Rajoni

Rritet numri i ‘dembelëve’ në Kosovë

Numri i personave jo aktiv në Kosovë është rritur në vitin 2018 krahasuar me vitin e kaluar, kosovarët nuk janë aktiv në kërkim të punësimit gjatë këti tremujori të parë të këtij viti sipas Agjencisë së Statistikave.

Kjo Agjenci në anketën e fuqisë punëtore i kategorizon si persona jo-aktivë të gjithë ata që gjatë periudhës referente nuk ishin as të punësuar dhe as të papunë.

“Nga popullsia në moshë pune, 60.8 % nuk janë ekonomikisht aktivë, që do të thotë se ata nuk janë të punësuar dhe nuk kanë qenë aktivë në kërkim të punësimit gjatë katër javëve të kaluara dhe/ose nuk janë të gatshëm të fillojnë punë brenda dy javësh”, thuhet në raportin e Agjencisë së Statistikave.

Në këtë kategori hyjnë ata që nuk janë të punësuar dhe nuk kanë qenë aktivë në kërkim të punësimit gjatë katër javëve të kaluara dhe/ose nuk janë të gatshëm të fillojnë punë brenda dy javësh.

Nëse përqindjen e kthejmë në numra, i bie që në tremujorin e parë të këtij viti kanë qenë 722 mijë e 314 persona jo-aktivë. Prej tyre, 231 mijë e 70 persona ishin burra dhe 491 mijë e 244 persona ishin gra.