Rritje rekord e turistëve izraelitë në Shqipëri mes kritikave për qëndrimin ndaj konfliktit në Gaza

Shqipëria pret që numri i turistëve izraelitë të arrijë në 60.000 deri në fund të këtij viti, sipas të dhënave të publikuara nga Ambasada e Izraelit në Tiranë.

Kryeministri Edi Rama dhe zyrtarë të tjerë shqiptarë kanë zhvilluar një takim me përfaqësuesit e kompanisë ajrore izraelite Sundor/ELAL, ku CEO-ja i saj, Gal Gershon, është nderuar me një çmim mirënjohjeje për kontributin në zhvillimin e turizmit mes dy vendeve.

Sipas ambasadës, bashkëpunimi i ngushtë midis institucioneve shqiptare dhe kompanisë ajrore ka sjellë një rritje rekord prej 570 për qind të vizitorëve izraelitë në krahasim me vitin 2024. Vetëm në periudhën janar–gusht 2025, në Shqipëri kanë hyrë 45.758 shtetas izraelitë, krahasuar me 6.822 një vit më parë.

Ministri i Turizmit, Blendi Gonxhja, e ka cilësuar bashkëpunimin me linjën ajrore izraelite si “strategjik” dhe “model për zhvillimin e konceptit 12 muaj turizëm”, duke theksuar se Shqipëria po pozicionohet si një destinacion i preferuar për turistët izraelitë.

Megjithatë, ky bashkëpunim vjen në një kohë kur opinioni publik ndërkombëtar është i ndarë për shkak të luftës në Gaza, ku Izraeli akuzohet nga organizata të ndryshme ndërkombëtare për shkelje të të drejtave të njeriut dhe veprime të cilat shumë vende i kanë cilësuar si mizori kundër popullatës civile palestineze.

Në këtë kontekst, një pjesë e opinionit shqiptar shtron pyetje mbi qëndrimin e qeverisë shqiptare, e cila, në vend që të mbajë një pozicion të paanshëm dhe diplomatik, ka forcuar marrëdhëniet ekonomike e turistike me Izraelin, duke u parë nga kritikët si një mbështetje indirekte ndaj politikave të tij në Lindjen e Mesme.

Ndërkohë që turistët izraelitë po rriten me ritme rekord, shumë qytetarë shqiptarë përballen me vështirësi ekonomike dhe emigrim masiv, çka ngre pyetjen nëse modeli turistik që po ndiqet po i shërben vërtet interesave të vendit apo thjesht promovon lidhje politike me një shtet të përfshirë në një konflikt të përgjakshëm./gazetaimpakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne