Rikthimi i problemit Irlandez

nga Chris Patten.

Përgjatë 20 viteve të fundit, Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda kanë vjelë frytet e marrëdhënies së ndërsjellët me respekt dhe paqe. Por, ndërsa qeverisja e Irlandës së Veriut me pushtet të përbashkët është shkatërruar, dhe Brexit ka ngritur pikëpyetje mbi ngritjen e mundshme të një barriere kufitare mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës, Marrëveshja historike e të Premtes së Mirë mund të jetë në rrezik.

Pothuajse ekzaktësisht 20 vjet më parë, pasi muajsh të tëra bisedimesh delikate dhe të vështira, udhëheqësit e dy kampeve kryesore politike në Irlandën e Veriut – nacionalistët Katolikë dhe republikanët nga njëra anë; Unionistët protestantë nga ana tjetër – nënshkruan Marrëveshjen e të Premtes së Mirë, duke i dhënë fund më shumë se 30 viteve dhune dhe gjakderdhje. Tani, ajo marrëveshje – dhe marrëdhënia me respekt të ndërsjellët dhe në harmoni që kjo marrëveshje mundësoi – është nën kërcënim.

Marrëveshja e të Premtes së Mirë u ndërmjetësua nga kryeministrat e Mbretërisë së Bashkuar dhe Republikës së Irlandës – Tony Blair dhe Bertie Ahern, respektivisht – me ndihmën e senatorit të Shteteve të Bashkuara George Mitchell. (Një pjesë të madhe të punës së krahut ishte bërë nga paraardhësi i Blair, John Major.) Ajo mbështetej në propozimin që, për sa kohë të gjithë binin dakord se ndryshimet në statusin kushtetues të Irlandës së Veriut mund të vinin vetëm si rrjedhojë e zgjedhjes së lirë demokratike, njerëzit do të përcaktonin besnikërinë ndaj identitetit të tyre të parapëlqyer: britanike, irlandeze ose të dyja.

Për të mbështetur paqen, marrëveshja krijoi një qeveri të përbashkët për Irlandën e Veriut, me përfaqësues nga të dyja palët në konflikt. Ajo themeloi gjithashtu edhe Komisionin e Pavarur për Policimin e Irlandës së Veriut, të cilin unë e drejtova, me synimin për të reformuar shërbimin policor. Përpjekjet tona ndihmuan për të reduktuar sulmet mbi policinë duke i bërë policët të pranueshëm nga të gjitha grupet dhe solli një rritje thelbësore në rekrutimin e policëve nga radhët e Katolikëve.

Sapo marrëveshja u firmos, statusi i Britanisë dhe Irlandës si anëtarë të Bashkimit Europian e bëri tranzicionin veçanërisht më të lehtë. Po kështu, kufiri mes tyre ishte diçka më shumë se sa thjesht një vizë në hartë: nuk kishte barriera, poste doganore apo simbole të tjera ndarëse për të treguar se ku përfundonte një vend dhe fillonte një tjetër. Tregtia dhe njerëzit mund të lëviznin lirshëm mes tyre.

Në fakt, statusi i tyre si partnerë Europianë – që kur Irlanda u bë anëtar i Bashkësive Europiane më 1973 – ka përforcuar prej kohësh lidhjet mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës. Që të jemi të qartë, historia e tyre e dhunshme – e cila ka përfshirë pushtime, kolonizime, rebelime dhe zi buke – ka lënë pas armiqësi të thellë. Megjithatë, partnerët Europianë, pa përmendur që ata janë fqinjë në një arkipelag jashtë brigjeve të Europës, janë të lidhur ngushtësisht. Më shumë se pesë milionë njerëz në Angli, Uells dhe Skoci kanë së paku një gjysh irlandez. Nëse shkojmë më pas një gjeneratë, ky numër rritet.

Përgjatë dy dekadave të fundit, Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda kanë shijuar frytet e një marrëdhënieje të ndërsjelltë me respekt dhe paqe. Ka natyrisht shumë prej britanikëve që admirojmë Irlandën sot: rritjen e saj ekonomike, rilindjen e saj kulturore në letërsi dhe muzikë, tërheqjen që ka ky vend për emigrantët nga e gjithë bota, të cilët tashmë përbëjnë 17% të popullsisë së vendit.  Me një maturitet të jashtëzakonshëm, Irlanda ka lënë pas klerikalizmin e ngushtë dhe është bërë një shtet modern dhe bujar.

Megjithatë sfida të mëdha po shfaqen tashmë. Në Irlandën e Veriut, qeverisja e përbashkët është shkatërruar dhe qeveria e Mbretërisë së Bashkuar nuk është në pozicion të fortë për të ndihmuar në rikthimin e bashkëpunimit konstruktiv.

Në mënyrë që të sigurohet një shumicë funksionale në Dhomën e Ulët pas zgjedhjeve shkatërrimtare të parakohshme të vitit të kaluar, Kryeministrja e Britanisë Theresa May the konservatorët e saj kanë bërë një marrëveshje me Partinë Demokratike Unioniste të Irlandës së Veriut, parti që i ka rrënjët në traditat më ekstremiste unioniste. Për rrjedhojë, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar duket e paaftë për të vepruar si një ndërmjetës i mirë.

Bisedimet aktuale për Brexit po i komplikojnë gjërat edhe më shumë për shkak se askush nuk e di se çfarë marrëveshjeje do të kemi dhe çfarë pasojash do të ketë kjo për Irlandën e Veriut dhe Republikën e Irlandës, të cilat do të jenë të ndara tashmë nga kufiri mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Europian. Ndërsa shumë politikanë thonë se ata duan një kufi pa pengesa, May dhe disa nga kolegët e saj kanë diskutuar largimin si nga tregu i përbashkët ashtu edhe nga bashkimi doganor, rrjedhimisht duke e vënë Mbretërinë e Bashkuar jashtë zonës së lirë të tarifave në të cilën tregtia lehtësohet nga rregullat e përbashkëta. Irlanda e Veriut, thonë ata, do të duhet të ketë të njëjtat rregulla tregtie si pjesa tjetër e Mbretërisë së Bashkuar.

Kjo lë dy mundësi: ose një regjim tregtar pa pengesa që operon në të gjitha ishujt Britanikë, ose një kufi i fortë përmes Irlandës. Në fund të fundit, vendet e tjera të BE-së nuk do të lejojnë vetëm Anglinë, Skocinë dhe Uellsin të lënë tregun e përbashkët dhe bashkimin doganor, ndërkohë që lënë Irlandën e Veriut në të. Kjo mund ta bëjë tepër të lehtë shmangien e rregullave, të tilla si rregullat e origjinës, me një vend jo-BE që eksporton mallra në Irlandë si hallkë ndërmjetëse për tregtinë mes BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar. Probleme të ngjashme shfaqen në lidhje me lëvizjen e lirë të njerëzve brenda BE-së – një rregull ndaj të cilit Mbretëria e Bashkuar nuk dëshiron t’i nënshtrohet.

Asnjë nga këto sfida nuk duhet të vijë si surprizë. Paralajmërimet janë dhënë shumë kohë më parë; qeveria e Britanisë thjesht i injoroi ato. Zgjidhjet potenciale mbeten një mister, por autoritetet do të duhet të përballen me problemin herët apo vonë.

Është e sigurt se nuk ka një zgjidhje të lehtë teknologjike. Çdo sistem kontrolli do të përfshijë në mënyrë të pashmangshme kontroll fizik. Zyrtarët e doganave të ngarkuar me detyrën për zbatimin e këtyre kontrolleve do të bëhen në mënyrë të pashmangshme simbole të ndasive, dhe potencialisht një provokim për dhunë nga ekstremistët republikanë, siç ka ndodhur në të shkuarën. Gjithçka që do të nevojitet do të jetë një sulm që do të shtyjë qeverinë të fuqizojë sigurinë, duke thelluar ndarjet dhe duke nxitur më shumë dhunë.

Rivendosja e kufirit të fortë në Irlandë do të jetë shkatërrimtare, për shkak se do të minojë Marrëveshjen e të Premtes së Mirë. Dikush shpreson se udhëheqësit e Irlandës do ta ngulitin këtë mirë në mendjet e politikanëve të Mbretërisë së Bashkuar, duke shtyrë për një zgjidhje që nuk kërcënon paqen e fituar me shumë mund në Irlandë si dhe mirëqenien e ishullit.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. The Return of the Irish Question

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne