Rreth tre muaj pas kthimit të anijes “Moliva” me 102 kontejnerë të dyshuar për mbetje toksike, Rrjeti i Aksionit të Bazelit ka ngritur akuza të forta ndaj Prokurorisë së Durrësit. Ky rrjet ndërkombëtar ka kritikuar ashpër mënyrën se si po trajtohet ky rast, duke e cilësuar veprimin e Prokurorisë si “të papranueshëm” dhe duke e quajtur mungesën e transparencës një shkelje të rëndë të detyrimeve ligjore.
Sipas Rrjetit të Bazelit, autoritetet shqiptare kanë dështuar të sigurojnë një hetim të plotë dhe të paanshëm, duke mbajtur kontejnerët në sekuestro dhe duke refuzuar të pranojnë analiza të pavarura nga laboratorët e njohur ndërkombëtarë. Po ashtu, Prokuroria e Durrësit nuk ka dhënë asnjë informacion të ri rreth ecurisë së hetimeve, duke krijuar dyshime të thella për transparencën dhe angazhimin e saj.
Një tjetër shqetësim ka të bëjë me refuzimin e Prokurorisë për të pranuar provat e ofruara nga organizatat ndërkombëtare si BAN, të cilat kanë kontribuar me dëshmi të mundshme për hetimin. Ky bllokim i informacionit dhe pasiviteti në hetime thellon shqetësimet për mënyrën se si po menaxhohet një çështje me rrezik potencial të lartë për shëndetin dhe mjedisin./gazetaimpakt