Rrezik i kthimit të vizave? Holanda zbarkon me kryepolicë në Tiranë

Shqetësimi nga trafiqet dhe krimi i organizuar me origjinë nga Shqipëria në Roterdam, ka sjellë në Tiranë një delegacion të nivelit të lartë. Siç njofton dhe Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, “një delegacion i lartë, ndryshe i njohur si Trekëndëshi i Roterdamit për Rendin Publik dhe Sigurinë, i kryesuar nga kryetari i bashkisë së Roterdamit, Ahmed Aboutaleb, do të vijë për një vizitë zyrtare në Shqipëri, nga data 2 deri më 6 nëntor 2017”.

Por, sipas njoftimit të ambasadës, pjesë e delegacionit, përveç kryebashkiakut Ahmed Aboutaleb, do të jenë dhe krerë të institucioneve ligjzbatuese të Roterdamit.

“Drejtori i Policisë së Roterdamit, Frank Paauë, kryeprokurori i Roterdamit Marc van Nimëegen, drejtori i Aviacionit në Xhandarmërinë Mbretërore, në Ministrinë e Mbrojtjes Brig.Gen, Pieter Simpelaar do të jenë gjithashtu pjesëtarë të këtij delegacioni”, thuhet në njoftim.

Rreziku i rivendosjes së regjimit të vizave për shqiptarët krijoi tronditje në politikën shqiptare gjatë muajve të verës, kur një raport i policisë së Amsterdamit i kërkonte Parlamentit që ta diskutonte këtë çështje, pas rasteve të shumta të abuzimit të shqiptarëve me udhëtimin në zonën Shengen.

Fokusi i kësaj vizite do të jetë lufta kundër emigracionit të paligjshëm, trafikimit të qenieve njerëzore dhe krimit të organizuar.

Ardhja e këtij delegacioni në Shqipëri, ka si qëllim përcjelljen e shqetësimit që qytetarët dhe autoritete e Roterdamit kanë ndaj rritjes së kriminalitetit me origjinë nga Shqipëria.

Dje, delegacioni holandez zhvilloi një takim në Akademinë e Policisë me autoritetet shqiptare, por dhe organizata joqeveritare që operojnë në fushën e sigurisë dhe luftës ndaj krimit të organizuar.

Qëllimi i kësaj vizite, sipas Ambasadës Holandeze, është që të kuptohet situata në Shqipëri si dhe faktorët që shtyjnë qytetarët shqiptarë drejt rrugëve të rrezikshme të emigracionit të paligjshëm. Së bashku me Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), Holanda dhe Shqipëria po organizojnë një fushatë informuese në lidhje me këtë çështje.

 

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne