Rreth 300 kolonë izraelitë sulmojnë Xhaminë Aksa në Jeruzalem

Një situatë dhune u shkaktua nga forcat policore dhe kolonët izraelitë, pasi rreth 300 kolonë izraelitë sulmuan kompleksin e Xhamisë Aksa në qytetin e vjetër të Jeruzalemit që ndodhet nën okupimin e Izraelit.

Firas al-Debs, kreu i byrosë mediatike në departamentin islamik të ndihmave në Jeruzalem, tha se 284 kolonë morën rrugën drejt vendit të shenjtë përmes portës Bab al-Magharibah nën mbrojtjen e ushtarëve izraelitë dhe forcave speciale të policisë, raportoi agjencia e lajmeve Safa.

Debs shtoi se kolonët deshën të kryenin në oborrin e xhamisë veprime që konsiderohen provokative nga palestinezët, por besimtarët muslimanë dhe rojet e xhamisë i rezistuan veprimeve provokative.

Zyrtari palestinez vazhdoi të thotë se më shumë kolonë dhe ekstremistë izraelitë pritet ti mësyjnë Xhamisë Aksa nesër, pasi aktualisht ata po përkujtojnë festën hebreje të Shavuotit, e njohur si festa e javëve.

Territoret e pushtuara palestineze kanë përjetuar tensione të reja që kur Presidenti Donald Trump njoftoi vendimin e tij më 6 dhjetor të vitit të kaluar për të njohur Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit dhe për të zhvendosur ambasadën amerikane nga Tel Avivi për në qytetin e pushtuar.

Zhvendosja dramatike e politikës së Uashingtonit për qytetin e vjetër nxiti demonstrata në territoret e pushtuara palestineze, Iran, Turqi, Egjipt, Jordani, Tunizi,, Algjeri, Irak, Marok dhe vendet e tjera muslimane.

Më 21 dhjetor, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara votoi me shumicë votash në favor të një rezolute që i bënte thirrje SHBA-së të tërheqite njohjen e diskutueshme të Jeruzalemit si kryeqytetin e Izraelit.

Në një tentativë për të shmangur rezolutën, Trump kishte paralajmëruar se “vendet po vëzhgoheshin”, duke kërcënuar me reprezalje ndaj vendeve që do të mbështetnin rezolutën e cila më parë hasi në një veto të SHBA-së në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Megjithatë, Izraeli e hodhi poshtë rezolutën e trupit botëror duke falënderuar Trumpin për vendimin e tij për lëvizjen e ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Jeruzalem.

Më 18 janar, Shtetet e Bashkuara hoqën dorë nga një premtim për të kontribuar me 45 milionë dollarë për agjencinë e ndihmave të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët e Palestinës në Lindjen e Mesme (UNRWA), e cila mbështet më shumë se 5 milionë refugjatë palestinezë të regjistruar si dhe pasardhësit e tyre.

Njoftimi për prerjen e ndihmës për refugjatët palestinezë erdhi pasi presidenti amerikan bëri një kërcënim për të ndërprerë ndihmën ndaj agjensisë të OKB-së për refugjatët palestinezë.

Në një seri mesazhesh në Twitter në 2 janar, Trump tha se SHBA jep për palestinezët me qindra miliona dollarë në vit dhe megjithatë nuk merr asnjë vlerësim apo respekt.

“Meqë palestinezët nuk janë më të gatshëm të diskutojnë për paqe, pse atëherë duhet të japim gjithë këto shuma masive parash për ta?” tha ai./press/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne