Rouhani: Japonia dëshiron të vazhdojë blerjen e naftës nga Irani

Hassan Rouhani organizoi një konferencë shtypi të përbashkët me Kryeministrin japonez, Shinzo Abe, i cili po qëndron për kontakte zyrtare në Teheran.

Ai theksoi se Japonia mbështet vijimin e marrëveshjes bërthamore me Iranin dhe se vetë Kryeministri Abe e konsideron akordin në fjalë si të dobishëm për rajonin e botën.

Rouhani tërhoqi vëmendjen se Teherani dhe Tokioja besojnë fuqishëm që teknologjia atomike duhet të përdoret për qëllime paqësore dhe janë kundër armëve bërthamore.

“Japonia dëshiron të vazhdojë blerjen e naftës nga Irani dhe të zgjidhen problemet kulturore, shkencore e financiare. Kjo situatë është një çështje që do të përcaktojë zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe”, vijoi presidenti iranian.

Pasi sqaroi se me Aben kanë biseduar edhe për investimet që Japonia do të bëjë në brigjet jugore të Iranit, sidomos në Çabadar dhe Makran, Rouhani shprehu bindjen se investimet e premtuara nga Tokioja do të mundësojnë zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Mes të tjerash, burrështetasi iranian njoftoi se me shefin e qeverisë japoneze kanë negociuar gjithashtu për rindërtimin e Sirisë dhe mbështetjen e zgjidhjes së krizës në Jemen.

Kryeministri Abe, nga ana e tij vuri në pah se Lindja e Mesme sundohet aktualisht nga një tension i lartë dhe se “konflikti ushtarak duhet të parandalohet me çdo kusht”.

“Paqja në Lindjen e Mesme është domosdoshmëri jo vetëm për këtë rajon, por edhe për të gjithë botën. Irani duhet të luajë rolin e tij konstruktiv për të frenuar përshkallëzimin e mëtejshëm të tensionit në rajon”, tha ai.

Sipas tij, bashkëpunimi i Teheranit me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (ANEA/IAEA) është pozitiv dhe duhet të vazhdojë.

“Ne presim që Irani t’i përmbahet marrëveshjes bërthamore. Askush nuk do luftë dhe Japonia është e vendosur të luajë në nivel maksimal rolin e saj për të evituar një konflikt ushtarak dhe për të reduktuar tensionin në rajon”, deklaroi Kryeministri japonez, Shinzo Abe, në fund të konferencës së përbashkët për shtyp me Presidentin iranian, Hassan Rouhani, në Teheran, ku ndodhet në kuadër të një misioni treditor në kërkim të një ndërmjetësimi mes SHBA-së dhe Iranit./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne