Rifillon restaurimi i Xhamisë së Et’hem Beut nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim-TİKA

Xhamia e Et’hem Beut, ky monument i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore shqiptare po vijon restaurimin.

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti ka ndjekur nga afër fillimin e punimeve në këtë xhami, ku u shpreh se “Inspektuam rifillimin e punimeve për restaurimin e Xhamisë së Et’hem Beut, monument i rëndësishëm i trashëgimisë sonë kulturore. Një financim i TİKA-s në Tiranë, ku specialistë shqiptarë e turq, nën supervizimin e Institutit të Monumenteve, po punojnë paralelisht për riparimin e çatisë dhe restaurimin e pikturave murale…”.

Xhamia e Haxhi Et’hem Beut, është një xhami e ndërtuar në Shqipëri nga Mulla Beu, nga Petrela, rreth fundit të shekullit të tetëmbëdhjetë. Mbi derën e parë të xhamisë edhe sot e kësaj dite gjendet një rrasë, në të cilën vërtetohet që kjo xhami u ndërtua nga Mulla Beu, një njëri i pasur tiranas, i cili me qëllim bamirësie i hodhi themelet e para të kësaj xhamie më 1791.

Xhamia e Et’hem Beut përbëhet nga salla e lutjeve, portiku që e rrethon atë nga lindja dhe veriu, si dhe minarja. Salla e lutjeve ka planimetri katrore dhe është ndërtuar me vëllim unik mbuluar me kupolë. Hyrja për në sallën e lutjeve është në anën veriore. Kupola është gjysmësferike dhe pa dritare. Portiku i xhamisë së Et’hem Beut në aspektin funksional ka shërbyer në krijimin e një ambienti me një mihrab të dytë në të cilin mund të faleshin ata që vinin më vonë apo nuk gjenin vend në sallën e lutjeve. Portiku ka në planimetri formën e shkronjës “L”, ndërsa nga jugu mbyllet me mur. Nga anët e tjera është i hapur me tri arkada mbi kolona, të cilat, në kontakt me muret janë gjysmëkolona. Portiku mbulohet nga një çati me konstruksion druri dhe tavan të rrafshët dërrasash. Minarja ndodhet në të djathtë të sallës së lutjeve dhe lidhet me të në dy nivele, në dyshemenë e sallës dhe atë të mafilit. Pjesa e poshtme e minares është me seksion drejtkëndësh. Mbi të vjen një pjesë e ulët trung piramide shumëfaqëshe. Mbi këtë, me një kornizë që ndjek ritmin e pjesës së sipërme fillon trupi i minares, i cili shkon deri tek kazani, duke u ngushtuar lehtas. Mbi trupin e minares vjen kazani. Për daljen në kazan ka një portë të ngushtë e të ulët. Shkallët brenda minares janë helikoidale prej gurësh dhe ndriçohen nga dritare të vogla si frengji./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne