Rreziku nga gurët/ Tragjedia që shkaktoi tre viktima, banorët të frikësuar: Po ra tërmet, bëhet kërdia

Në aksin rrugor Balldren-Torovicë në Lezhë, rënia e gurëve nga mali është një rrezik për jetën e tyre.

Me rikthimin e reshjeve të shiut, ka bërë që masivë të mëdhenj shkëmborë të bien nga mali në rrugë.

Gurët e mëdhenj, në rast se do të kishin goditur ndonjë makinë, do të kishin shkaktuar pasoja në njerëz. Janë të paktën tre gurë që kanë rënë mëngjesin e së hënës, ndërsa shkak u bënë shirat intensivë që duken se kanë lëvizur dherat ku qëndronin të mbështetur këta gurë.

Shenja në rrugë që tregojnë forcën e rënies së tyre. Kalimtarët tashmë vazhdojnë të ndihen të kërcënuar, ndërsa udhëtimi nga Torovica në Lezhë i banorëve të kësaj zone shoqërohet me panikun e rrezikut të rënies së të tjerëve gurë, shkruan Panorama.

Në anë të rrugës duken qartë shkëmbinj që kanë rënë në kohë të ndryshme, ndërsa ndërhyrja për të minimizuar rrezikun duket ende shumë larg. Banorët kërkojnë të merren masa, një kërkesë që vijon prej 2 vitesh, kohë kur shkëputja e një shkëmbi u mori jetën 3 personave të së njëjtës familje.

“Asnjë punë nuk kanë bërë. Kemi frikë. Kanë rënë shumë herë gurët, na kanë thënë do të vijmë me ushtri, por nuk kanë ardhur.

Kemi frikë se po ra tërmet, këtu bëhet kërdia. Duhet ta shikojë mjedisi, shteti këtë punë. Problemet janë te populli.

Populli është i frikësuar për këtë rrugë. Do bien të tjerë sipas shirave, kohës. Kemi frikë, por këtë rrugë kemi. Ishalla s’po bie tërmet”, shprehet një prej banorëve të zonës.

Rënia e gurëve është bërë një fenomen shqetësues në këtë segment, pasi edhe një vit më parë shkëmbi goditi një banesë në dalje të Torovicës, por pa shkaktuar dëme në njerëz. Kërkesat e banorëve nuk kanë gjetur zgjidhje, ndërsa rreziku vetëm sapo ka nisur. Emergjencat Civile kanë identifikuar pikat e rrezikut duke përcaktuar edhe nevojën e ndërhyrjes.

Inxhinierët gjeologjikë, emergjencat civile dhe specialistë inxhinierë nga Forcat e Armatosura patën krehur malin e Torovicës menjëherë pas aksidentit fatal me 3 viktima dhe përcaktuan edhe shkëmbinjtë në rrezik rënie.

Banorët e Torovicës do të vijojnë të jenë në mëshirë të fatit, pasi ende nuk është planifikuar ndonjë ndërhyrje nga forcat xheniere të ushtrisë.

Gurët, tragjedia që shkaktoi tre viktima

Tragjedia e ndodhur në tetor të dy viteve më parë, u mori jetën dy vëllezërve Valentin, 29 vjeç dhe Edmond Zefi, 31 vjeç, dhe bashkëshortes së këtij të fundit, Aida Zefi, 21 vjeçe. Kjo e fundit, në momentin e aksidentit të rëndë, ishte 7 muajshe shtatzënë, duke e bërë akoma edhe më të rëndë ngjarjen.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 15:30, më 7 tetor 2017, në aksin rrugor Balldren-Torovicë. Makina tip “Range Rover” u godit nga një shkëmb që ra nga një lartësi prej 200 metrash. Pasi goditi mes përmes automjetin, shkëmbi përfundoi në një parcele aty pranë.

Për nxjerrjen e trupave të pajetë nga mjeti u desh më shumë se dy orë operacion për shkak të dëmtimeve të shumta që kishte pësuar makina.

Zjarrfikësit dhe Policia ndërhynë duke prerë disa pjese të automjetit për nxjerrjen e viktimave. Dy vëllezërit dhe 21-vjeçarja prehen përkrah njëri-tjetrit në varrezat e fshatit Balldren./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne