Rrjedha Turke

*Can ACUN

Me një ceremoni ku të pranishëm ishin Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan dhe Kryetari i Shtetit të Rusisë Vladimir Putin, përfundoi pak ditë më parë etapa detare e gazsjellësit “Rryma Turke”. Gjatë fjalëve të rastit në ceremoninë e organizuar në Stamboll, liderët vunë theksin mbi bashkëpunimin në zhvillim ndërmjet dy vendeve. Projekti “Rryma Turke” vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt jetësimit të planeve të Turqisë për t’u bërë një qendër energjetike. Realisht, krahas tubacionit “TANAP” që parashikohet të transmetojë gazin azerbajxhanas në Turqi e më pas në Evropë, si dhe naftësjellësit “Ceyhan” që furnizon botën me arin e zi irakian, Turqia po fuqizon pozicionin e saj dhe diversifikon nevojën vetjake për energji përmes hapave konkrete në kuadër të politikave energjetike.

Projekti “Rryma Turke”, propozuar në dhjetor të vitit 2014 nga lideri rus Vladimir Putin, fillon nga qyteti Anapa i Rusisë dhe mbërrin në lokalitetin perëndimor Kiyikoy të Stambollit duke përshkuar 930 km në Detin e Zi. Pagëzuar nga vetë Erdogani, gazsjellësi “Rryma Turke” ka një gjatësi totale prej 1.100 km. Ai formohet nga dy linja paralele të ndara dhe e para prej tyre, kapaciteti i së cilës është 15,75 miliardë m3 gaz natyror në vit, pritet të plotësojë nevojën e Turqisë për energji. Ndërsa linja e dytë, me kapacitet të barabartë me të parën, planifikohet të shtrihet drejt Evropës në një fazë të ardhshme. Kështu, me anë të projektit “Rryma Turke” parashikohet që të transmetohen në total 31,5 miliardë m3 gaz natyror.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka bërë me dije se disa shtete të tjera konsiderojnë të bëhen pjesë e gazsjellësit “Rryma Turke” duke theksuar se ky projekt mund të shtrihet përmes 5 degëve në 5 vende të ndryshme evropiane. Për shembull: Ministri i Energjetikës së Serbisë, Aleksandar Antiç, ka shpjeguar se “Rryma Turke” do të garantojë sigurinë energjetike të Evropës në rast se ajo shtrihet drejt vendit të tij. “Mundësia që 10-15 miliardë m3 të gazit rus të mbërrijnë deri Bullgari, Serbi, Hungari dhe Austri përmes Turqisë, është një shans serioz për garantimin e sigurisë së energjisë. Projekti ofron mundësi për zhvillimin e tregtisë së gazit dhe ekonomive mbi bazën e gazit. Duke u bërë pjesë e projektit “Rryma Turke”, vendet në fjalë do të sigurojnë edhe një fitim të rëndësishëm nga transiti i gazit”, ka thënë Antiç.

Megjithatë itinerari që do të ndiqet pas Turqisë për të shtrirë gazsjellësin “Rryma Turke” në Evropë mbetet ende për t’u përcaktuar. Në këtë pikë vërehet një konkurrencë e fortë sidomos ndërmjet Greqisë dhe Bullgarisë. Kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras, ka shprehur dëshirën e fortë të Athinës që ky gazsjellës të kalojnë nëpërmjet vendit të tij duke thënë se po zhvillojnë “një punë aktive në Bruksel” që “Rryma Turke” të shkelë tokën greke.

“Rryma Turke” në njërën anë çon përpara aspiratën e Turqisë për t’u bërë një qendër energjetike dhe në anën tjetër i mundëson Rusisë një rrugë të drejtpërdrejtë për eksportin e gazit të saj në shtetet ballkanike. Gjatë periudhës që lamë pas, marrëdhëniet turko-ruse kanë shënuar zhvillim në shumë fusha. Duke tërhequr vëmendjen mbi rritjen e vazhdueshme të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve, Presidenti Recep Tayyip Erdogan ka potencuar se qëllimi i Ankarasë dhe Moskës është që vëllimi tregtar reciprok të arrijë në 100 miliardë dollarë. Shtypi rus gjithashtu ka vënë theksin mbi trafikun intensiv ndërmjet Putinit dhe Erdoganit duke shprehur bindjen se marrëdhëniet Turqi-Rusi po fuqizohen në mënyrë progresive.

Edhe pse raportet Ankara-Moskë po bëhen çdo ditë e më të forta sidomos në kontekstin e politikave energjetike, në marrëdhëniet bilaterale ka ende probleme të rëndësishme. Aneksimi i Krimesë nga Rusia, disa praktika të diskutueshme të Moskës ndaj tartarëve krimeanë, vazhdimi i luftës në Ukrainë dhe pozicionet e ndryshme të dy vendeve në lidhje me Sirinë janë çështjet kryesore që kërkojnë ende zgjidhje në marrëdhëniet dypalëshe. Megjithëse të dyja vendet përpiqen të bashkëveprojnë në mënyrë të koordinuar në kuadër të Procesit të Astanës dhe Marrëveshjes së Soçit, disa dallime esenciale në qasjet e Turqisë dhe Rusisë ka gjasa të shkaktojnë probleme veçanërisht kur bëhet fjalë për Sirinë./ trt

*Ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe politikave të jashtme pranë Fondacionit për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale (SETA), Ankara

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne