri dhe aktualisht është shteti më i lirë në botë! Nëse thonë që “jo-myslimanët paguanin xhizje ndërsa myslimanët jo” atëherë iu themi se taksat që paguanin myslimanët ishin zeqati dhe yshyri ndërsa jo myslimanët paguanin xhizje dhe haraç. Kjo ndasi nuk bëhej si diskriminim social por ishte një mënyrë balancuase në ekuilibrin shoqëror pasi ndërsa myslimanët e kishin me detyrim shërbimin ushtarak, jo-myslimanët nuk e kishin një detyrim të tillë. “Atëherë, përse nuk kishin pozita drejuese përpara tanzimatit?”  Shtetet përreth, sidomos ato që mbartnin pishtarin e një ideologjie apo besimi të caktuar, nëpërmjet manipulimit të mendjes dhe shfyrytëzimit të ndjenjave sidomos në një periudhë kur besimi fetar ishte grumbulluesi më i madh emocional i kohës, mund të kishin impakt me një efekt të paparandalueshëm dhe të paparashikuar mbi elementët e tyre. Nisur nga kjo osmanlinjtë e shihnin të pamundur marrjen e një risku të tillë që mund të sillte kapitullimin e shtetit. A mund të imagjohet sot një kryeministër grek apo serb në krye të Shqipërisë? Jo, një nga kushtet për të qënë kryeministër në Shqipëri është të jesh shqiptar sepse sot grumbulluesi më i madh emocional është etnik. Nëse do vinte në krye një kryeministër grek atëhetë do i shërbente ideologjisë së tij në dëm të shqiptarisë.

Pika e katërt e çështjes së parë:  A mund të quhet një shtet diskriminues mi baza etnike apo fetare kur në kulmin e fuqisë së saj, padishahu i cili mbylli një epokë dhe hapi një tjetër, Hazreti Fatihu u gjend në të njëjtin gjyq me një arkitekt armen dhe për më tepër e humbi atë gjyq!? Kur thoni “më të shtypurit” nënkuptohet që edhe të tjerët kanë qënë të shtypur ndërsa ne paskemi qënë më të shtypurit e mundshëm. E para, sikurse u vërtetua edhe më sipër Perandoria Osmane nuk ka qënë një shtet turk. Numri i lartë i sadrazamëve, pashallarëve, valinjve, shkrimtarëve, dijetarëve etj… tregon se një nga popujt me më shumë ndikim dhe pozita drejtuese kanë qënë shqiptarët. Rrjedhimisht, nëse e quani shtetin të dhunshëm dhe uzurpues, atëherë stërgjyshërit tanë që ishin përfaqësues të këtij shteti paskan qënë mizorë! Dëshmitë e shekujve dhe kombeve e përgënjeshtrojnë këtë akuzë edhe me gjuhën e folur edhe me gjuhën e gjendjes. Në Egjipt, vendasit e përkujtojnë me mirënjohje Kavallalli Mehmet Ali Pashën dhe i kanë ndërtuar një tyrbe, ndërsa brtanikët i përkujtojnë me mallkim dhe i qujnë pushtues. Në të njëtjën mënyrë, populli i Algjerisë, Barbaross Hajredin Pashën e konsideron hero që i shpëtoi nga invazioni spanjoll dhe francez. Meqë qeverisja është në dorë të parisë, dhe meqë kjo pari ishte masivisht shqiptare, atëherë nëse do ishte një pari shtypëse a nuk do shkaktonte kjo një reaksion në popujt e sunduar? Gjithashtu edhe kjo fjalë e priftit grek Papanikolaou është domethënëse: “Në vend të kapeles latine preferoj të shoh çallmën e turkut.”  (Shënim: Koncepti i turkut deri në kohën e reformave të Mustafa Qemal Pashait kishte kuptimin e “myslimanit të perandorisë Osmane” i cili dallonte nga myslimanët e tjerë në dy pika: në ebep dhe në aksion. Kjo është temë tjetër…) A nuk kanë drejtuar valinjtë shqiptarë në Greqi, Serbi, Bullgari etjj… duke mos i cënuar qytetërimet e atyre popujve, ndërsa sebët, grekët por jo vetëm,  sapo morën në dorë fuqinë nuk kanë lënë masakër pa bërë? Përgjigjen e këtyre pyetjeve po e lë në ndërgjegjen tuaj…

Çështja e dytë: “na u ndalua edhe gjuha amëtare”

Nëse thoni se “si është e mundur ta kundërshtosh diçka të tillë të pohuar nga shumë prej profesoëve tanë dhe si mund ta vërtetosh që nuk është ndaluar?” fillimisht ju them që: diçka që nuk ekziston nuk mund të vërtetohet, vërtetimin duhet ta bëjë paditësi. Meqënëse thoni se është ndaluar, atëherë duhet të ketë patur një ligj special të hartuar nga këshilli apo padishahu dhe të jetë miratuar me fetvanë e vulosur nga shejhylislami, dhe meqë supozohet të ketë patur një ligj të tillë, sigurisht që duhet të ishte i paraqitur në një ferman. A mund të na e tregojë dikush një ferman të tillë. Supozojmë se ekziston (që është e pamundur), e para ju nuk mund ta gjeni, por  edhe sikur ta gjeni nuk mund ta lexoni sepse nuk dini osmanisht. A mund të fitohet një gjyq, në të cilin akuzoni dikë, madje një shtet të tërë për shtypje, madje një popull të tërë si të paaftë për të mbrojtur gjuhën e vet, duke mos sjellë dokumentimin e këtij fermani iluzionar? Cili gjykatës mund të vendoste ë favorin tuaj? Sigurisht që vetëm ata të cilët i japin rryshfet ndërgjegjes së tyre.

Së dyti: Në Perandorinë Osmane arsimi zhvillohej sipas veçorive të sistemit të miletit. Ku çdo milet kishte pavarësinë e zhvillimit të mësimdhënies: kisha latine pëdorte alfabetin latin, kisha ortodokse alfabetin grek dhe myslimanët shkronjat e Kur’anit.[1] (Shqiptarët mylimanë – mbi 95% e popullatës – gjuhën shqipe e shkruan me gërma arabe)Veçoritë e shkollave ku mësonin studentët myslimanë ishte se lëndët ishin në gjuhën arabe kurse shpjegimi bëhej në gjuhën amëtare të popujve. Lëndët nuk zhvilloheshin në arabisht sepse ishte e “shenjtë” por për arsye të disa veçorive shkencore të kasaj gjuhe, të cilat nuk po i përmendim këtu për të mos dalë nga tema… Kjo situatë vazhdoi e tillë deri në fillimin e ndikimit të nacionalizmit (me impaktin e partisë Ittihat ve Terakki)  në perandori mbas revolucinit të madh francez. Ideja për krijimin e shkollave kombëtare ku të përdorej një një alfabet i përbashkët u pompua edhe në mesin e shqiptarëve. Propozimi i Portës së Lartë ishte që të pyetej në çdo fshat se çfarë alfabeti dëshironin të përdornin ndërsa për qytetet e mëdha të hapeshin dy lloj shkollash ku çdokush të mësonte me alfabetin që dëshironte. Ndërkohë që u miratua një propozim i tillë u dha edhe leja për hapjen e mësonjtores së Korçës në të cilën do përdorej aëfabeti latin. Sigurisht që raste të tilla nuk mund të liheshin pa u shfrytëzuar nga ana e Austro-Hungarisë (që më vonë do shkruajë edhe historinë e shqiptarëve dhe turqve), ku agjenturat e tyre shkollat latine synonin t’i përdornin për indoktrinim ideologjik. Këtu mund të themi se qeveria ka marrë masa për të ndaluar kthimin e shqipes në gërma latine. Por, të ndalosh gërmat latine është gjë tjerër, ndërsa të ndalosh gjuhën shqipe është komplet gjë tjetër. Megjithatë, në 7 Shkurt 1910[2] pasqyrohet në shtypin e kohës se mbi 10 mijë persona zhvilluan një miting pro gërmave arabe dhe i shkruan Ministrisë së Arsimit kundër gërmave latine. Një javë më vonë u mbajt një kundër-miting që mbështeste gërmat latine në të cilin morën pjesë vetëm 1200 veta së bashku me priftërinjtë dhe bashkëfshatarët përreth. Gjithashtu “Përlindja e Shqipërisë” botoi në 1899 një libër me titull “Abetar i gjuhës shqip”[3] në të cilin i mëson shqiptarëve si të shkruajnë me gërmat latine. Si kriter apo si bazë e mësimëdhënies në këtë libër janë përdorur gërmat arabe. Domethënë që deri në atë periudhë gërmat e përdorura nga shqiptarët janë gërmat arabe. Latinizimi i gjuhës shqipe, ndër të tjera ishte proces anti-demokratik, duke marrë për bazë gjendjen e kombit tonë në atë kohë.

Çështja e tretë: “Përpjekjet e atyre burrave dhe grave në fund të shekullit 19 dhe fillimin e shekullit të 20, shënojnë atë mundin e madh…”

A ishte kjo përpjekje e këtyre burrave grave për një Shqipëri të zhvilluar, të qytetëruar, të lirë  – ide që e mbështeste edhe Sulltan Abdylhamidi i Dytë në rast se rrëzohej Perandoria Osmane –  apo pëpjekja e tyre ishte të tregonin armiqësi me sulltanin dhe shtetin? Ja si shprehet ai që mund të ciësohet si “Babai i Shqiptarisë” Naim Frashëri në poezinë e tij “Korça”:[4]

Zotërinjt’ e Zotëruar!

Gjithë përnjëherë thoni

Roft’ e qoftë Shqipërija!

Dhe kombi e gjuha jonë

Lulëzoftë diturija!

Edhe ndihmës paçim Zonë!

Edhe Sulltanit të mirë,

Mbretit t’math q’e kemi atë

Dhe ka për neve mëshirë

E përpiqet dit’ e natë.

Zoti jet’ e dit’ të dhëntë

Dhe qëllimet ja mbaroftë!

Me nder përmi front e lëntë!

Dhe gjithnjë e gëzoftë!

Çfarë ndodhi?! A ju duket rastësi që lutjen për Sulltanin e kanë fshirë nëpër tekset shkollore dhe gazetat? Kush fsheh diçka do të thotë që ka problem me të vërtetën!

Vazhdojmë…

Ja çfarë thotë Sami Frashëri në veprën e tij “Himmetul himmam fi neshril Islam”:

“…Lutja dhe përshëndetja qoftë edhe për atë, që edhe sot e udhëheq dhe e mbron atë (Islamin), halifin e kohës, krenarinë e osmanllinjve, Sulltan Abdylhamid Hanin, të birin e Sulltan Abdylmexhid Hanit. O Zot, ruaje atë, se ai është ndihmë e Islamit në çdo rrethanë e kohë….)[5]

Shembujt dhe argumentet logjikë që mund të paraqesim janë shumë por po mjaftohemi me kaq…

Përfundim: Zonja Profesoreshë! Ky artikull nuk ka për qëllim të cënojë aftësitë tuaja si studiuese dhe nuk është shkruar karshi personit tuaj të lartë, madje përpjekjet tuaja për identifikimin e krimeve të komunizmit janë për tu vlerësuar. Mirëpo, që të mos lëndohet shpirti i stërgjyshërve tanë në varr, të cilët kishin një ndjenjë epërsie e krenarie mbi popujt e tjerë (superiority complex) dhe që mos helmohet subkoshienca e të rinjve të cilët vuajnë nga ndjenja e të qenurit më të dobët se të tjerët (inferiority complex) e ndjeva të nevojshme dhe mbase në gradën e farz-i kifajes t’ju drejtoja një përgjigje të tillë. Tekefundit, çdokush është i dituri i asaj që di dhe i padituri i asaj që nuk di!

 

[1] Shih: Osmanlı Devleti Arnavutçayı Yasakladı mı?/The Ottoman Empire Banned Albanian?/ Engin Yilmaz. Autori jep referencat specifike në arkivat përkatëse. Pra, nuk është një artikull subjektiv por I mbështetur në fakte të dokumentuara.

 

[2] Po aty. Arkivi (BOA, DH.MUİ, dosya no: 84-1/49)

[3] BKSH. Abetari i gjuhës shqip

[4] Bagëti dhe bujqësi, Lulet e Verës-, Naim Frashëri fq. 89

[5] Sami Frashëri, Përpjekja e heronjve për përhapjen e Islamit, fq. 16

/GazetaImpakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne