Bota

Rouhani: Izraeli luan rol shkatërrues në Lindjen e Mesme, ISIS mbështetet nga SHBA-ja dhe Izraeli

Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani, tha se Izraeli, i cili zbaton sanksione ndaj njerëzve në rajon, që rrethon Gazën dhe që ndihmon DEASH-in në Siri, luan një rol shumë shkatërrues në Lindjen e Mesme.

Në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë, Rouhani ka zhvilluar një takim me Kancelarin austriak, Sebastian Kurz, ku në një konferencë të përbashkët për shtyp Presidenti iranian ka bërë të ditur se krahas marrëdhënieve dypalëshe kanë biseduar edhe për çështjet rajonale dhe marrëveshjen bërthamore.

Duke folur për zhvillimet në Siri pasi ka theksuar se në kuadër të bisedimeve në Astana që vazhdojnë me pjesëmarrjen e Rusisë, Turqisë dhe Iranit është arritur një sukses i rëndësishëm në luftën kundër organizatës terroriste DEASH, Rouhani ka pretenduar se DEASH mbështetet nga SHBA-ja dhe Izraeli.

“Kemi marrëdhënie të mira dhe të ngushta me hebrenjtë në botë, por sionistët okupues, Izraeli i cili zbaton sanksione ndaj njerëzve në rajon, që rrethon Gazën dhe që ndihmon DEASH-in në Siri, luan një rol shumë shkatërrues në rajon”, ka vlerësuar Rouhani duke shtuar se disa vende në Evropë kanë ndjeshmëri ndaj hebrenjve.

Kurz gjithashtu vuri në dukje se marrëdhëniet diplomatike mes Austrisë dhe Iranit kanë një të kaluar rreth 160 vjeçare dhe se marrëdhëniet midis dy vendeve kanë qenë gjithmonë të mira.

Duke kujtuar se negociatat do të mbahen në Vjenë për të arritur një konsensus të ri pas tërheqjes së SHBA-ve nga marrëveshja bërthamore, Kurz shprehu bindjen e tij se palët do të arrijnë një rezultat pozitiv.

“Shprehjet në lidhje me vendosjen në pikëpyetje ose shkatërrimin e ekzistencës së Izraelit janë të papranueshme për ne”, tha Kurz duke bërë të ditur se lufta kundër antisemitizmit dhe mbështetja e Izraelit janë të rëndësishme për ta.

Ndër të tjera Kurz, deklaroi se nënvlerësimi i Holokaustit është i papranueshëm dhe se siguria e Izraelit nuk është një çështje e diskutueshme për Austrinë. (AA)

OPINIONE