“Revista Kultura islame (1939-1945), kujtesë dhe model për kulturën e ditëve tona”,

Shoqata “Përpjekje”, që mbështetet nga shoqata “Istanbul”, në bashkëpunim me Bibliotekën Publike të Shkodrës “Marin Barleti” organizoi një aktivitet kulturor: “Revista Kultura islame (1939-1945), kujtesë dhe model për kulturën e ditëve tona”.

Në këtë veprimtari ishin të pranishëm drejtues të institucioneve të ndryshme të qytetit, intelektualë, pedagogë, studentë, etj.

Drejtori i bibliotekës, Gjovalin Cuni në temën e tij, “Kultura Islame në kontekstin e periodikëve shqiptarë” citoi se: “…Në kufijtë pak a shumë të sotëm administrativë të shqiptarëve, është e pranuar nga të tanë se Shkodra, ishte qyteti ku numëroheshin ma shumë botime. Vetëm gjatë periudhës së Rilindjesu botuan 9 (nëntë) organe të shtypit në gjuhën shqipe dhe 1 (një) në gjuhën turke. Më 24 qershor 1879, filloi botimin e saj në Shkodër në gjuhën turke, por edhe me numra në shqip (gegnisht) gazeta e përjavshme “Ishkodra”, organ zyrtar i Vilajetit të Shkodrës,… e përjavshme me 4 faqe në turqisht, pjesërisht në shqip”.

Sipas Cunit me fillimin e vitit 1939, revista “Zani i Naltë” vijon botimin e saj, “me një shenjë barazimi në përmbajtje”, por kësaj radhe me një emër tjetër: “Kultura islame”, që vijoi të dalë deri në vitin 1945, me Sherif Putra redaktor, Vehxhi Sulejmani, përgatitës etj.

“…Krahas problemeve fetare, që zënin vendin kryesor, në revistë u trajtuan edhe mjaft argumente të etikës, sociologjisë, arsimit, letërsisë, (vepra origjinale dhe përkthime), probleme gjuhësore, trajtesa historike, folklor, etnografi etj.

Mes trajtesave nuk mund të lamë pa përmend edhe trajtesat me karakter albanologjik, mes të cilave spikatin edhe studimet mbi arbëreshët…”.

Më pas, referuan Gëzim Puka pedagog në universitetin e Shkodrës, i cili u ndal te “Fleta letrare në revistën Kultura Islame”, si dhe Siditë Halluni, specialiste e mediatekës në Bibliotekën Publike të qytetit të Shkodrës, e cila mbajti temën: “Mbi pasqyrimin e revistës “Kultura Islame” në variant të plotë digjital në faqen elektronike të Bibliotekës “Marin Barleti”./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne