Kryetari i Bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peçi ka zhvilluar dje në mbrëmje një takim elektoral brenda ambienteve të kishës së fshatit Lekël.
Peçi ka bërë premtimet për katërt vitet e ardhshme, ndërsa thotë se “biseduam e folëm gjatë, megjithatë besimi dhe shpresa për ti kthyer Leklit vëmëndjen është e madhe”.
Postimi i plotë i Tërmet Preçit:
Në kishë, edhe pse në orë tepër të vonë, aty gjeta mikpritjen si rrallëkund, të burrave dhe grave të këtij fshati, që dikur ka qene një qendër e rëndësishme me ndikim në rrëzë.
Të flasësh me Lekëliot për historinë, traditën, njerëzit, me siguri do duheshin ditë të tëra sepse padyshim është fshati më historik në ish- rethin e Tepelenës.
E nisëm bisedën në kishën e fshatit. Një traditë që i shoqëron në shekuj, mbledhjet dhe kuvendimet e Lekëliotve. Kjo për faktin se fjala e lënë në vend të shenjtë, duhet patjetër të marrë udhë e të bëhet realitet.
Aty kanë lindur njerëz të mëdhenj, si gjenerali më besnik i Ali Pashës, Thanas Vaja e Janko Poga. Bezhanajt, themeluesit e bankës së parë shqiptare më 1831 në Vlorë. Rilindasi Anastas Byku e Theodhos Llukani. Simboli i arsimit kombëtar Thoma Papapano e mjaft të tjerë njerëz të suksesshëm, të cilët realisht të krijojnë bindjen se Lekli i 7 – mëhallëve dhe 7 kishave, dhe me një kala 3000 vjeçare, është një djep për kulturën e zonës tonë.
Biseduam e folëm gjatë, megjithatë besimi dhe shpresa për ti kthyer Leklit vëmëndjen është e madhe. Projekti i rrugës dhe qendrës së fshatit janë gati dhe kemi kërkuar realizim e tyre. Premtimi im është që do bëj të pamundurën për ta bërë pjesë të Programit Qeveritar 100+ Fshatrat, pasi kostot për ta realizuar me buxhet të bashkisë, do të bëjnë të mundur vetëm rivitalizimin e qendrës së fshatit. Lekli duhet të jetë patjetër në hartën turstike, pasi përfaqëson Rrëzën dhe duke e lidhur me Kurveleshin që tashmë ka marrë udhë, do mund të kemi në të ardhmen, një Tepelenë me vlera të vërteta turstike.
Fokusi ynë në këtë 4 vjeçar do jetë fshati dhe e gjithë energjia jonë do të përqendrohet në infrastrukturën rurale. Gjithashtu jemi kemi nisur edhe disa projekte, ku me ndërtimin e një thertoreje, do të lehtësojmë tregun e produkteve të mishit duke krijuar kushte dhe standarde bashkëkohore, po ashtu edhe për bimët medicinale. Do të vijojmë të ndërtojmë kanale vaditëse për tokat bujqësore, rezerva ujore (lera) do t ‘bëjmë pastrime kullotash e shumë të tjera, të cilat do të ndikojnë ekonomitë e familjeve në zonë…
Ata kanë votuar dhe do të votojnë Partinë Socialiste më 30 qershor. Ne jemi të vendosur dhe të bindur tek e vetmja forcë që ka treguar se mund ta ndryshojë Tepelenën hap pas hapi e vit pas viti… Faleminderit për mikpritjen Lekëliot! /gazetaliberale