Bota

Rritja e autizmit problem urgjent për shëndetin publik në SHBA

Përqindja e autizmit në SHBA ka shënuar rritje duke arritur në 1 në 59 fëmijë nga 1 në 68, sipas vlerësimeve të mëparshme duke u bërë një problem urgjent për shëndetin publik, theksoi një raport qeveritar, i publikuar sot.

“Këto çrregullime neuro-zhvillimore prekin 1,7% të fëmijëve amerikanë nga 1,5% të vlerësuar më parë”, sipas Qendrës amerikane të Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve (CDC).

“Shifrat e fundit janë befasuese”, – theksoi Walter Zahorodny, profesor pediatër në shkollën e mjekësisë në Rutgers, në New Jersey, i cili ka kryer një studim në këtë rajon.

“Numri i rasteve të autizmit në SHBA ishte vetëm 1 në 5 000 në vitin 1975 dhe ka ardhur në rritje këto vitet e fundit duke arritur në 150% që prej vitit 2000”, shtoi CDC-ja.

Studiuesit nuk e dinë ende çfarë e shkakton autizmin apo rritjen e tij.

Në vitin 2014, CDC kishte regjistruar 1 në 68 fëmijë amerikanë me autizëm.

“Këto ndryshime në numër mund të ndodhin si pasojë e një identifikimi më të mirë të autizmit tek popullsia minorene”, sipas CDC që thekson se pavarësisht gjithçkaje vihet re se autizmi ka më shumë gjasa të zbulohet më shumë te fëmijët e bardhë sesa te ata me ngjyrë apo hispanikë.

Autizmi është katër herë më i shfaqur te djemtë sesa te vajzat.