Nga Artur Shkurti
Drejtor i shkollës “Udha e shkronjave”
Tiranë më 16 korrik 2026
Sami Frashëri thotë “Nëse shikon që dikush ka një ide të madhe në jetë, mos kërko për të dytë se njeriu s’mund të ketë më shumë se një ide të madhe në jetë”
Ideja e madhe e Abdi Baletës ishte riprodhimi i kombit shqiptar në shekuj me të drejta, identitet e kulturë kombëtare.
Për ta realizuar këtë ai u përfshi në debatin për pronën, për copëtimin e trojeve etnike, për çështjen fetare, për luftën kundër komunizmit, për përçarjet e niveleve të ndryshme, etj. duke vënë në punë dituritë e shumta. Ai ia nënshtroi çdo zgjidhje idesë së madhe kombëtare. Kjo nuk ka qenë e lehtë dhe as e zakonshme ndër njerëzit. Shumica ndalen tek pjesa!
Ish-pronarët u këshilluan nga Abdiu që të mos shihnin vetëm çështjen e pronave si çështje individuale, por edhe çështjen kombëtare, por shumë prej tyre u ndalën aty. Sot ata nuk i gjen të citojnë apo nderojn Abdiun që ka veprën më të plotë në mbrojtjen e pronës nga “Ligjet antikombëtare për Tokën”. Pra morën ca prona dhe s’ka problem për çështjen kombëtare!
Myslimanët morën prej Abdiut veprën unikale “Islamofobia”. Abdiu nuk e shkroi nga një pikëpamje fetare por nga një interes kombëtar për të kuptuar vetë shqiptarët që me shumicë u konvertuan në myslimanë! Ka një dallim të madh! Ka mundësi që hoxhallarët të mos ua këshillojnë leximin e Abdiut besimtarëve se e kanë të qartë se Abdiu do t’i bëjë më shumë kombëtarë në arsyetim e ndjesi dhe ky pozicion e këndvështrim u duket i pasigurtë sepse ata vetë nuk e zotërojnë me njohuritë e njëanshme. Këtë e pamë edhe me injorimin e dëmtimit të Naim Frashërit. Si të mos e kenë mendjen tek dëmtimi i Naimit sigurisht s’u bie në mend as për Abdiun edhe pse është Abdiu që jep arsyetimet më të fuqishme e të frytshme për mbrojtjen nga “Islamofobia”. Myslimanët shqiptarë mund të mbrohen nga islamofobia nëse janë kombëtarë dhe jo të zhveshur nga kombësia! Ka investime në veprën e Abdiut por janë të atyre që e kuptojnë mjaft mirë se kush është e çfarë argumenti afatgjatë ka!
Abdiu i mbrojti realisht të persekutuarit dhe ka shumë zgjidhje efektive sidomos për të marrë në mënyrën më të shkurtër arsimin juridik. Këtë nuk e bëri aspak që t’u binte në sy për mirë, se Abdiu kishte karakter tepër të lartë realisht burrëror, por e bëri nga pikëpamja e shërimit kombëtar se realisht kuptoi (kish qenë kryetar gjykate) skemën dëmtuese të sistemit komunist. Abdiu e theksonte “nuk jam i persekutuar”. Megjithëse Abdiu ndikoi thellësisht zgjidhjet dhe argumentimin ligjor të dëmshpërblimit të të persekutuarve, një pjesë e konsiderueshme e tyre e sjellin punën sikur ca ligje ua solli pelikani dhe jo përpjekjet konkrete në Parlament! Heshtjet e tyre janë pjesë e smirës dhe e mosmirënjohjes.
Kaq shumë ka luftuar Abdiu për çështjen çame sa jo rallë mbahet mend për këtë! Abdiu nuk ishte çam dhe as kishte fobi ndaj grekëve por ishte duke monitoruar çështjen shqiptare pjesë integrale e së cilës ishte çështja çame! Megjithatë sot shumica e çamëve duket sikur u vjen turp të citojnë Abdiun dhe e kanë më kollaj të citojnë ndonjë grek se kështu u duket se do të “prekin” grekët t’u lëshojnë ndonjë përfitim.
Abdiu ka qenë i pari që ka zbuluar skoliozën e thellë të Partisë Demokratike skoliozë që ia bënte dëshira e kreut për të ndarë pushtetin me PS-në që është kaq e dukshme sot. Por nuk i gjen “demokratët” e thekur të citojnë Abdiun. Më të lehtë e kanë të bëjnë “plagjiaturën” e argumentit të tij origjinal. Kur Abdiu bënte mbrojtjen apo kritikën e PD-së ai e bënte përsëri nga një pikëpamje kombëtare.
Abdiu është publicisti NR.1 që ka shkruar më shumë nga çdo gazetar në Shqipëri. Për shumicln dërrmuese ai nuk është paguar! Megjithëse çdo gazetar duhet ta ketë shembull veprën e tij ata bëjnë sikur kjo s’ka rëndësi dhe fshehin kokën si struci, bëjnë sikur s’dinë. As u shkon në mend të thonë “Si mund të marr shembullin e Abdiut”.
Abdiu nuk shkruante shumë se ishte pa punë, por sepse ai e dinte se ato arsyetime nuk bëheshin dot pa ndihmën e tij, pa diturinë, përvojën dhe karakterin e tij dhe kryesorja pa këndvështrimin kombëtar unik të tij.
Hafiz Ali Korça kujton për Naim Frashërin që e kishte vizituar pasi ishte dy muaj sëmurë. Naimi i kish thënë “Më shëroi perëndia që iu bëfsha kurban sepse ende s’i kam mbaruar punët për të cilat kanë nevojë shqiptarët”
Abdi Baleta qartësisht e ka patur të qartë se edhe ai gëzonte këtë ndriçim, frymëzim, vetëdidije, mision, aftësi, ndaj ai u kujdes të mos e turpëronte shqiptarin! Abdiu është shqiptari më përfaqësues i kohëve tona! Njerëzit bëjnë mirë të mos vonohen së lexuari veprën unikale “Kronikë kohe” (36 vëllime) botuar nga ALSAR.


















