Shqiperia

Rruga e rrezikshme Tirane-Durres, eksperti: Gropat ne asfalt shkaku kryesor i aksidenteve

E konceptuar 20 vite më parë si një rrugë shpejtësie me limit 90 kilometra në orë, sot e ashtuquajtura autostradë Tiranë-Durrës është kthyer në një rrugë të rëndomtë e arnuar keq në një pjesë të madhe të gjatësisë së saj.

Nga “Qafa e Kasharit” deri në Durrës rruga e kategorisë interurbane kryesore është e përdorshme kryesisht për pjesën e korsisë së shpejtësisë së lartë pasi pjesa tjetër ka pësuar dëmtime serioze. Për ekspertin e sigurisë rrugore Artur Sulçe rruga Tiranë-Durrës ka humbur prej kohësh statusin e saj si një rrugë shpejtësie. Sulçe thotë se dëmtimet e madha që ka pësuar pjesa e asfaltit me fundosje të shpeshta në korsinë e shpejtësisë së ulët, shtuar edhe meremetimet pa cilësi krijojnë kurthe mbi asfalt që kanë shtuar ndjeshëm aksidentet rrugore.

Që nga ndërtimi i saj rruga Tiranë-Durrës numëron dy ndërhyrje të pjesshme. E para në vitin 2009 kur vendi drejtohej nga demokratët. 32 kilometra gjatësi lineare të saj u riveshën me tapet të ri asfaltik ndërsa u kryen punime edhe në zgjerimin e kanaleve anësore. Por rikonstruksioni nuk pati jetëgjatësi pasi pa kaluar vitin në asfalt u panë shenjat e para të plasaritjeve dhe fundosjes së trasesë që detyruan qeverinë t’i rikthehej arnimeve. 5 vite më vonë qeveria Rama 1 me ardhjen në pushtet do të ndërmerrte një tjetër investim të pjesshëm duke ndërhyrë vetëm në segmentin e parë nga mbikalimi i Kamzës deri në mbikalimin e Qafë-Kasharit e mandej Qafë-Kashari Rinas.

Investimi i paraprinte vizitës historike në vendin tonë të Papa Franceskut ndaj dhe u realizua në kohë rekord. Por në vend të një rikonstruksioni serioz dhe afatgjatë qeveria u kujdes më shumë për gjelbërimin e rrugës dhe ndriçimin e saj. Vetëm projekti për gjelbërimin e rrugës Tiranë-Rinas përfshinte 400 mijë metra katror sipërfaqe të gjelbër 130 mijë bimë dekorative dhe 2300 pemë të larta. Rrugës iu hodh një shtresë e re asfalti dhe u ribë nga e para trafik ndarësja, por paralelisht me to u mbyll në dy anët kanali i madh i drenazhimit, një kriter i detyrueshëm sipas ekspertëve për një rrugë të kategorisë interurbane kryesore.

Më pas historia është e njohur për të gjithë shqiptarët, pasi rruga e sapo rikonstruktuar u përmbyt dy vite rresht në të njëjtin vend në afërsi të mbikalimit të “Qafë Kasharit” respektivisht në vitet 2016, 2017. E detyruar nga trysnia e opozitës dhe opinionit publik qeveria u detyrua të shkulë palmat për të cilat kishte paguar jo pak por 600 mijë euro për t’i zëvendësuar me pisha, dhe në fund askush nuk dha llogari për dëmet. Në shkurt të vitit 2016 Autoriteti Rrugor Shqiptar prezantoi disa projekt-ide për zgjerimin me tre korsi të Autostradës Tiranës-Durrës me vlerë të përllogaritur në 150 milion euro. Por për qeverinë një sipërmarrje e tillë kaq e kushtueshme i përket të ardhmes pasi me financat aktuale mund të shkohet deri në rinovimin e tapetit asfaltik, sikundër u veprua për segmentin Tiranë-Qafë Kashari.

Por a është kjo një zgjidhje e problemit?

Pyetja që shtrohet është sa aksidente me jetë njerëzish duhet të ndodhin në këtë arterie kryesore që qeveria të reflektojë me vullnet të fortë për të ndrequr një gabim të madh infrastrukturor të bërë keq që në krye të herës./Ballkanweb