Shqiperia

“Rrezikojmë të bëhemi delja e zezë”, Ylli Manjani: 30% e popullsisë nuk përfaqësohet nga Kodi Zgjedhor

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, u shpreh në Euronews Albania se ligji aktual zgjedhor rrezikon të lë pa përfaqësuar rreth 30% të elektoratit shqiptar. Krahas kësaj, ai theksoi se Shqipëria rrezikon të marrë një penalitet tjetër nëse do të pranohet ligji aktual zgjedhor.

Ish-ministri shtoi se me rregullat e reja minoritetet që jetojnë ne vendin tonë rrezikojnë të mos përfaqësohen në Parlament, veprim ky që sipas tij, do t’i dërgonte një sinjal negativ Këshillit të Evropës. Gjithashtu Manjani theksoi se me ligjin e ri zgjedhor rreth 30% e elektoratit që merr pjesë në zgjedhje rrezikon të mos përfaqësohet.

“Kodi i ri zgjedhor është një mish-mash i paqartë. Për herë të parë rriskojmë që ne të konsiderohemi “delja e zezë” e Këshillit të Evropës, sepse minoritetet në Shqipëri, ngelen pa u përfaqësuar në jetën politike në vend dhe ma besoni se kjo nuk ka për të qenë një çështje vogël. Me këtë ligj rrezikon, që mund të mos ketë përfaqësues fare në parlament. Një ndër ligjet me antidemokratike që ka pasur vendi. Nuk janë marrë fare interesat e zgjedhjeve. Me këtë ligj zgjedhor të paktën 30% e atyre, që marrin pjesë në votim të mbeten pa u përfaqësuar ose përfaqësohen keq”, theksoi ai.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i dërgoi sot një mesazh për reflektim mazhorancës qeverisëse duke kthyer për rishqyrtim në Kuvend ndryshimet e bëra në Kodin Zgjedhor. Kreu i vendit theksoi se ndryshimet kushtetuese në Kodin e ri Zgjedhor janë të njëanshme, jodemokratike dhe diskriminuese.

Ish-ministri i Drejtësisë u shpreh në Euronews Albania se veprimi i Metës duket konsideruar si një hap i duhur dhe shans i ri për politikën shqiptare. Ai shtoi se ky moment duhet konsideruar si “plani i fundit” për t’i dhënë zgjidhje debateve zgjedhore në Shqipëri. Për z. Manjani Kodi i ri Zgjedhor ka probleme të theksuara pasi nuk është ndjekur një rend logjik as në formulimin e tij.

“Besoj se është në të drejtën e tij kushtetuese dhe nuk ka asgjë për të diskutuar në këtë pjesë. Parimisht ka bërë mirë, sepse mund të krijohet dhe është një mundësi, ndoshta e fundit për të krijuar një situatë tjetër politike, por mbi të gjitha për të shteruar njëherë e mirë këto rregullat zgjedhore. Ligji aktual zgjedhor është një bashkësi nenesh pa kuptim. Gjej nene dhe fut dhe është e vështirë që dikush të lexojë deri në fund një kod Integral, sepse është një ligj i pakuptueshëm dhe krijon përplasje brenda vetes. Ky ligj, që të jetë i drejtë, ka nevojë të kalojë filtrin kushtetues”, tha ai.

Teksa kritikoi mazhorancën aktuale, ish-ministri i Drejtësisë theksoi se rregullat zgjedhore janë ndryshuar gjatë lojës, dhe kjo sipas tij është e papranueshme.

“Rregullat e lojës në një garë politike shkruhen më parë, të paktën një vit para zgjedhjeve. Rregullat ndryshuan gjatë lojës. Në të gjitha gjykimet ndërkombëtare fjalë “e ndershme” është pjesë e diskutimit, dhe nëse rregullat ndryshohen në mënyrë të njëanshme ka probleme. Sigurisht loja nuk është ë ndershme. Që këtu kemi dështuar pa hyrë në zgjedhje. Zgjedhjet nuk do jenë të ndershme nëse shkohet me rregulla të kontestuara. Këto rregulla janë motivuar politikisht”, shtoi ai.

Gazetarja Bruna Çifligu pyeti z. Manjani nëse pret që mazhoranca do të rreflektojë pas kthimit të ligjit, për këtë Manjani nuk u shpreh besimplotë, por shtoi se Shqipëria rrezikon të krijojë përplasje me botën demokratike, gjithmonë nëse nuk do të ndryshojë kurs pas kritikave të presidentit Meta.

“Nëse kjo mazhorancë do të rriskonte të miratonte rregulla pa pritur Komisionin e Venecias, do të ishte një përplasje me botën demokratike. Nuk pres reflektim, dhe ky është mendimi im, por do t’i bënte mirë situatës politike dhe popullit shqiptar”, shtoi ai./Tpz

OPINIONE

INTERVISTA