Rouhani: SHBA-ja duhet të braktisë politikat luftënxitëse

Gjatë një daljeje publike në Teheran pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Rouhani foli për marrëveshjen bërthamore dhe politikat e SHBA-së.

“Amerika duhet të kuptojë se armiqësia, politikat luftënxitëse dhe të presionit maksimal nuk funksionojnë në favor të saj. Ato duhet të braktisen”, deklaroi ai duke paralajmëruar se do të ndjekin “rrugën e rezistencës” në rast se SHBA-ja vazhdon të shtojë presionin.

Kreu i shtetit iranian vuri në pah se vendi i tij dëshiron të përfitojë nga teknologjia bërthamore paqësore dhe se në akordin nuklear, njohur zyrtarisht si Plani i Përbashkët i Veprimit (JCPOA), “kanë përvetësuar logjikën e angazhimit kundrejt angazhimit”.

“Nëse ata i përmbushin angazhimet e tyre, atëherë edhe ne i përmbushim. Por nëse ata i zbatojnë me mangësi, atëherë edhe ne bëjmë të njëjtën gjë. Hapi i tretë i Iranit konsiderohet si hapi më i rëndësishëm dhe nuk mund të krahasohet me dy hapat e mëparshme. Nëse nevojitet, ne do të bëjmë edhe hapa të reja në të ardhmen”, potencoi ai.

Rouhani tërhoqi vëmendjen mes të tjerash se ndërkohë që po kalojnë një proces nën presion të madh, duhet të injorohen disa simpatizantë të radikalizmit, ekstremistë dhe rrugë që dëmtojnë publikun.

“Populli po përballet mjaftueshëm me telashe dhe vështirësi. Ne s’duhet të lejojmë që populli ynë të ballafaqohet me më shumë probleme duke ndjekur rrugë të paarsyeshme”, u shpreh ai.

Gjithashtu presidenti iranian u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, t’i kushtojnë rëndësi votës së tyre dhe ta përdorin atë në favor të emrave që i konsiderojnë të aftë për të mbrojtur më mirë iranianët dhe të drejtat e tyre./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne