Rruga drejt “peshqve të mëdhenj”

Megjithëse ishte reklamuar janari si muaji i “gjuetisë” së peshqve të mëdhenj që do binin në rrjetën e drejtësisë, duket se shkurti është muaji i cili i ka dhënë startin kësaj nisme të paralajmëruar nga diplomacia ndërkombëtare në Tiranë.

Jemi në dy javët e para të këtij muaji dhe janë kryer në seri të paktën pesë operacione në një javë. Fillimisht duket se kanë qenë porositë e Kryeprokurores Arta Marku për vartësit e saj dhe me lëvizjet e kryera në rrethe, që të rihapnin të gjitha dosjet e mbyllura të ngjarjeve të bujshme dhe të vepronin, që i dhanë udhë operacioneve të forta të ditëve të fundit.

U nis me dosjen e tenderit të rrugës Elbasan-Gjinar e vitit 2009, pjesë e qeverisë “Berisha”, ku u arrestuan 2 ish-drejtorët e Rrugëve, Dashamir Xhika dhe Andi Toma, 2 zyrtarë dhe 3 biznesmenë të tjerë, e vijoi me tenderin Tiranë-Elbasan, me arrestimin për herë të dytë të ish-drejtorit Dashamir Xhika dhe dy vartësve të tij. Hetime po kryhen edhe ndaj ish-ministrit Edmond Haxhinasto. Kjo i hapi rrugë operacionit të abuzimit me tokat në plazhin e Ishmit dhe Gjirot të Lalëzit në Durrës, ku u arrestuan ish-kryekomunari dhe 3 zyrtarë për falsifikim dhe korrupsion.

Këtu përfshihen edhe operacionet e bujshme “Together” në Shkodër që zbuluan një bandë kriminale të atentateve me bomba të telekomanduara, me 3 të arrestuar dhe aksioni “Porosia”, në Elbasan, me 6 të arrestuar. Pa përmendur dosjen e CEZ, ku po hetohet edhe Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-ministri Genc Ruli. Apo edhe rihapja dhe dërgimi në Gjykatë i dosjes së “Kurum”, që mbahej në sirtar dhe madje u bllokua duke iu hequr nga dora prokurores dhe kaluar në sektor tjetër në Prokurorinë e Elbasanit. Megjithatë në asnjë prej këtyre rasteve nuk mund të thuhet se bëhet fjalë për “peshq të mëdhenj”, por rruga e nisur dhe intensiteti i organeve ligjzbatuese duket se do të çojë drejt këtij “gjahu”.

Tenderi i rrugës Tiranë-Elbasan

Tenderi i rrugës Tiranë-Elbasan ka qenë një tjetër dosje e bujshme, për abuzimet e të cilës u arrestuan ish-drejtori i ARRSH-së dhe 2 vartës të tij, që Gjykata e Krimeve të Rënda i ka lënë në “arrest me burg”. Sipas denoncimit nga auditi i ministrisë dhe KLSH, dëmi llogaritet në 54 mln euro. U arrestuan ish-drejtori i LSI-së, Dashamir Xhika dhe përgjegjësit e zyrave, Aksel Qurduka dhe Albens Alite. Ata akuzohen për “shpërdorim të detyrës”, ndërsa kanë mohuar këtë vepër penale. Sipas prokurorisë, të dyshuarit kanë hedhur para nga buxheti i shtetit në këtë segment për punime ende të papërfunduara. Për këtë tender, Krimet e Rënda kanë njoftuar edhe hetimin e ish-ministrit të LSI, Edmond Haxhinasto, teksa ky i fundit e konsideroi një sulm të pastër politik.

Tenderi i rrugës Elbasan-Gjinar

E nisur pas tenderit të vitit 2008 dhe punimeve që startuan një vit më pas, kjo rrugë ende nuk ka përfunduar, edhe pse janë hedhur miliona. Dëmi llogaritet të paktën 5 miliardë lekë të vjetra. Për këtë rrugë u arrestuan ish-drejtori i Rrugëve në qeverinë “berisha”, Andi Toma, ish-drejtori deri pak muaj më parë i LSI, Dashamir Xhika, (dosja e dytë e tij), 2 zyrtarë të kolaudimit dhe 3 biznesmenë të firmave “Arifaj” dhe “Hysa”, që nuk kryen punimet dhe morën paratë. Gjykata e Elbasanit i la në burg të dyshuarit, duke mos liruar asnjë prej tyre. Në hetim të lirë janë edhe 6 kolaudues të ARRSH-së, që akuzohen po për shpërdorim detyre dhe një tjetër biznesmen.

Dosja e CEZ, hetimi i Berishës dhe Rulit

Rihapja e dosjes së skandalit të privatizimit të CEZ tek kompania çeke, ka kthyer në skenën e hetimit edhe emra publikë të njohur që mund të rrezikojnë çështje penale. I pari është Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha. Prokuroria e Tiranës e thiri dhe mori në pyetjejavën e kaluar për një orë në lidhje me dijeninë që Berisha kishte për çështjen dhe personin e dyshuar si të përfshirë në aferë, biznesmenin Nue Kalaj. Berisha mohoi përfshirjen e tij në këtë aferë, teksa e cilësoi një sulm politik. Pak ditë më parë, prokuroria ka thirrur për dëshmi edhe ish-ministrin e Ekonomisë, Genc Ruli, pasi në kohën e privatizimit të CEZ mbante këtë post.

Operacioni i tokave në plazhet e Durrësit

Abuzimet me tokat në bregdetin e lakmuar dhe zonën turistike të Gjirit të Lalëzit i kushton prangat ish-kryekomunarit të Ishmit dhe 3 zyrtarëve të tjerë. Prokuroria dhe Policia e Durrësit nisën aksionin për arrestimin e personave të përfshirë në korrupsion dhe falsifikime me pronat në zonat e Ishmit dhe Gjirin e Lalzit. U arrestua ish-kryetari i komunës Sulejman Ibrahimi, 50 vjeç, si dhe ish-zyrtarët Ornela Shëmlikaj, 24 vjeçe, sekretare arshivë-protokoll, Enver Shima, 68 vjeç, ish-përgjegjës i Zyrës së Bujqësisë dhe Shpresa Merdita, 48 vjeçe, ish-punonjëse e Zyrës së Urbanistikës, për akuzën falsifikim të dokumenteve. Kjo e fundit aktualisht ushtronte funksionin e avokates në qytetin bregdetar.  Ndaj katër të arrestuarve është dhënë edhe masa e arrestit me burg nga Gjykata e Durrësit. Burime policore thanë se të dyshuarit kanë falsifikuar titujt e pronësisë, duke përfituar në mënyrë të padrejtë dhjetëra hektarë tokë në bregdet. Skema është e njëjtë me atë të tokave në bregdetin e Spillesë, ku u arrestuan 11 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të përfshirë, me abuzim në rreth 36 hektarë.

Tre gjyqtarët e Apelit Durrës

Pas dy mbledhjeve të dështuara, të premten Këshilli i Lartë i Drejtësisë pranoi të votonte për masë ndëshkuese 3 gjyqtarët e Apelit të Durrësit, duke i pezulluar për shkeljen e kryer për të cilën i akuzon Prokuroria e Krimeve të Rënda. Gjyqtarët Petrit Ceno, Kliton Spahiu dhe Petraq Dhimitri ishin shpëtuar nga kolegët e tyre në dy shkallë për t’u shkarkuar, por KLD më në fund pranoi masën. Prokuroria i ka marrë të pandehur dhe thotë se tre gjyqtarët dyshohet të kenë përfituar në mënyrë të paligjshme udhëtime jashtë vendit, madje në një rast edhe bileta, ku kanë ndjekur klasiken e futbollit në Spanjë, Real Madrid-Barcelona. Këtu përfshihen biletat e udhëtimit, akomodimet në hotele dhe shpenzime të tjera ekstra. Për këto përfitime, ata kanë dhënë një vendim civil në favor të biznesmenit Namik Sadiku, edhe ky nën hetim nga Krimet e Rënda.

Operacioni “Together” në Shkodër

Policia dhe Prokuroria zbardhën atentatin e 13 janarit në Shkodër, ku shpërthimi i bombës së telekomanduar në një motor la të plagosur rëndë objektivin e sulmit, biznesmenin Lulzim Kulla dhe 7 qytetarë që po kalonin në rrugë në ato momente. Operacioni u kodua “Together” çoi në pranga 3 persona nga Elbasani, Endri Çopja, 29 vjeç, Argel Lulaj, 31 vjeç dhe Serxho Teta, 24 vjeç, ky për kundërshtim të policisë në aksion. RENEA zbuloi bazën e tyre në afërsi të tregut Agro-Ushqimor në Elbasan, ku bastisi banesën dhe zbuloi prova materiale. Ky grup dyshohet se blinte sasi eksplozivi dhe më pas i montonte nëpër motorë dhe makina, duke i aktivizuar në distancë dhe realizuar atentatet e paguara. Gjithashtu po hetohet edhe për kryerjen e ngjarjeve të tjera kriminale.

Operacioni “Porosia” në Elbasan

Ngjarjet kriminale që kanë tronditur qytetin e Elbasanit vitet e fundit kanë sjellë edhe blindimin e tij me forca të shumta policie. Derisa mbrëmjen e së mërkurës, fill pas analizës vjetore të prokurorisë, ku mori pjesë edhe Arta Marku dhe pak minuta pas atentatit ndaj një pronari servisi që dyshohet se kishte lidhje me fisin Çapja, uniformat blu dhe specialet e RENEA-s dhe FNSH-të bastisën dhjetëra banesa. Operacioni “Porosia” u realizua me ndihmën e një agjenti të infiltruar që porosiste eksploziv dhe drogë. Në pranga ranë Geraldo Yzeirllari, 20 vjeç, Kristi Maxhari, 21 vjeç, Kristian Petani, 22 vjeç, Edmond Abazi, 39 vjeç, Ergest Lipo, 23 vjeç, banues në Pogradec dhe Gazmor Kokla, 39 vjeç, banues në Gramsh. Në banesa iu gjetën 82 kallëpe tritoli, 400 fishekë dhe 1,5 kg hashash, 1 armë zjarri automatike, 1 pushkë, 3 automjete, 15 celularë, si dhe sasi e konsiderueshme lekësh. Në kërkim u shpall E.H., 20 vjeç, banues në Pogradec.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne