Rritet pabarazia tek shqiptarët

Hendeku mes të pasurve dhe të varfërve po vazhdon të thellohet. Anketa e Buxhetit të Familjes për vitin 2016, publikuar nga Instituti i Statistikave tregon pikërisht këtë tendencë ku të pasurit janë pasuruar edhe më shumë, kurse të varfrit kanë vijuar në ekstremin tjetër.

Sipas kësaj ankete rreth 90% e familjeve shpenzojnë 78.3% të vlerës së konsumit gjithsej, me një mesatare të shpenzimeve për konsum prej 63.609 Lekë në muaj. Nga ana tjetër 10 % e familjeve shpenzon 21,7 % të konsumit gjithsej, me një shpenzim mesatar prej 158.946 Lekë në muaj.

Kjo do të thotë se shpenzimet mesatare për konsum të 10 % të NjEF me shpenzime më të larta janë 2,5 herë më shumë se ato të 90 % tjetër më të varfër.

Konsumi për frymë, i 90 % të familjeve me shpenzimet më të ulëta është mesatarisht 18.119 Lekë në muaj, ndërsa 10 % i familjeve me shpenzimet më të larta, është mesatarisht 62.562 Lekë në muaj për frymë.

“Raporti i 10/90 është 3,5 herë më më i madh në favor të 10% të familjeve. Shpenzimet mesatare për konsum të NjEF tregojnë se në vitin 2016, ka pasur një rritje më të madhe të shpenzimeve të 10 përqindëshit të NjEF me shpenzimet më të larta (14,6 %) në krahasim me rritjen e shpenzimeve mesatare për konsum të 90 përqindëshit tjetër (0,6 %) në krahasim me 2015. Si rrjedhim, raporti i decileve në 2016, për këtë tregues, paraqet një rritje të pabarazisë nga 2,2 në 2,5, krahasuar me 2015” pohon INSTAT.

Shpenzimet mesatare të konsumit për frymë, ruajnë të njëjtën tendencë të rritjes së shpenzimeve nga të dyshtresat e popullsisë që i referohen 10 dhe 90 përqind të NjEF. Edhe në rastin e shpenzimeve për frymë, në vitin 2016, raporti i decileve 10/90, tregon për një rritje të pabarazisë nga 3,3 në 3,5, krahasuar me vitin 2015.

 

 

 

 

 

 

 

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne