Reportazh i “Il Fatto Quotidiano”: Mafia shqiptare po përgjak rrugët e Italisë

Klanet e Tiranës kanë zgjedhur Garganon si një “port të hyrjes” për në Evropë, duke braktisur Salenton. Interesat e lidhura me trafikun ndërkombëtar kanë hapur oreksin midis bandave në Capitanata. Komandanti karabinierëve Marco Aquilio thotë se “po përballen me një evolucion të fenomenit”. Hipoteza? Pas vrasjeve qëndron një dorë e vetme. Përforcimet e mbërritura pas masakrës së San Marco kanë ndalur përkohësisht lumin e gjakut”.

Pas 4 të vrarëve në mes të verës në zonën e San Marco në qytezën e Lamis dhe 7 vrasjeve të tjera të tipit mafioz të kryera në provincën e Foggia gjatë vitit 2017 janë “lumenjtë” e drogës. Më së shumti bëhet fjalë për marijuanën, por edhe kokaina dhe heroina kanë gjetur në qytezën e Garganos,”portën”për në Europë.

“Trafiku i drogës nga Shqipëria ka krijuar një tjetër lloj lufte mafiozësh” – shpjegon koloneli Marco Aquilio, komandant i karabinierëve në Foggia, gjatë një analize të bërë për fundin e vitit mbi aktivitetin kriminal në zonën e tij.

Droga qëndron pas luftës mes mafiozëve

Plumbat e kallashnikovit që goditën për vdekje “bosin” mafioz Mario Luciano Romito dhe kunatin e tij, por edhe dy vëllezër, fshatarë të pafajshëm, ishin të fundit të luftës që ka nisur nga janari mes klaneve mafioze në Foggia, në veçanti të atyre që janë aktivë në qytezën e Gargano. E gjitha ka një kuptim, edhe për shkak të vendit ku kanë ndodhur vrasjet. Në fillim në plazh dhe më pas në brendësi të qytetit.

“Ajo që kemi vënë re është se në qytetin Capitanata ka një kujdes maksimal të organizatave kriminale porsa i përket trafikut të drogës”- thotë komandant Aquilio”duke shtuar: “Aktorët e këtij skenari të përgjakur janë të gjithë të lidhur me trafikun e drogës që vjen nga Shqipëria. Këtë e vërtetojnë edhe kontaktet me Shqipërinë dhe sekuestrimet e mëdha të drogës që mbërrin nga andej”– thotë ai.

“Klani” i shqiptarëve, në rritje edhe në Europë

Shqiptarët shënohen në raportet e Europol mes klaneve që kanë njohur rritje të madhe në “fushën e shahut” të trafikut të drogës në Europë. Këtë e konfirmoi edhe hetimi me titull “Mafia Unite d’Europa” i realizuar nga “Il Fatto Quotidiano”. Aty thuhet se ata kanë vendosur “putrat” e tyre në shumë vende anëtare ku i kanë hyrë “biznesit” të trafikut të marijuanës, kokainës dhe heroinës. Dhe për të zbarkuar drogën e tyre kanë zgjedhur pikërisht zonën e Capitanata falë një oferte bashkëpunimi të bërë nga grupet kriminale vendase.

Vendi është perfekt për këtë aktivitet, pasi prej vitesh shqiptarët kishin përdorur plazhin e Salentos, por tani janë zhvendosur pak më sipër. Nga Brindisi e poshtë plazhet janë të gjera, të cekëta dhe me rërë. Ato janë lehtësisht të kontrolluara nga patrullat dhe motovedetat pasi prej vitesh janë përdorur për trafik armësh dhe emigrantësh.

Përleshjet nga bregu deri në brendësi

Kështu shqiptarët janë shtyrë më në veri të Italisë, drejt Foggia-s ku shkëmbinjtë dhe luginat e bëjnë bregdetin më të përshtatshëm për tu fshehur. Kjo zonë për policinë është më e vështirë për tu kontrolluar dhe kërkon më shumë personel në dispozicion. Për këtë shkak klanet mafioze vendase luajnë një rol të rëndësishëm edhe për shkak të njohjes së territorit. Por paratë që po fluturojnë prej “vendit të shqiponjave” përveç kërcitjes kanë shkaktuar edhe përgjakje mes grupeve rivale.

“Jemi përballë një ndryshimi të rëndësishëm të fenomenit mafioz në Gargano” – thotë kolonel Aquilio. “Ata janë duke kërkuar të kanalizojnë këtë biznes që u ka hapur më shumë “oreksin”. Ky është “plehu” që po rrit luftën mes mafias në vitin 2017. Kjo luftë nisi në territorin e Vieste mes janarit dhe shkurtit të këtij viti dhe arriti kulmin në muajt e verës duke shënuar ngjarjen më të rëndë në 9 gusht. Tragjedia në San Marco me 4 të vrarë kishte në prapaskenë trafikun e drogës shqiptare. Hetuesit thonë se përplasja nisi në plazh ku shkarkoheshin ngarkesat me drogë nga Shqipëria për të vijuar në rrugët e qytetit ku vazhdojnë përplasjet për zonat e kontrrollit.

Mafia që vret gjatë verës

Në 20 qershor Antonio Petrella dhe nipi i tij Nicola Ferrelli, të njohur si pjesë e klanit mafioz “Di Summa” u vranë në periferi të qytezës së Apricena. Pasi iu ishin afruar, vrasësit i qëlluan në drejtim të makinës me kallashnikov dhe pistoleta brenda në makinën e tyre. Më oas zbritën nga makina e tyre dhe e “mbyllën” çështjen duke u dhënë nga një goditje në kokë, njëll[oj si në filmat me mafiozë.

Në mbrëmjen e 14 korrikut ishte radha e Matteo Lombardozzi, 50-vjeçar i vendosur në një regjim lirie të përkohshme. Ai u arrit me makinë në një pikë karburanti në një autostradë të Foggia. Autori e qëlloi me breshëri kallashnikovi. Në 9 gusht ishte radha e Mario Luciano Romito, i cili kishte vetëm 7 ditë që ishte liruar nga burgu. Këto ishin disa nga rastet kur mafia e kësaj zone përfundoi në të gjitha faqet e para të gazetave.

Hipoteza/ Një dorë e vetme pas të gjitha vrasjeve

Përshkallëzimi i situatës në Apricena, San Marco dhe Lamis u diskutua për ditë të tëra në ambientet e hetuesve. Sipas tyre është i mundshëm versioni se pas vrasjeve qëndron një dorë e vetme. Provat në këtë moment kanë të bëjnë vetëm me atë që në latinisht quhet “modus operandi” apo “mënyra e të vepruarit”.

Për vrasjen e 4-fishtë komandant Aquilo është i sigurt se “punët po shkojnë në drejtimin e duhur”. Ai thotë se janë shtuar njerëzit dhe hetuesit që do të merren me këtë çështje. Për këto hetime janë bashkuar edhe të dhëna për trafikun e armëve dhe të drogës. Karabinierët thonë se kanë shtuar kontrollet në rrugë dhe bastisjet. Kontrolle të shumta janë bërë pas vrasjeve, por droga vazhdon të vijë nga Shqipëria. Nuk ka më krisma, por biznesi vazhdon. Kjo është ajo që kohët ve fundit po shqetëson hetuesit./ “Il Fatto Quotidiano”/

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne