Rrëzimi i ashensorit/ Pas plagosjes së vajzës policia arreston teknikun: 2 muaj më parë e kontrolloi dhe tha…

Pas ngjarjes se ndodhur një ditë më parë në “Don Bosko”, ku nga rrëzimi i ashensorit u lëndua një vajzë e re, policia ka arrestuar teknikun e ashensorit.

“Policia ka arrestuar teknikun e ashensorit, shtetasin: A. M., 49 vjeç, banues në Tiranë (teknik ashensori)”- njofton policia e Tiranës.

Sipas saj, “ky shtetas ka kryer kontroll teknik të ashensorit para dy muajsh duke deklaruar se ashensori nuk ka probleme dhe nuk ka lëshuar certifikatë përkatëse sigurie”.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme në ngarkim të shtetasit të lartpërmendur për veprën penale “Shkelje e rregullave të mbrojtjes në punë”, parashikuar nga neni 289 i Kodit Penal.

Ngjarja

Siguria e ashensorëve të pallateve në kryeqytet është vënë sërish në pikëpyetje pas një ngjarjeje që ndodhi pasditen e djeshme në Tiranë. Ashensori i një pallati në zonën e “Don Boskos” është shkëputur duke rënë në bodrum e për pasojë është plagosur një vajzë 24- vjeçare që ndodhej brenda.

Fatmirësisht, lartësia nuk ka qenë shumë e madhe, nga kati i parë në bodrum, në të kundërt pasojat mund të kishin qenë edhe më të rënda. Burime zyrtare të Policisë së Tiranës thanë dje se kanë marrë njoftim rreth orës 16:25 dhe menjëherë shërbimet kanë shkuar në vendin e ngjarjes.

“Në një pallat në rrugën ‘Don Bosko’ është rrëzuar ashensori nga kati i parë në bodrum. Në ashensor ndodhej një shtetase rreth 24 vjeçe, e cila ka pësuar lëndime dhe është transportuar në spital për kujdes mjekësor.

Po punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, tha dje Policia. Burimet thanë se një grup hetimor po verifikon kushtet teknike dhe mirëmbajtjen e ashensorit, si dhe kompaninë që e ka instaluar dhe mirëmbajtur.

Sipas dëshmive, rënia e ashensorit ka shkaktuar shumë zhurmë, duke sjellë panik te banorët që kanë njoftuar zjarrfikësen dhe Policinë. Për disa orë, oficerët e Komisariatit nr.3 kanë marrë në pyetje administratorin e pallatit, i cili ka sqaruar kushtet teknike dhe mirëmbajtjen e ashensorit. Kjo nuk është hera e parë që në pallatet e kryeqytetit ndodhin ngjarje të tilla për shkak të neglizhencës për mirëmbajtjen e ashensorëve që shpesh janë të pasigurt.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne