Rruga e Kombit, taksa për kuksianët do të jetë 100 lekë

Taksa e vendosur në Rrugën e Kombit për banorët e Kukësit dhe zonave përreth pritet të jetë 100 lekë për një kalim dhe 200 lekë për vajtje dhe ardhje.

Edhe pse fillimisht u përfol se taksa e kalimit për banorët dhe përdoruesit e shpeshtë të kësaj rruge do të ishte 1.5 euro, qeveria duket se ka vendosur të miratojë një taksë më të ulët, raporton Top Channel.

Kjo ulje e taksës pritet të sjellë efekt financiar të konsiderueshëm, duke ulur me disa milionë euro të ardhurat që mblidhen në stacionin e pagesës. Megjithatë, këto para nuk do të paguhen nga koncensionari privat, por do të kompesohen plotësisht nga qeveria, përmes pagesave nga buxheti i shtetit.

Tarifa e kalimit në Rrugën e Kombit u vendos për herë të parë në fillim të muajit prill. Kalimi në këtë rrugë presupozohej të ishte 5 euro, ndërsa vajtja dhe ardhja do të kushtonin 10 euro. Në kontratën e koncensionit parashikohej që vetëm 6 muaj pas hyrjes në fuqi të taksës, do të identifikoheshin përdoruesit e shpeshtë ndaj të cilëve do të kishte lehtësira. Ishte pikërisht kjo gjë që shkaktoi zemërimin e qytetarëve të Kukësit, të cilët dolën në protestë dy ditë pas vendosjes së taksës.

Duke parë gjendjen e krijuar, qeveria nisi bisedimet si me koncensionarin ashtu dhe me banorët, për të gjetur një formulë të re. Taksa, e cila parashikon pagimin e 100 lekëve (për një kalim), do të paraqitet zyrtarisht javën e ardhshme, ndërkohë që, kompania koncesionare po vazhdon punimet për të rindërtuar, ndërtuar dhe zgjeruar zonën.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne