Bota

Rrëfimi i një ish-motoristi australian: si hoqi dorë nga jeta kriminale duke u bërë musliman

Me qafën, krahët dhe kokën e rruar dhe të ngjyrosur me tatuazhe, ish-motoristi Robbie Maestracci nuk duket si një musliman tipik. Megjithatë pesë vjet më parë, ndërsa ishte prapa hekurave, ai u kthye në Islam, duke krijuar një miqësi jo të zakonshme me një udhëheqës musliman në këtë proces, shkruan Daily Mail.

Maestracci thotë se komuniteti i dha atij një shans të dytë dhe në dokumentarin e CBC The Mosque Next Door, ish-motoristi foli për miqësinë e tij me imam Uzairin, i cili drejton xhaminë e Holland Park në Brisbane.

“Unë kam një histori kriminale, dhe prandaj kam qenë i burgosur”, tha Maestracci për dokumentarin.

“Unë jam shumë i bekuar që punoj me komunitetin, por nëse komuniteti ynë nuk do të kishte qenë i hapur ndaj meje, nuk do të kisha pasur se ku të punoj”.

Që nga largimi nga burgu, Maestracci themeloi një program mbështetës për muslimanët e tjerë në burg, dhe tani është një punonjës i Këshillit Islam për të rinjtë.

Ka rreth 100 të burgosur muslimanë në burgjet e Queenslandit sipas dokumentarit, shumë prej të cilëve Maestracci i ka ndihmuar përmes një programi të tij në burg.

Dy vjet pasi Maestracci u kthye në Islam, ai u arrestua në bastisjet kundër terrorizmit, përpara se akuzat kundër tij të hiqeshin për shkak të mungesës së provave.

Një tjetër person që kaloi një kohë në burg ishte edhe Jesse 21-vjeçar, i cili gjithashtu u kthye në Islam gjatë kohës sa ishte prapa hekurave, duke ndërruar emrin e tij në Xhihad.

“Unë ndalova së përdoruri drogën ditën kur u bëra musliman”, thotë Xhihadi në program.

Ndërsa muslimanët thanë se ata janë të trajtuar si një “bandë motoristësh” nga disa, ish-motoristi tha se i vetmi vend ku mund të gjesh ‘muslimanë të mirë praktikues’ është në xhami.

Seritë dokumentare rreth xhamisë së Holland Parkut të Brisbane, e cila u hap në vitin 1908, hedh dritë në jetën e muslimanëve, duke edukuar australianët se kjo është feja e dytë më e madhe në botë dhe se nuk duhet të kenë frikë nga ata.

Një studim nga tetori tregon se pothuajse gjysma e australianëve mbështesin një ndalim mbi imigracionin musliman.

Një studim i më shumë se 2000 njerëzve nga Instituti i Kërkimeve të Popullsisë Australiane, zbuloi se 54 përqind kërkonin një reduktim të marrjes vjetore të migrantëve.

Popullsia Australiane u rrit për 389,000 njerëz në 24.5 milion, kryesisht për shkak të ardhjes së emigrantëve të rinj. /tesheshi

OPINIONE