Rikthimi i Turqisë në Ballkan përmes ekonomisë

Pyetja që shtrohet është se kush do ta mbushte me më shumë sukses boshllëkun e lënë nga zbatica europiane në Serbi, Shqipëri, Bosnjë, Mal të Zi, Maqedoni dhe Kosovë? Një përgjigje e shpejtë do t’ia akordonte Serbinë dhe Malin e Zi Rusisë, ndërsa Shqipërinë, Bosnjën, Maqedoninë dhe Kosovën Turqisë.

Shkruan: Vehap KOLA, Tiranë

Samiti i Helsinkit ndërmjet presidentit amerikan Trump dhe presidentit rus Putin ka nxitur një valë paralajmërimesh dhe thirrjesh për të rishikuar pozicionin strategjik të vendeve, për shkak se bisedimet kokë me kokë ndërmjet dy liderëve mund të kenë prekur edhe çështje të rendit botëror. Interesat e dy superfuqive ushtarake duket se përkojnë: Rusia nuk paraqet më rrezik për ekonominë e SHBA-së. Rreziku i vërtetë vjen nga tregjet konkurruese të Kinës, BE-së dhe Indisë. Për këtë arsye, Trump-i ka prishur disa dhe po punon për të prishur disa marrëveshje të tjera të vjetra ekonomike. Ndërkohë, Rusia kërkon rritjen e ҫmimit të naftës, jetik për ekonominë e saj të varur kryesisht nga burimet e hidrokarbureve. Kështu të dyja vendet mund të bashkëpunojnë për t’i dhënë njëra-tjetrës atë që është më jetike në epokën e luftërave tregtare: legjitimitetin. Rusia, nga njëra anë, do t’i bashkohet administratës amerikane për të denoncuar dhe shpallur të pavlefshme marrëveshjet tregtare, sepse koston e prishjes së tyre e paguan BE-ja dhe Kina, ndërsa SHBA-ja, nga ana tjetër, do të nisë me shumë mundësi ndonjë luftë të re në Gjirin Persik, për t’u dhënë rusëve ҫmimin e dëshiruar të naftës.

Nëse dyshime të tilla do të mbështeten edhe nga zhvillimet e mëvonshme, sidomos nga një tjetër samit që pritet të zhvillohet ndërmjet dy presidentëve, kësaj radhe në SHBA, në periudhën afatgjatë do të ndodhin ndryshime të mëdha në skenën politike e ekonomike botërore. Sigurisht, luhatjet e pllakave tektonike të politikës botërore do të ndjehen në pjesët më të brishta, respektivisht në brezat kufitarë ndërmjet zonave me identitet të ndryshëm politik e ekonomik. Konkretisht, ndryshimi i rendit botëror do të prekte në mënyrë të veҫantë qëndrueshmërinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, perspektiva e të cilave mbetet e paqartë. Një pjesë e sinjaleve për goditjen ndaj BE-së u dhanë gjatë samitit të NATO-s në Bruksel dhe takimeve të nivelit të lartë në Britaninë e Madhe. Trump-i dridhi themelet e aleancës veri-atlantike me deklaratat për tërheqje nga aleanca nëse vendet anëtare nuk e përmbushin pragun e shpenzimeve buxhetore për mbrojtjen, ndërsa e quajti BE-në një armik publik të Shteteve të Bashkuara.

Në këto kushte, rikthimi i shumëpritur i SHBA-së në Ballkan dhe Europë duket tashmë si një ëndërr e shkuar. Administrata Obama ia kishte lënë BE-së një rol udhëheqës në këtë rajon të paqëndrueshëm, ndërsa administrata e re duket se nuk e ka gadishullin e copëtuar në përparësitë e politikës së jashtme. Nuk ka nevojë të përmendet se një BE e dobësuar nga presionet populiste brenda saj dhe e kërcënuar nga një aleancë sanduiҫTrump-Putin, do të ishte tërhequr nga ҫdo politikë zgjerimi ose mbizotërimi në Ballkanin Perëndimor. Atëherë, pyetja që shtrohet është: kush do ta mbushte me më shumë sukses boshllëkun e lënë nga zbatica europiane në Serbi, Shqipëri, Bosnjë, Mali të Zi, Maqedoni dhe Kosovë? Një përgjigje e shpejtë do t’ia akordonte Serbinë dhe Malin e Zi Rusisë, ndërsa Shqipërinë, Bosnjën, Maqedoninë dhe Kosovën Turqisë. Prania e investimeve ruse në sektorët strategjikë në Serbi dhe Mal të Zi është tashmë reale dhe e konsoliduar. Potenciali i saj financiar nuk ia lejon Rusisë më shumë se kaq. Po, ҫfarë mund të thuhet për rolin ekonomik të Turqisë në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor?

Së pari, duhet theksuar se, duke vlerësuar forcën e politikës së jashtme dhe fokusin e investimeve direkte të Turqisë në rajon, vendi më prioritar duket të jetë Bosnja, e ndjekur nga Maqedonia dhe Kosova. Shqipëria duket se përbën pak interes strategjik për Turqinë. Pas privatizimit të kompanisë publike të telekomunikacionit në vitin 2007 dhe marrjes së paketës së kontrollit të një banke të nivelit të dytë, investimet turke kanë zënë një vend modest në totalin e investimeve të huaja direkte në vend. Nëse një projekt për ndërtimin e një aeroporti në Vlorë dhe themelimin e një kompanie shqiptare të fluturimeve, me ndihmën e kompanisë turke “Turkish Airlinës” do të realizohen, mund të aludojmë për një rikthim të vëmendjes së Turqisë drejt Shqipërisë. Bosnja u bë vendi me më shumë investime turke në rajon në vitin 2010, ndërsa në vitin 2015 Turqia zuri vendin e dytë për investimet e huaja direkte në Kosovë, me 54 milionë euro.  Por, sërish, këto katër vende përbëjnë një treg shumë të vogël për oreksin e investitorëve turq. Në vitin 2015, rajoni arriti të thithte vetëm 3% të 4.8 miliard €, që investuan korporatat turke në botë.

Dinamika e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Turqisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor ka mbetur përgjithësisht e pandryshuar gjatë dekadës së fundit, me gjithë premtimet emocionale në fjalimet politike nëpër Ballkan. Ndonëse Turqia ka luajtur një rol politik të rëndësishëm në rajon, performansa e saj ekonomike nuk i ka konkurruar dot vendet e BE-së, si Italia dhe Gjermania, që kanë shënuar rezultatet më të mira. Megjithatë, duket se infrastruktura për një rol të rritur të Turqisë në rajon dhe për praninë më të lartë të kapitalit turk janë shtruar, me kujdes, përmes strategjisë soft power të strategut Davutoğlu, i cili në vitet 2009-2010 nuk la vend të Ballkanit pa vizituar për ta promovuar rolin e Turqisë si një qetësues gjakrash në rajon. Tërheqja e BE-së, pas asaj të SHBA-së, nga rajoni do të nxjerrë në pah nevojën e madhe për një qetësues gjakrash ndërmjet vendeve të vogla të Ballkanit dhe aftësia e Turqisë për ta vërtetuar kapacitetin e saj për një mision të tillë do ta përcaktojë edhe shkallën e suksesit të saj. Nëse Ankaraja do të merrte përsipër dhe do t’ia dilte të zgjidhë ngërҫin kushtetues që e mban peng Bosnjë-Hercegovinën ose të ndërmjetësojë një marrëveshje historike mes Serbisë dhe Kosovës, kjo do ta vuloste përfundimisht lidershipin e saj të padiskutueshëm në rajon.

Por, duket se derisa Turqia po bën më pak gjëra në Ballkanin Perëndimor, ajo po arrin më shumë. Janë vetë qeveritë e këtyre vendeve që kërkojnë ndihmën e Turqisë për të ndalur emigrantët, për të sjellë gaz nga rajoni i Kaspikut dhe për investuar kapitalin e saj në sektorët strategjikë. Bosnja dhe Serbia po kërkojnë ndërmjetësimin dhe lehtësimin, nga ana e Turqisë, të negociatave për gjurmën e autostradës Beograd-Sarajevë. Ajo nuk ka ofruar vetëm ndërmjetësim, por edhe financim për një pjesë të saj. Shqipëria ka kërkuar ndihmën e Ankarasë për të ndërtuar një aeroport në zonën e saj turistike dhe për të themeluar një kompani ajrore vendase me asistencën e një kompanie ajrore turke. Ndërkohë, BE-ja ka ҫuditur shumëkënd në rajon me zvarritjen e mëtejshme të hapave të integrimit. Kosova, për të tretin vit radhazi, merr një rekomandim shterp për liberalizimin e vizave, ndonëse ajo i ka përmbushur me kohë kushtet për të. Maqedonia dhe Shqipëria kanë marrë një premtim se vitin tjetër do të rishqyrtohen aplikimet e tyre për avancimin e procesit të negociatave. Përgjigjet evazive të Brukselit ndaj aspiratave këtyre vendeve të vogla për integrim mund t’i shtyjnë më tej këto të fundit të shohin për partnerë të tjerë strategjikë. Dhe, Turqia, si një ekonomi e madhe dhe rival politik i unionit në rajon, duket se do ta mbushë këtë boshllëk./ shenja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne