Rrënjët e zhvillimit të dobët të ekonomive ballkanike

Nga Dr. Erhan Turbedar

Ballkani, që nga vitet 1990 e deri më sot, nuk bën pjesë në rajonet me rritje ekonomike në botë. Përkundrazi, sipas llogaritjeve të bëra, tregohet se pjesa e vendeve të Ballkanit brenda Prodhimit të Brendshëm Bruto sa vjen edhe tkurret. Ajo që është më dramatike është se në dy shekujt e fundit distanca e mirëqenies mes Evropës Perëndimore dhe Ballkanit sa vjen e rritet edhe më shumë.

Me ndikimin e revolucioneve politike dhe industriale, gjatë viteve 1770-1914, bota dëshmoi përparime të rëndësishme social-ekonomike. Por për fat të keq ndikimi i këtij përparimi nuk u pasqyruan në mënyrë të barabartë në botë. Vendet e Ballkanit nuk përfituan mjaftueshëm nga të mirat e revolucionit industrial. Për shembull, përqindja e punësimit në sektorin e industrisë në vitin 1910 në Serbi ishte vetëm 7%, në Bullgari dhe Rumani 10% kurse në Kroaci ishte 13%. Për këtë arsye, përpara Luftës së I Botërore, diferenca e nivelit të të ardhurave reale për frymë ndërmjet Ballkanit dhe vendeve të Evropës Perëndimore fillonte nga dyfishi dhe në krahasim me vende të tilla si Belgjika, Holanda dhe Anglia arrinte deri në tre katërfish.

Historianët ballkanas dhe veçanërisht marksistët kishin tendencën të akuzonin faktorët e jashtëm për nivelin e ulët të zhvillimit ekonomit të Ballkanit në atë periudhë. Në këtë kuadër, kolonizimi perëndimor dhe imperializmi, që diskutohej në kuadër të koncepteve “qendër” dhe “përreth’ dhe ekzistencës së shtetit Osman për qindra vjet në Ballkan, ofrohej si arsyeja themelore e të ardhurave të ulëta që regjistroheshin në Ballkan përpara Luftës së Parë Botërore. Kurse në vitet e mëtejshme u zhvillua një literaturë e rëndësishme, që nivelin e të ardhurave të ulëta në fjalë, i shpjegonte me faktorët e brendshëm. Për shembull, John Lampe është përpjekur që zhvillimin e ulët në Ballkan ta shpjegojë me kushtet gjeografike, kufizimet institucionale dhe politikat e ndjekura nga qeveria. Sipas kësaj, vendet e pavarura të Ballkanit në shekullin e 19-të, në vend të ekonomisë, ishin të zëna me çështjet politike. Nga aspekti i Lampe, problemet e pjesshme të vonesës në industrializimin e vendeve të Ballkanit, ishin sektori bankar që nuk jepte kredi të rregullta deri përpara viteve 1910 dhe sistemi i arsimit që nuk mund të trajnonte një fuqi punëtore të kualifikuar për fabrikat.

Kurse Michael Palairet, duke ndjekur shembujt e Serbisë dhe Bullgarisë, tërhiqte vëmendjen se vendet e Ballkanit nuk mbështesnin zhvillimin e sektorit privat dhe nuk shihnin ngrohtë investimet e huaja. Sipas kësaj, vendet e Ballkanit kishin filluar të industrializohen në periudhën e shtetit Osman por kishin hyrë në procesin e stanjacionit ekonomik pas pavarësisë nga shteti Osman. Sipas llogarive të Palairet, në periudhën 1870-1912, prodhimi bujqësor për person në Serbi u tkurr në 27,4% ndërsa në Bullgari 14,3%. Edhe Barbara Jelavich ishte shprehur se vendet e Ballkanit deri në Luftën e I Botërore nuk kishin arritur të zbatonin mënyra moderne në bujqësi dhe gjithashtu kishin mbetur ballë për ballë me problemin e pamjaftueshmërinë njerëzore dhe fizike.

Sipas Ivan Berend, ekonomitë perëndimore të industrializuara deri në çerekun e fundit të shekullit të 19-të, kishin ofruar mundësi të jashtëzakonshme eksporti për të gjitha vendet e Evropës Lindore. Por për fat të keq, për shkak se nuk kishin shumëllojshmëri eksporti, vendet e Ballkanit nuk përfituan nga këto mundësi. Sipas përcaktimeve të Berend, në fillim të shekullit 20-të, 75-80% e eksportit të vendeve të Ballkanit përbëhej nga vetëm 5 produkte bujqësore.

Përcaktimet e bëra në këtë drejtim tregojnë se në rrënjët e zhvillimit të ulët në Ballkan qëndrojnë politikat e gabuara politike dhe ekonomike të ndjekura deri në fillim të shekullit të 20-të. Kurse luftërat e Ballkanit të përjetuara gjatë viteve 1912-1913 dhe luftërat botërore të përjetuara më pas gjatë viteve 1914-1918 dhe 1939-1945, përkeqësuan edhe më shumë gjendjen social-ekonomike në Ballkan. Shtetet e Ballkanit kishin marrë borxhe, ishin dëmtuar ekonomikisht dhe kishin përjetuar humbje të mëdha në popullsi. Për shembull, në Serbi në Luftën e I Botërore vdiqën 275 mijë meshkuj dhe u humb gjysma e stokut të kafshëve (bagëtive). Në Bullgari, që në të njëjtën luftë humbi rreth 100 mijë persona, prodhimi bujqësor ishte përgjysmuar në krahasim me periudhën përpara luftës. Kurse në Luftën e II Botërore, në vendet e Ballkanit humbën jetën rreth 3 milionë e 500 mijë vetë dhe gjithashtu ishte shkatërruar edhe gjysma fermave dhe industrisë.

Deri në fund të Luftës së Dytë Botërore, vendet e Ballkanit në përgjithësi, vazhduan ekonominë bujqësore dhe në drejtimin e tregtisë mbetën të varura nga vendet Perëndimore. Ndërsa pas Luftës së II Botërore, Bashkimi Sovjetik, përveç Greqisë, arriti të eksportojë në Ballkan sistemin ekonomik që njihet si planifikim qendror. Udhëheqjet komuniste, që erdhën në fuqi me ndihmën ushtarake sovjetike, mbetën të lidhura në mënyrë më të ngushtë me modelin ekonomik sovjetik. Nga ana tjetër, komunistët në Shqipëri dhe Jugosllavi, falë përpjekjeve të tyre vetjake morën në dorë pushtetin dhe duke vepruar në mënyrë pothuajse të pavarur nga sovraniteti sovjetik, përcaktuan strukturat ekonomike me plan qendror specifik vetjak.

Përgjithësisht, planifikimi qendror, me mbështetjen e politikave të industrializimit të zëvendësuar të importit, u duk si një rrugë për industrializimin e Ballkanit. Sepse ky sistem ndihmoi në transformimin e strukturës ekonomike të Ballkanit dhe në fund të viteve 1960, përveç Shqipërisë, të gjitha vendet e Ballkanit ishin të industrializuara. Për më tepër, pas Luftës së II Botërore, vendet e Ballkanit arritën të kapin një rritje të shpejtë ekonomike. Por për fat të keq, në periudhën pas viteve 1975, filloi të ngadalësohet rritja ekonomike e Ballkanit me plan qendror.

Për sa i përket arsyeve të ngadalësimit ekonomik është se sistemi në fjalë nuk siguroi kontroll ekonomik në cilësinë e duhur, lënda e parë u përdor në mënyrë shpërdoruese si dhe nuk shfaqi rinovime teknike dhe shpikje të tjera. Krahas kësaj, për shkak të një strukture tregtare të varur nga Bashkimi Sovjetik, kapaciteti tregtar i jashtëm dhe fuqia konkurruese e vendeve të Ballkanit mbeti i kufizuar. Si rezultat diferenca e mirëqenies ndërmjet vendeve perëndimore, zotëruese të tregut ekonomik dhe ekonomive të Ballkanit u rrit edhe më shumë. Për këtë arsye kalimi i vendeve të Ballkanit nga sistemi i mëparshëm në tregun ekonomik filloi në kushtet e një procesi negativ. Kurse luftërat dhe përleshjet e tjera të përjetuara në rajon gjatë viteve 1990, penguan madje edhe kalimin normalisht të procesit të trazicionit ekonomik në Ballkanin Perëndimor. Edhe pse Bullgaria, Rumania dhe Shqipëria ishin më në avantazh pasi ishin jashtë luftës, për shkaqe politike, reformat u vonuan në një nivel të rëndësishëm. Faktikisht në Ballkan arsyet politike kanë qëndruar gjithmonë përpara objektivave ekonomike. Për këtë arsye, krahas Greqisë që nuk del nga agjenda botërore me problemet ekonomike, edhe vendet e tjera të rajonit, vazhdojnë të qëndrojnë në rend të ditës me problemet ekonomike dhe problemet shoqërore që varen prej tyre. Populli i rajonit pret me padurim nga udhëheqësit e tyre që të përmirësojnë nivelin e mirëqenies në vendet e tyre./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne