Republika e Re e Jugosllavisë si projekt i marrëveshjeve Rama – Vuçiç

Nga Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi

Para disa javësh dy kryeministrat ballkanas, Edi Rama i Shqipërisë dhe Alesandër Vuçiç IiSerbisë, lëshuan në Sarajevë një ofertë e njëkohësisht një kërkesë: – Të ndërtojmë Tregun e Përbashkët Ballkanik. Shumë, ndoshta shumica e shqiptarëve, u shprehën entuziastë për këtë nismë të re serbo-shqiptare. Megjithatë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, e refuzoi një projekt si ky. Ai u shpreh jo vetëm skeptik, por njëkohësisht kundër një të ashtuquajturi “Treg i Përbashkët Ballkanik”. Mbështetësit e këtij projekti e kritikuan zotin Mustafa me arësyetime të ndryshme. Argumenti ishte se “Një Treg i Përbashkët Ballkanik” do të ishte një mundësi dhe shans për zhvillimin e rajonit.

Sot zoti Vuçiç, tashmë në postin e presidentit të ri të Serbisë, ka ndriçuar më shumë detaje për projektin në fjalë, duke i dhënë atij ngjyra të theksuara politike. Ai, ka folur për një Republikë të Re të Jugosllavisë. Në njëintervistë për portalin amerikan “Politico” Vuçiç është shprehur se plani i tij do të krijojë një treg për 20 milionë banorë dhe se bëhet fjalë për “Jugosllavinë e vjetër plus Shqipërinë”. Ndërkaq ka përmendur faktin se Tito pati sukses në një projekt të tillë.

Prof.Asoc.Dr.Enver Bytyqi

Takimet e panumërta midis zotit Rama dhe zotit Vuçiç zbuluan të vërtetën se të dy këta janë marrë vesh për ndërtimin e një Ballkani të ashtuquajtur “Perendimor” të llojit të Jugosllavisë së Titos. Jugosllavia, e cila u varros nga dhuna e Serbisë, tashmë po na shfaqet në horizont si një projekt i ri, madje me një aktor plus, kryeministrin e Shqipërisë. Të dy këta, Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç, mbështetën për katër vite njëri-tjetrin, me qëllim që të forconin pozitat elektorale në vendet përkatëse, por me një çmim të lartë për shqiptarët: – Përjashtimin e Kosovës nga vendimmarrja, ose më e pakta, krijimin e rrethanave të pafavorshme për institucionet e Kosovës në përpjekjet e tyre për forcimin e shtetësisë në këtë vend.

Por në këtë koment nuk dua të ndalem thjesht në pasojat e bashkëpunimit Rama-Vuçiç. Këto pasoja si dhe lidhjet konspirative midis tyre i kam shtjelluar në dhjetra komente së paku prej tetorit 2014 e deri më sot. Ajo që sot dua të kujtoj është ngjashmëria që ka inciativa Rama-Vuçiç për “Tregun e Përbashkët Ballkanik” dhe “Bashkim-Vëllazërimin Serbo-Shqiptar” me përpjekjet mbi 100 vjeçare të të gjitha qeverive të Beogradit për të krijuar një aleancë ballkanike ose për të realizuar atë lëvizje që quhej “Ballkani ballkanasve”, me qëllim asgjësimin e shqiptarëve.

Në pranverën e vitit 1912 Mbreti i Serbisë i inkurajonte shqiptarët që të luftonin kundër Turqisë osmane, duke ju premtuar aleancë dhe mbështetje të pakufishme. Madje ai dërgoi armë, me qëllim që t’i bindë shqiptarët për seriozitetin dhe sinqeritetin e ndihmës serbe ndaj tyre. Nuk po përmend emrat e udhëheqësve të kryengritjes shqiptare të asaj kohe, të cilët e pranuan marrëveshjen dhe ndihmën e Karagjorgjeviçit. Në ditët e sotme Aleksandër Vuçiç i ka ofruar shqiptarëve (të Shqipërisë) bashkëpunim, madje dhe ndihmë për të krijuar një treg unik, duke e reklamuar veten e tij një Tito të ri, i cili “Do të ndërtojë autostradën Nish-Prishtinë”. Ai e ftoi kryeministrin Rama në Nish tetorin e kaluar, me qëllim që të dy të vendosnin “gurin e themelit” të këtyre marrëdhënieve. Por në Prishtinë qëndruan ftohtë. Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, i tregoi kryeministrit Rama kufijtë e sjelljes së tij ndaj Kosovës. Pse? Sepse po flitej për projekte të përbashkëta, të cilat përfshinin edhe Kosovën, por që nuk përfaqësohej e barabartë si shtet sovran në këto iniciativa.

Ndërsa Mbreti i Serbisë në vitin 1912, teksa i ftonte shqiptarët në “luftë të përbashkët” kundër Perandorisë Osmane, nënshkroi fshehtas tyre tri marrëveshje ballkanike, atë më Greqinë, marrëveshjen me Malin e Zi si dhe marrëveshjen me Bullgarinë. Aleanca midis këtyre katër vendeve ballkanike u quajt shkurt “Aleanca Ballkanike”. E përafërt me termin e sotëm “Tregu i Përbashkët Ballkanik”. Po çfarë ndodhi atëherë, në Luftërat Ballkanike. Ushtria 300 mijëshe e Serbisë asgjësoi e masakroi gati 30 mijë shqiptarë, thjesht se donte të evitonte krijimin e shtetit shqiptar. Shqiptarët u zgjuan, por shumë vonë. Ata nuk e vunë re tradhëtinë e Mbretit të Serbisë në kohën e duhur. U joshën nga “lufta e përbashkët kundër pushtimit osman” dhe nuk panë se po përgatitej asgjësimi i kombit shqiptar. Tani Vuçiç e di se nuk i ka mundësitë të asgjësojë shqiptarët si komb, por krijimi i një “Tregu të Përbashkët Ballkanik” me ndihmën e kryeministrit Rama, do t’ia mundësojë atij realizimin e një iniciative politike të krijimit të një Jugosllavie të Re, brenda së cilës të ishte Shqipëria. Beogradit i duhet Shqipëria në këtë të ashquajtur Jugosllavi të Re, sepse me anë të Tiranës zyrtare kërkon t’i bindë shqiptarët e Kosovës të bëhen pjesë e kësaj Jugosllavie. Isa Mustafa e ka kuptuar këtë hile. Nuk e di nëse janë dakord politikanët e tjerë me këtë aventurë të re, jo aq të presidentit të ri të Serbisë, sa të kryeministrit të Shqipërisë.

Aleanca Ballkanike e vitit 1912 kundër shqiptarëve u arrit me angazhimin e drejtpërdrejtë të Rusisë, madje direkt të carit rus. Projekti i sotëm i “Tregut të Përbashkët Ballkanik” ka bekimin dhe miratimin e carit të sotëm të Rusisë, Vladimir Putin, sepse ai e di që në çdo organizëm ku bën pjesë Serbia është e do të jetë e pranishme edhe Rusia. Në këtë treg Rusia do të ishte present së paku 50 me 50 përqind krahasuar me Perendimin, Europën e SHBA-të të marra së bashku. Këtë ia mundëson Serbia. Kaq kishe fituar vetë Stalini në Jaltë. Prandaj dhe projekti i Vuçiç është dhe mbetet gjithashtu projekt i Kremlinit. Këtij projekti i bashkëngjitet me vetëdije apo me naivitet kryeministri ynë, Edi Rama. Por nuk e pranon atë Isa Mustafa dhe nuk jam i bindur se zoti Rama ka shfaq ndonjë kureshtje pse kryeministri i Kosovës është kundër një projekti të tillë.

Një projekt ballkanik u inicua nga Beogradi edhe në periudhën e Mbretit Zog, në vitin 1936. Madje në Beograd u mblodhën të gjitha vendet ballkanike dhe formuan atë që e quajtën “Aleanca Ballkanike”. Qëllimi ishte që këto vende të bëheshin bashkë për të kundërshtuar praninë e Fuqive të Mëdha në Ballkan. Por Mbreti Zog refuzoi të bëhej pjesë e kësaj farse. Ai kishte kuptuar se aleancat ballkanike, aq më tepër të inicuara nga Beogradi, janë thikë pas shpine për shqiptarët. Dhe periudha e bashkëpunimit të komunistëve shqiptarë me komunistët serbo-jugosllavë i dha atij plotësisht të drejtë.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj komunistët shqiptarë dhe qeveria komuniste e Enver Hoxhës krijuan lidhje të ngushta me komunistet dhe qeverinë komuniste të Beogradit. Tito dhe udhëheqësit komunistë serbo-malazezë e përdorën këtë lidhje për të shfarosur nacionalistët shqiptarë në Kosovë. Beogradi kishte kuptuar se Tirana zyrtare komuniste kishte interes eleminimin e faktorit nacionalist në veri të Shqipërisë dhe në Kosovë, prandaj e pranoi ushtrinë patizane shqiptare në territorin e Kosovës, me qëllim që të mbante në zap popullsinë shqiptare atje për të mos reaguar për masakrat masive kundër tyre në Drenicë e deri te Masakra e Tivarit. Titos i duhej bashkëpunimi me Enver Hoxhën që të mbyste në gjak Kosovën dhe të asgjësonte fizikisht faktorin shqiptar. Gjithçka u bë në emër të “Bashkim-Vëllazërimit”.

Sot Aleksandër Vuçiç ka thirr në ndihmë Edi Ramën që ta mbysë lirinë e pavarësinë e saj. Retorika nacionaliste e kryeministrit të Shqipërisë është demagogji e paster, sepse në asnjë rast ajo nuk i kundërvihet planeve konkrete të Aleksandër Vuçiç. Madje zoti Rama e sheh me përbuzje dhe e prezanton si “injorancë” reagimin e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa për t’i thënë “JO” projektit të Vuçiç, i cili ngjason me atë projektin e Titos për “ta gllabëruar Shqipërinë”, siç thoshte Stalini dhe për ta bërë atë Republikë të Shtatë të Republikës së Jugosllavisë Socialiste. Asokohe kjo Republika e Shtatë e Jugosllavisë u paraqit si një republikë që përfshinte edhe shqiptarët e Kosovës, por nuk dihet se cila do të ishte sipërfaqja e territorit të Kosovës që do të mund të përfshihej në këtë Republikën e Hoxhës që do të bëhej Republikë e Titos. Ndërsa sot Republika e Ramës, që do të futet “vullnetarisht” në Republikën e Vuçiçit, mbasi ta zhbëjë lirinë e pavarësinë e Kosovës do ta ndante territorin e saj, jo më në Ibër, por gati në portat e Prishtinës.

Ngjashmëritë e Republikës së Re të Jugosllavisë së Vuçiçit me tezën e “Tregut të Përbashkët Ballkanik” janë të shumta. Mbi të gjitha iniciativat serbe përkojnë me të ashtuquajturën politikë e neutralitetit, të cilën e ka promovuar Tito dhe e përsërit Beogradi i sotëm. Mosangazhimi titist është thelbi i politikës së sotme të Vuçiçit, me qëllim krijimin e një zone tampon midis Lindjes e Perendimit në Ballkan. Në fakt ky Tregu i Përbashkët Ballkanik, sidomos në kushtet e shpërbërjes së mundëshme të BE-së dhe zgjerimit të influencës ruse në Ballkan do të linte brenda gadishullit Moskën e Kremlinin dhe do të nxirrte prej andej Uashingtonin, Berlinin, Londrën e Vjenën, sigurisht nëse këto kryeqytete do ta toleronin iniciativën e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Gjasat janë që të mos e tolerojnë dhe të dallojnë komplotin e tij, të cilit i vjen në ndihmë zoti Rama.

Por ky I fundit nuk është në gjendje t’i kundërvihet ish-homologut të tij serb dhe projekteve të tij antishqiptare. Nuk i kundërvihet, sepse të gjithë të majtët shqiptarë, që nga Noli, Enver Hoxha, Ramiz Alia, Fatos Nano e deri tek Rama janë joshur gjithnjë nga sllogani “Ballkani ballkanasve” dhe marrëzia e dakortësisë për të nxjerrë jashtë gadishullit tonë Fuqitë e Mëdha proshqiptare dhe për të pranuar prezencën e Perandorisë Ruse. Nuk po radhis këtu faktet e shumta bazuar në dokumente arkivore, të cilat e dëshmojnë këtë. Rama nuk i kundërvihet kësaj formule, pra asaj që pretendohet si Aleancë e Re e vendeve të Ballkanit Perendimor, por që nuk është tjetër veçse Aleancë që synon të krijojë një Jugosllavi të Re me vendet e ish-Jugosllavisë, minus Sllovenia e Kroacia dhe plus Shqipëria, sepse tashmë nuk ka kredite të kundërshtojë projektet dhe planet e Aleksandër Vuçiç. Në Sarajevë kryeministri serb e provokoi dhe e paralajmëroi zotin Rama, duke i nxjerrë në publik një dakortësi të fshehtë midis tyre. Dhe ne nuk jemi në dijeni të shumë marrëveshjeve të tjera të fshehta midis tyre.

Shpalosja e qëllimeve të hapura nga ana e presidentit të ri serb për “Tregun e Përbashkët Ballkanik” dhe krijimin e një Jugosllavie të Re do të duhet të jetë një sinjal tjetër se Edi Rama mund të shpëtojë, çka mund të shpëtojë, vetëm nëse jep dorëheqjen, madje pa kthim, pa kërkuar më si person ndonjë mandat tjetër për qeverisjen e vendit. Vetëm në këtë rast ai ka shansin që të mbyllë në kasafortën e Vuçiç për një fare kohe pazaret antishqiptare që kanë bërë në këto katër vite, shumë prej të cilave mbajnë vulën e diletantizmit të kryeministrit tonë në diplomaci ose të egoizmit të tij për protagonizëm.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne