Rimbursimi i teksteve shkollore, përfitojnë familjet me mbi 3 fëmijë

Shtohet kategoria e familjeve përfituese për librat shkollor falas. Këtë vit, krahas fëmijëve të familjeve në nevojë do të përfitojnë edhe ato familje që kanë mbi 3 fëmijë në arsimin parauniversitar.

Specialisti në drejtorinë e arsimit parauniversitar, Dritan Sallaku, theksoi për televizionin Scan se, prindërit do të kompensohen nga buxheti i MAS, pas dorëzimit të faturës për blerjen e librave.

“Kategoritë që përfitojnë janë nxënësit që vijnë nga komuniteti rom, komuniteti egjiptian, viktimat e trafikimit që kemi sot, nxënës që janë në institucionet e paraburgimit dhe vuajtes së dënimit, nxënës që vijnë nga familje që janë me ndihmë sociale dhe pagën e papunësisë që përfitojnë, Ka edhe kategori të tjera që përfitojnë maksimalisht mbulimin e kostos së tekstit shkollor nga buxheti i shtetit. Çdo familje shqiptare që ka disa fëmijë, i treti e më lart përfiton tekstin shkollor falas. Pra, çdo i tretë fëmijë, i katërt apo i pestë përfiton dhe i mbulohet kostoja e tekstit shkollor falas”, u shpreh Sallaku.

Sallaku theksoi se, fondi i vënë në dispozicion prej 310 milionë lekësh për rimbursimin e teksteve shkollore për fëmijët për kategoritë sociale në nevojë, është i mjaftueshëm.

“Procesi është zhvilluar normalisht vit pas viti, por ka edhe kategori të tjera të cilat drejtpërdrejt mbulohen nga buxheti i Ministrisë së Arsimit, pa patur një marrëdhënie të tillë midis prindit apo nxënësve dhe pikave të shitjes së tekstit shkollor.

A është e përballueshme kjo për buxhetin e Ministrisë?

Po, është e planifikuar, është e përballueshme dhe ka funksionuar nga viti në vit normalisht për kategoritë që adresohen në këtë metodikë të mbulimit të kostos”, tha Sallaku për SCAN.

Rreth 100 mijë nxënës të arsimit parauniversitar që vijnë nga shtresat sociale në nevojë janë parashikuar të përfitojnë këtë vit nga rimbursimi i teksteve shkollore.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne