Rilindja që polli krimin në politikë

Nga Boldnews

I vetëm në zgjedhje, pa rivalë, pa garë, ishin të fituar ende pa nisur votimi, por vesi del me shpirtin dhe e ka të pamundur që të shkëputet nga bota e krimit, e cila ka veshur kostumin e politikës. Kryeministri Edi Rama, në daljen e fundit publike pyeste si i habitur të vetëshpallurit analistë: “Përse duhet të vendosja njerëz me rekorde kriminale kur e dija që do të fitonin?… Asnjë prej analistëve nuk kishte një përgjigje, që gjithsesi është majë gjuhës nga çdo qytetar. Sepse Rama nuk mund të qeverisë pa ta, me apo pa garë. Ata i duhen pasi janë oksigjeni politik që e mban në pushtet.

Është absurde të mendohet që edhe pa garë Rama të vendoste në krye të bashkive persona me të shkuar të errët kriminale, por qëllimi për të është i qartë. Në Shkodër përzgjodhi Valdrin Pjetrin, në Vorë Agim Kajmakun, në Vaun e Dejës Mark Babanin. Që të tre dyshohet se kanë qenë të proceduar dhe dënuar në një nga vendet e BE-së, për trafik droge, falsifikim parash dhe grabitje automjetesh.

I pari që e pranoi dënimin ishte Valdrin Pjetri, por edhe ai i detyruar ta bënte diçka të tillë pasi PD nxorri dokumentet që rezultonte i dënuar dhe dëbuar. Në kohën kur ishte student, Pjetri qe ndaluar në Itali dhe dëbuar prej andej pasi u kap më një sasi lëndësh narkotike.
Nga ana tjetër, Agim Kajmaku është gjetur në shkelje ligjore nga prokuroria, e cila vërtetoi se ai ishte i arrestuar dhe proceduar në Greqi në vitin 2003, në emrin tjetër Jorgo Tota. Krahasimi i gjurmëve të gishtërinjve e tradhtoi mashtrimin e të zgjedhurit, Kajmakut të Ramës, i cili tashmë pret vetëm vendimin përfundimtar nga KQZ-ja, e cila ligjërisht duhet ta shkarkojë.

Në proces është edhe kryebashkiaku i Vaut të Dejës Mark Babani që sipas PD-së rezulton të jetë arrestuar dhe dëbuar nga Italia për akuzën e grabitjes së automjeteve. Nuk janë raste të izoluara por fenomen.

Një nga akuzat të cilat kryeministri Edi Rama nuk ka mundur që ta mbulojë dot, pavarësisht se mbi të nuk ngjit më asgjë, as skuqet e as zverdhet, është se në Parlamentin e legjislaturës 2013-2017 solli të dënuar për trafik prostitucioni, trafik droge, grabitje të dhunshme e madje edhe të akuzuar për vrasje. Që të gjithë ishin të përzgjedhurit e tij, të cilëve u hoqi “uniformat e burgut” dhe u veshi kostimin e Rilindjes.

Kjo batërdi, ku krimineli mori karrigen e rëndë të pushtetarit u shtri edhe në bashkitë e drejtuara nga socialistët. Gjithashtu nuk mund të shpëtonte as administrata e lartë publike dhe këshilltarët e bashkive.

U desh ligji i Dekriminalizimit që të dilnin në skenë emra të cilët ndonëse mbanin veshur kostumin e deputetit apo të drejtuesve të lartë lokal fshihnin të shkuarën e tyre të errët. “Nuk dija gjë për të shkuarën e tyre”-është ky justifikimi që kryeministri Edi Rama ka për çdo emër që i del se ka qenë i dënuar apo proceduar në një nga vendet e Bashkimit Europian. Nuk janë pak por 117 të shkarkuar dhe larguar që janë prekur nga dekriminalizimi, ku mbi 90 për qind e tyre vijnë nga radhët e PS-së.

Megjithatë Rama nuk do heqë dorë prej tyre, sepse ata e mbajnë në pushtet. Prej tyre erdhi, nga ata po mbahet dhe politikisht prej tyre do të vijojë të jetë në krye të qeverisë. Nëse një ditë do të detyrohet të ikë prej llumit që e solli vetë, Rama është i humbur politikisht.

Ai nuk do ketë më të fortë që blejnë vota, shantazhojnë dhe manipulojnë qytetarët para se të shkojnë në kutinë e votimit. E gjitha është një makineri “përfekte e së keqes”, që pasi i jep votat Rilindjes kërkon haraçin e saj, që është barrë e rëndë për qytetarët. Ata duan pushtetin e errët, kërkojnë të lulëzojë trafiku i drogës, të fusin duart në paranë publike dhe përfitojnë tendera në vlera të mëdha./Boldnews

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne