Rreth 2 mijë persona në përgjim nga Krimet e Rënda, vetëm 60 zyrtarë të proceduar për korrupsion

Prokuroria e Krimeve të Rënda gjatë vitit 2016 ka pasur një rezultat negativ ndaj luftës së korrupsionit. Ky është organi kryesor që duhet të luftojë korrupsionin në nivele të larta, por deri tani asnjë pushtetar nuk është përballur me ligjin. Gazeta “Sot” ka siguruar raportin për vitin 2016 nga ku vihet në dukje se prokuroria ka proceduar vetëm 60 vepra penale të korrupsionit, ndërkohë që kjo shifër është mjaft e ulët në krahasim me raportin buletin të Ministrisë të Punëve të Brendshme të vitit 2016 për luftën ndaj korrupsionit. Kjo pasi në buletinin e Punëve të Brendshme vetëm në muajin qershor të 2016-ës janë zbuluar 88 vepra penale mbi korrupsionin dhe janë proceduar 136 autorë, ç’ka të jep idenë që prokuroria ka dështuar në aspektin e luftës ndaj korrupsionit.

Por një gjë e tillë nuk është pranuar nga prokuroria pasi në raportin e Krimeve të Rënda janë hedhur akuza mbi policinë e shtetit me argumentin se nuk ka bashkëpunuar dhe nuk ka paraqitur referime mbi zyrtarët e lartë që janë të përfshirë në korrupsion. “ Mbi drejtimin dhe përparësitë në luftën kundër kriminalitetit në tërësi dhe në veçanti kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit janë evidentuar problematika kryesisht në mungesën e një bashkëpunimi konstruktiv të Policisë së Shtetit, kryesisht mungesë referimi për vepra penale të korrupsionit të zyrtarëve të lartë si një domosdoshmëri në luftën kundër këtij fenomeni shqetësues”, shkruhet në raportin e Krimeve të Rënda.

Gjithashtu sipas raportit që gazeta siguroi, prokuroria e krimeve të rënda i vazhdonte akuzat kundrejt policisë për shkak se fajin kryesor që nuk është kapur asnjë zyrtar i korruptuar e ka pasur policia sepse në institucionin e policisë nuk ka pasur një seksion të veçantë për korrupsionin e zyrtarëve të lartë dhe funksionarëve të drejtësisë. Strukturë që do të sillte një bashkërendim dhe indetifikim më të mirë në luftën ndaj korrupsionit sipas Krimeve të Rënda.

2 mijë persona të përgjuar

Duke qenë se në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, numri më i madh i procedimeve penale ndiqen me hetime proaktive, kryesisht për veprat penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit, metoda speciale e hetimit që përdoret, është ajo e përgjimeve. Sipas raportit të siguruar nga gazeta, specifikohet se Krimet e Rënda në kuadër të procedimeve të zhvilluara mbi përgjimet e pajisjeve telefonike kanë arritur të procedojë 177 persona, një numër më i lartë krahasuar me atë të një viti më parë, i cili ka qenë 132 persona.

Gjithashtu, sipas të dhënave të raportit të Krimeve të Rënda janë dhënë dhe 716 autorizime për përgjimin e 1912 pajisjeve fundore edhe kjo një shifër më e lartë se ajo e vitit 2015. Kjo do të thotë se rreth 2 mijë persona janë vënë nën përgjim dhe sipas shifrave vetëm 177 janë proceduar, nga këta vetëm 60 zyrtarë. Përveç këtyre janë dhënë 7 autorizime nga ana e prokurorisë për të kryer përgjime ambientale. Vitet e fundit, kryeprokurori ka deklaruar shpesh herë se do ketë arrestime “VIP’, por tani e mbyll karrierën dhe nuk po ndodh një gjë e tillë. Në raportin e prokurorisë, 60 zyrtarët e proceduar janë zyrtarë të nivelit shumë të ulët dhe asnjë të nivelit të lartë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne