Rritja e pandalshme e çmimit të smartfonëve

Smartfonët janë të vetmet pajisje elektronike, çmimi mesatar i të cilave rritet, dhe ky trend pritet të vazhdojë në vitet në vijim, sipas kabinetit “Deloitte”, shkruan e përditshmja franceze “Le Figaro”.

Në botën e teknologjisë çmimet bien, përveç ato të smartfonëve. Në vitin 2016, çmimi mesatar i një smartfoni ishte 306 dollarë, ai arriti në 328 dollarë në vitin 2017 dhe pritet të arrijë 350 ose 365 dollarë në vitin 2023.

“Smartfoni është një pajisje me shumë funksione që imponohet gjithnjë e më shumë në botën e sipërmarrjeve. Një punëdhënës do të preferonte më shumë të harxhonte 1.000 dollarë për një smartfon të mirë sesa të shtonte blerjet prej 600 apo 800 dollarësh për të pajisur punonjësit e tij me një laptop, tabletë dhe telefon”, thekson Duncan Stewart, drejtor i kërkimeve në sektorin e Teknologjisë, Medias dhe Komunikimit (TMT) tek “Deloitte”.

Çmimi mesatar i smartfonëve është në rritje për shkak të modeleve që kushtojnë më shumë se 1.000 dollarë dhe kërkesa për këto produkte vazhdon të jetë shumë dinamike.

Evolucion i brendshëm

Megjithatë, në vitet në vijim, nuk pritet që smartfonët të ndryshojnë shumë në pamje nga ata që janë sot në qarkullim.

“Evoluimet nuk do të bëhen më në pamjen e jashtme, por brenda pajisjeve”, shtoi Duncan Stewart.

Procesorët janë gjithnjë e më të shpejtë, por, mbi të gjitha, smartfonët po integrojnë gjithnjë e më shumë inteligjencën artificiale dhe aftësinë për të mësuar. Këtyre u shtohet çmimi i lartë i disa përbërësve, veçanërisht ekranet e teknologjisë “Oled”.

Nuk pengohet rritja e tregut

Për sa i përket personave që mendojnë se janë të varur nga smartfonët e tyre, sepse e konsultojnë dhjetëra herë në ditë, le të qëndrojnë të sigurt, sepse nuk ka asgjë të keqe në këtë rritje të çmimit.

“Nëse përdorimi shtohet, kjo vjen për shkakun se smartfonët përdoren për të bërë gjithnjë e më shumë gjera. Ata zëvendësojnë aparatet fotografike, dëgjuesit e muzikës, GPS-të etj.”, thotë Stewart.

Për pasojë, kursimi që bëhet duke mos lindur nevoja që të blihen shumë pajisje të tjera e bën këtë rritje të kostove mesatare të smartfonëve të pandjeshme për konsumatorin.

Sigurisht që përdorimi i smartfonit në disa situata, si për shembull në timon, duhet të ndalohet, por nuk është kjo që do të pengojë rritjen e tregut. /ATSH

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne